“Nuk mund të mbahen njerëzit në shtëpi…”, propozimi i Bashës: Ja si mund ta çojmë vendin drejt hapjes

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri thirrje qeverisë që të ndryshojë strategjinë e testimeve të rasteve me COVID-19, duke bërë të mundur identifikimin e saktë të rasteve në vend. Në një komunikim virtual me gazetarët, lideri i opozitës pohoi se tashmë të dhënat e fundit tregojnë një zgjerim të hartës së të infektuarve, siç ishte rasti i Kukësit dhe Mallakastrës.

Mes të tjerash Basha theksoi se qeveria nuk ka asnjë plan se kur do të dalin qytetarët nga karantina, apo dhe për krizën ekonomike.

“Të dhënat e fundit tregojnë një zgjerim të hartës së të infektuarve, ne Kukes dhe Mallakaster. Sot kemi 6 anëtarë të personelit mjekësor të infektuar. Kjo sjell vëmendje të rritjes së testimit. Duke nisur me testimin e stafeve mjekësore dhe me punonjësit e vijës së parë, të policisë, të Forcave të Armatosura, të administratës, furnitorët, njerëz që punojnë në shërbim të tregtisë. Testim dhe prekja e situatës në thellësinë e saj do të na japë shifra të sakta dhe përhapjen e vërtetë të infeksionit. Në besimin tonë, testimi nuk po bëhet në masën e duhur. Kërkesës tonë për testimin i janë bashkangjitur edhe zëra të ekspertëve kombëtarë, dhe zëra të maxhorancës, ndaj përsëris sot, që të ndryshohet strategjia për testimin. Nëse ne prekim sipërfaqen e problemin, majën e ajsbergut, do ta kemi të vështirë që të drejtojmë vendin drejt hapjes, që t’i japim fund qëndrimit në shtëpi dhe mbylljes në ekonomi. Është e pamundur që njerëzit të mbahen në shtëpi pa plan. Sa i përket pasojave që kjo ka te qytetarët dhe stafet mjekësore, nëse ne lejojmë infektimin e mjekëve dhe infermierëve, ne dobësojmë vijën mbrojtëse që ka shoqëria. Prioritet absolut duhet të jetë zbulimi i infeksionit, gjurmimi i kontakteve. Ndaj kërkesa jonë është që në bazë të ligjeve në futi të normohen përmes VKM, për të bërë të mundur gjurmimin edhe izolimin e infeksionit, pa të cilin karantina s’do të ketë kuptim. Ky proces kërkon protokolle të qarta nga njerëzit në terren. Dua të përsëris dhe një herë thirrjen për pajisje mbrojtëse për personelin mjekësor.”, tha Basha.

Back to top button