Pas koronavirusit, të fitojmë luftën edhe me veten!

Nga Alfred Peza

Përballja me Covid-19 nuk paska qenë lufta vetë. Por, beteja kryesore e saj. Kryebeteja. Pas fitores të së cilës, do të duhet që të fitojmë, edhe shumë e shumë beteja të tjera. Derisa ti lejojmë vetes luksin e shfrenuar, që të marim frymë lirisht, e ti rikthehemi jetës së re normale. E cila mund të jetë çdo gjë pas kësaj. Por e sigurtë është vetëm se, kjo “jeta e re normale”, nuk do të jetë më kurrë si më parë.

Beteja e parë në luftën kundër pandemisë, është një betejë e fituar tashmë për Shqipërinë. Përderisa jemi në atë fazë të kurbës, kur numri i vdekjeve në javën që po mbyllet, ishte më i ulëti në raport me të gjitha javët e tjera përpara kësaj. Fluksi i telefonatave në qëndrën kombëtare të urgjencave dhe ai i shtrimeve, janë në ulje të vazhdueshme. Ndërsa kurba e të shëruarve, po njeh rritje të pandërprerë.

Shqipëria për Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe mediat ndërkombëtare, konsiderohet deri tani, si një rast i menaxhimit me sukses të pandemisë, në raport me situatën globale ku ndodhemi. Kjo ka bërë që të vijmë në fazën, kur fillojnë e lehtësohen dalëngadalë masat më të forta shtërnguese për popullatën, biznesin privat dhe veprimtarinë e administratës qëndrore e lokale të vendit.

Frika kryesore është se bashkë edhe me ngrohjen e motit, kjo mund të meret nga shumëkush, si sinjal që shënon fundin e luftës dhe daljen nga shtëpitë, lirshëm si dikur. Ekspertët më të mirë shqiptarë e ndërkombëtarë, vlerësojnë se ky do të ishte ndoshta gabimi më fatal që mund të bënte një shtet sot. Sepse rikthimi i pandemisë, do të ishte edhe më i fuqishëm, e pasojat do të ishin katastrofike.

Ndaj, është jashtëzakonisht shumë herët që të shpallim triumfin e shqiptarëve mbi pandeminë. Deri atëherë, do të kalojë me siguri edhe shumë kohë. Sot askush nuk është në gjendje që të japi një datë, qoftë edhe të përafërt, për këtë. Por, e sigurtë është se gjithkush prej nesh ka shumëçka në dorë, për ta përshpejtuar atë.

Frenimi i koronavirusit dhe shkuarja drejt shuarjes së të gjitha rasteve të të prekurve të rinj në Shqipëri, është beteja e radhës që kemi pas të hënës, kur fillojmë edhe me regjimin e ri të rregullave të vendosura nga qeveria, në konsultim të ngushtë me Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Të gjitha qeveritë e shteteve më të goditura nga Covid-19 dhe organizmat ndërkombëtare financiare, janë duke punuar nën stresin më të madh të 100 viteve të fundit, për të menaxhuar pasojat shkatërrimtare që i janë qasur ekonomisë dhe për të shmangur krizën fatale.

Shpëtimi i jetëve njerëzore, përmes përballimit të emergjencës shëndetësore, është kryesorja. E dyta në radhë, vjen ekonomia; ndalimi i katastrofës, ringritja, stabilizimi dhe forcimi i ekonomisë individuale, familjare, kombëtare e globale. Ndërkohë që sfida më e madhe e shkencës, mbetet zbulimi sa më parë, i vaksinës kundër koronavirusit.

Këto janë çështjet më emergjente, të shtruara për zgjidhje. Por, ajo që konsiderohet si kryesfida e të gjitha sfidave të tjerave, është fitorja e qenies njerëzore mbi veten. Mbi mënyrën sesi kemi jetuar deri dje. Sepse e ardhmja e secilit prej nesh dhe e shoqërisë njerëzore, nuk do të jetë më kurrë si më parë.

Deri më sot njerëzimi mund ta ketë ndarë rrjedhën e historisë në atë përpara dhe pas Krishtit. Por nuk është çudi, thonë disa studiues, që pas kësaj ajo të ndahet në periudhën para e pas kësaj pandemie. Distancimi social dhe shumë rregulla e norma të tjera, ishin të panjohura, jo vetëm për shqiptarët. Me sa duket, ato do të jenë tani e tutje një rutinë e re, për gjithë njerëzimin në të ardhmen.

Pamjet nga tregjet, rrugët, sheshet dhe parqet tona, intervistat e qytetarëve që ofrojnë mediat profesionale dhe rrjetet sociale gjatë këtyre ditëve të karantinimit të detyrueshëm dhe sjelljet sociale që gjithkush ka vëzhguar rreth vetes, bëjnë të besosh se lufta me veten do jetë edhe më e madhe, se ajo e triumfit të njerëzimit mbi koronavirusin.

Kjo nuk është një luftë thjeshtë dhe vetëm individuale. As vetëm shqiptare. Por është sfida e së ardhmes, për mbijetesën e përbashkët të qenies sonë dhe mbarë shoqërisë njerëzore. Ndaj: Të jesh apo të mos jesh,- kjo është çështja, edhe në të ardhmen!

Back to top button