Kollitu të lutem! Aplikacion që do të zbulojë nëse je me COVID-19 nga tingulli apo zëri

Një aplikacion i ri që mbledh regjistrime audio të personave që kolliten dhe marrin frymë, mund të ndihmojë studiuesit të zbulojnë njerëzit e infektuar me koronavirus. Çdo kush mund të kërkojë në faqen e universiteti të Kembrixhit për të mësuar mbi aplikacionin ‘COVID-19 Tinguj’.

Me anë të të folurës, të kolliturit dhe mbajtjes së frymës, ekspertët mund të klasifikojnë se kush është i infektuar me virusin e ri. Të dhënat audio, të cilat do të ruhen në serverët e universitetit, do të ndihmojnë në zhvillimin e algoritmeve të aplikacionit, që mund të përdoren për zbulimin automatik të sëmundjes.

Zhvilluesit e aplikacionit, të cilët shpresojnë të mbledhin regjistrime nga sa më shumë njerëz të jetë e mundur, mendojnë se kjo mund t’i ndihmojë ata të zbulojnë koronavirusin vetëm nga zëri dhe kollitja e një personi. Projekti është lançuar në një faqe në internet, por ende nuk është krijuar si aplikacion për Android dhe iOS.

“Gjithçka ka të bëjë me diagnostikimin në kohë dhe me të dhëna të mjaftueshme shpresojmë që nga kollitja apo edhe zëri të mund të përdoret për diagnostikimin e hershëm. Ende ka gjëra që nuk i dimë për këtë virus dhe në këtë situatë pandemike që jemi, sa më shumë informacione të besueshme të marim aq më mirë është,” tha pedagogia Cecilia Mascolo nga Departamenti i Shkencës dhe Teknologjisë Kompjuterike në Kembrixh, e cila drejtoi zhvillimin e aplikacionit.

Pedagogia Mascolo tha se regjistrimet e njerëzve që nuk janë të diagnostikuar me virusin, do të shërbenin si një grup kontrolli në grupin e të dhënave.

Në faqen e disponueshme për aplikacionin, personat që marrin pjesë, duhet vetëm të zgjedhin moshën, gjininë dhe gjendjen shëndetësore. Ata më pas duhet të zgjedhin një listë të simptomave, shumë prej të cilave janë të lidhura me COVID-19, duke përfshirë ethe, kollë të thatë dhe vështirësi në frymëmarrje.

Pjesëmarrësve u kërkohet gjithashtu vendndodhja e përafërt e tyre, nëse kanë kryer një test për COVID-19 gjatë 14 ditëve të fundit dhe nëse kanë qenë apo jo në spital.

Vullnetarët atëherë regjistrojnë veten duke marrë e duke nxjerrë frymën pesë herë, duke u kollitur tre herë ose duke folur një fjali tre herë. Ata pastaj mund të kuptojnë të dhënat e tyre. Studiuesit e Universitetit të Kembrixhit thanë që pasi të kenë përfunduar analizën e tyre fillestare të të dhënave, ata do të lëshojnë të dhënat e përcaktuara për studiuesit e tjerë.

“Duke folur me mjekët, një nga gjërat më të zakonshme që ata kanë vërejtur në lidhje me pacientët me virus është mënyra se si ata marrin frymë kur flasin, si edhe nës kanë kollë të thatë. Ka shumë pak grupe të të dhënave të tingujve të frymëmarrjes, kështu që për të bërë algoritme më të mira që mund të përdoren për zbulimin e hershëm, na duhen sa më shumë mostra, domethënë më shumë pjesëmarrës,” tha pedagogia Mascolo.

Ekspertët shpjegojnë se aplikacioni nuk do të japë ndonjë këshillë mjekësore dhe nuk do të gjurmojë përdoruesit.
Tingujt COVID-19, aktualisht mund të gjendet duke kërkuar në Google Chrome dhe së shpejti do të lançohet si aplikacion./Daily Mail

loading...
Back to top button
Close