Doktoresha dhe burri i saj polic me koronavirus nuk u karantinuan pasi u kthyen nga jashtë vendit

Një doktoreshë dhe bashkëshorti i saj, që ka rezultuar i prekur nga virusi, nuk janë karantinuar pasi janë kthyer nga një udhëtim jashtë Shqipërisë.

Në redaksinë e emisionit investigativ “Fiks Fare” mbërriti një informacion se një punonjës i Policisë së Korçës ka pasur një histori udhëtimi jashtë Shqipërisë, por ai nuk është vetëkarantinuar. Punonjësi i Policisë ka rezultuar pozitiv, ndërkohë historinë e udhëtimit e ka pasur bashkë me bashkëshorten e tij, e cila është drejtoreshë e një qendre private e kujdesit paliativ në qytetin e Korçës.

Megjithëse çifti ka ardhur në datën 13 mars 2020 në Korçë, këta dy persona nuk janë vetëkarantinuar. Mësohet se pas datës 13 mars, drejtoresha e qendrës së kujdesit paliativ ka vijuar punën, ndërkohë që 1 javë pasi është kthyer nga udhëtimi, pra, nga Malta dhe nga Greqia, kjo drejtoreshë ka dhënë një intervistë për RTSH Korça në datën 19 mars 2020. Madje, intervista gjendet edhe në “Youtube”, ku pikërisht mjekja ka dhënë këshilla si të mbrohemi nga COVID 19.

Pas këtij informacioni, gazetarët e “Fiks fare” shkuan në qendrën e kujdesit paliativ “Meri Poter” në Korçë, qendër që merret me trajtimin e të sëmurëve në gjendje të rëndë. Në këtë qendër, gazetarët mësojnë se doktoresha nuk është e prekur nga virusi, ndërsa bashkëshorti i saj ka dalë pozitiv. Një punonjëse e kësaj qendre thotë se çifti ka qenë në Maltë, ndërsa janë kthyer në mes të marsit.

Sipas saj, në këto vende kanë qenë edhe disa doktorë që janë në izolim. Fillimisht punonjësja thotë se doktoresha pas kthimit ka punuar në telefon për të dhënë udhëzime. Gazetarët e pyesin se ajo më 19 mars ka dhënë një intervistë te RTSH Korça. Më pas thotë se këtu erdhi vetëm sa për të dhënë intervistën. Punonjësja pranon se atë ditë që doktoresha është futur brenda qendrës, u vesh dhe mori maskën.

“Po me udhëzime ka qenë, po në telefon ka punuar se është drejtoreshë e qendrës”, thotë ajo, duke shtuar se në qendër s’ka pacientë. “Ne kemi pacientë në gjithë Qarkun e Korçës dhe u shërbejmë në shtëpi. Kemi çuar ilaçe me makinën tonë nëpër shtëpi, s’jemi futur brenda, vetëm kemi folur në telefon”, thotë ajo.

Gazetarët e “Fiks Fare” biseduan edhe me doktoreshën e qendrës paliative. Ajo thotë se kanë qenë 5 vetë në Maltë. “Kemi bërë kontroll edhe kur hymë, edhe kur dolëm nga Malta. Të gjithë kanë qenë të karantinuar dhe asnjëri nga ne s’ka më të voglën shenjë. Burri im është oficer Policie, mund të shkoni të merrni sistemin TIMS, çdo hyrje-dalje ku kemi qenë, unë nuk jam kaq e papërgjegjshme që të mos zbatoj rregullat e vendosura nga institucionet. Kemi ardhur nga Greqia me makinë private dhe që atë ditë të tërë njerëzit kanë qenë brenda”, thotë ajo, ndërsa saktëson se qëkur kanë ardhur në Shqipëri që në datën 13, kanë qenë të izoluar.

Mjekja thotë se atë ditë, më 19 mars 2020, ka dhënë një intervistë në oborrin e qendrës dhe ka dorëzuar një dokument në bankë për pagat. Ndryshe nga punonjësja që tha se drejtoresha u fut brenda, ajo thotë se s’ka hyrë në asnjë vend. “Mora përparësen te dera se kanë qenë gazetarët”, pohon ajo, ndërsa thotë se qendra e saj ka qenë në punë, ndryshe nga Spitali Rajonal Korçë. “Në spital nuk shërben njeri, ashtu si mua dhe tim shoq na lanë në oborret e spitalit”, përfundoi mjekja.

Një nga masat e marra nga qeveria për personat që nuk deklarojnë historinë e udhëtimit, është gjoba në masën 7 milionë lekë të vjetër. “Fiks Fare” u interesua në Policinë e Korçës për të marrë informacion nëse ky punonjës ka qenë apo jo në punë pas datës 13 mars, datë kur u kthye nga udhëtimi jashtë Shqipërisë. Policisë së Korçës iu desh 1 javë për t’i kthyer përgjigje emisionit “Fiks Fare” se punonjësi në fjalë ka qenë me leje të zakonshme nga data 9 deri në 31 mars. Në përgjigje, Policia nuk na jep asnjë informacion nëse punonjësi është paraqitur apo jo në punë pas datës 13 mars 2020.

loading...
Back to top button
Close