Parlamenti i Kosovës miraton rezolutën e bisedimeve me Serbinë, Veseli: Shfrytëzuan pandeminë

Parlamenti i Kosovës, miratoi në një seancë të jashtëzakonshme buxhetin për vitin 2020, por pa praninë e deputetëve të opozitës. Buxheti i këtij viti është 2 miliardë e 357 milionë euro dhe miratimi i tij u bë më procedurë të përshpejtuar, për shkak të situatës së krijuar pas konfirmimit të rasteve të para të infektimit me koronavirus.

Opozita braktisi punimet e pakënaqur me shumicën parlamentare e cila sipas saj, shfrytëzoi gjendjen e krijuar për ta kaluar buxhetin që ajo e quajti “të masakruar”. Gjatë seancës për buxhetin parlamenti miratoi edhe një rezolutë në të cilën thuhet se qeveria e Kosovës është institucioni që ka mandatin për të udhëhequr bisedimet me Serbinë.

Në tekstin e rezolutës që u miratua po ashtu, pa praninë e opozitës, thuhet se “Sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Askush nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Kosovës”.

Në tekstin e lexuar nga shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, theksohej se “në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, është Qeveria e Kosovës ajo që ka mandatin të udhëheqë bisedimet ose dialogun me Serbinë dhe të bëjë përgatitjet për negociata, e të negociojë lidhur me marrëveshjen e mundshme përfundimtare e cila do të përmbyllet me njohje reciproke me Republikën e Serbisë”.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i akuzoi partitë në pushtet me pretendimin se organizuan një seancë të jashtëzakonshme për buxhet, “duke abuzuar me shqetësimin e emergjencës qytetare për pandeminë e koronavirusit, tashmë të shpërndarë në cdo cep të vendit”, siç tha ai, “edhe për shkak të papërgjegjësisë së kësaj Qeverie në parandalimin e shtrirjes së tij”.

loading...
Back to top button