Koronavirusi/ Dita III e shtetrrethimit, bllokohet qarkullimi i makinave në gjithë Shqipërinë, braktiset Liqeni në Tiranë

TIRANË – Sot, ndalimi i qarkullimit të automjeteve është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, nga mesnata e së dielës, deri në 8 të mëngjesit të së hënës, kush ka lëvizur jashtë qytetit, ka kohë këtë fashë 8 orarëshe për t’u kthyer në vendin ku banon. Nga e hëna e gjithë Shqipëria do të jetë në ‘karantinë’, në një shtetrrethim me forca policore e të ushtrisë në terren që do të kontrollojnë çdo person që mund të dalë mbi këtë urdhër duke marrë edhe penalizimet përkatëse. Me identifikimin e të prekurve të parë me COVID-19, qeveria shqiptare mori një sërë masash drastike, për ta frenuar në kohë koronavirusin, e për të mos arritur në skenare të frikshme siç edhe vendet me mjekësi ekselente po përballen.

Aktualisht, në të gjithë Shqipërinë janë mbyllur lokalet, restorantet, palestrat, fast food-et, e shumë biznese krejt të panevojshme për qytetarët në këto momente të vështira që po kalon vendi. Të vetmet që qëndrojnë hapur janë supermarketet dhe farmacitë.

Qarkullimi është i ndaluar në qytet dhe në akset kryesore që lidhin vendin. Të gjithë personat që janë në punë në sektorin publik dhe atë privat do të mund të lëvizin vetëm në mëngjes deri në orën 08:00 dhe pasdite në orën 16:00 deri në 17:00 kur mbyllin punën, pra në këto fasha orare.

“Të gjithë ata që ditën e hënë dhe në vijim do të jenë të angazhuar për punë, në sektorin publik apo privat, do të mund të qarkullojnë me automjete vetëm deri në orën 08.00 të mëngjesit dhe nga ora 16.00 deri në orën 17.00 të pasdites. Qarkullimi i automjeteve që nuk janë pjesë e shërbimeve shtetërore në lëvizje apo shërbimeve private që e kanë të domosdoshme lëvizjen, do të jetë e ndaluar rreptësisht për çdo automjet tjetër jashtë fashave të lejuara për vajtja/ardhje në punë”, tha dje Rama. Kush kapet në shkelje u hiqet patenta për 3 vjet si dhe i sekuestrohet makina.

Aktualisht kufiri është bllokuar me Italinë, si ajror ashtu edhe detar, me Greqinë, Kosovën, Malin e Zi (hapur vetëm Hani i Hotit) dhe Maqedoninë e Veriut (hapur vetëm Qafë-Thana).

Parku i Liqenit Artificial në shtetrrethim! Njerëzit e ‘braktisin’ si kurrë më parë (VIDEO-FOTO)

Pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama për të eliminuar grumbullimet pranë Liqenit Artificial, dhe pas bllokimit të rrugëve që të çojnë drejt tij si një masë për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, sot kjo zonë është bosh. Gjatë një vëzhgimi pranë Liqenit dallohen vetëm efektivë të policisë që po bëjnë patrullim përgjatë zonës.Një pamje e pazakontë për këtë vend që është destinacioni i preferuar i shumë qytetarëve që kërkojnë të kalojnë disa momente qetësie.Por në këtë situatë të jashtëzakonshme Liqeni Artificial sot është kapluar nga heshtja, ku mungojnë hapat e dhjetëra qytetarëve dhe zhurmat e vrapimit. Grumbullimet pranë liqenit janë ndaluar nga qeveria si një masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

E pavarësisht kësaj situatë nuk mund të themi që qytetarët janë ndërgjegjësuar, pasi forcat e policisë kanë bllokuar të gjitha rrugët që të çojnë drejt liqenit artificial.

E veç kësaj e gjithë zona përreth liqenit vëzhgohet nga policia bashkiake për të shmangur grumbullimet e qytetarëve, të cilët një ditë më parë e shkelën urdhrin e qeverisë dhe shumë persona zgjodhën të kalonin kohën në shoqërinë e njeri-tjetrit pranë liqenit artificial.

loading...
Back to top button