Duhet menduar për njerëzit në nevojë. Jo vetëm gjoba e ndëshkime
Italia ka zgjeruar masat stimuluese në përgjigje të pasojave që po shkakton tek bizneset dhe familjet pezullimi i aktiviteteve për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Pagesat e taksave dhe kontributet që duhet të bëheshin në 16 mars janë ngrirë të paktën për një javë për emergjencën e koronavirusit, shkruajnë mediat italiane.
Po shqyrtohet dhe një zgjatje e pagesave të TVSH-së.
Këto shtyrje po bëhen me qëllim që tu lihen bizneseve likuiditetet e nevojshme për të përballuar situatën.
Për punëtorët që kanë fëmijë në shtëpi po lëshohet një kupon për të shlyer shpenzimet e bëra për pagesën e mbajtjes së fëmijëve.
Në dekretin për përballimin e gjendjes së jashtëzakonshme gjendet edhe futja e një kredie tatimore për të mbështetur të vetëpunësuarit, që u detyruan të mbyllnin bizneset e tyre të vogla për të respektuar masat e kontrollit të miratuara nga Qeveria.
Kryeministri shqiptar i cili këmbëngul se është duke parë me detaje lëvizjet e Italisë në këtë pikë nuk po e kopjon.
Pak ditë më parë u tha se të paktën kreditë janë shtyrë me tre muaj, por as ky vendim nuk është bërë ende zyrtar.
Për familjet që kanë një biznes të vogël nuk është marrë asnjë masë, as për taksat, as për qeratë, as për rrogat.
Për të mos folur për ata që janë në kufijtë e mbijetesës.
Shumë familje shqiptare e nxjerrin bukën e gojës me të ardhurat ditore dhe këto ditë pa punë i ka futur në kolaps.
Të shpresojmë që në daljen e radhës nga Sureli të kryeministrit të mos dëgjojmë vetëm fjalët: gjobë, heqje patente, bllokim.
Duhen zgjidhje alternative, sidomos për njerëzit në nevojë.