“Nëse Presheva nuk është në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, nuk garantohet implementimi i marrëveshjes”
Në tavolinën e dialogut me Serbinë, duhet të përfaqësohet edhe lugina e Preshevës, përndryshe nuk garantohet implementimi i marrëveshjes. Kështu tha gjatë një interviste për KosovaPress, kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili shpreson se Albin Kurti të mos “tradhtohet” nga LDK, siç i kishte ndodhur atij në vitin 2016, derisa kërkon heqjen e taksës, meqë bizneset në Preshevë janë dëmtuar.
Kryetari i komunës së Preshevës thotë se ndër vite ka munguar strategjia kombëtare për gjithë shqiptarët në rajon. Për këtë, Shqiprim Arifi po kritikon udhëheqësit e dy vendeve.
“Ato mosmarrëveshje që i kemi në spektrin politik shqiptar në Shqipëri e Kosovë, ato po reflektojnë tani tek ne. Duke u marrë me njëri-tjetrin po na harrojnë neve. E kjo është ajo kritika që unë e kam, spektri politik shqiptar-kosovar duhet të vetëdijësohet, duhet të lë anash ato subjektivitetet e tyre me njëri-tjetrin, duhet të fokusohet në një drejtim të caktuar strategjik kombëtar, dhe duhet pikë së pari të startoj me gjërat shumë të vogla”, tha Arifi.
Sa i përket çështjes së taksës, Arifi për KosovaPress, tha se që nga vendosja e saj ka qenë kundër këtij vendimi, për shkak se ky nuk ka qenë një veprim ekonomik i duhur.
“Heqja e taksës është në të mirën e bizneseve tona në Preshevë. Për arsye se tashmë e kanë mundësinë pasi janë shkëputur më herët, nga vendimi i taksës me u kyç në tregun kosovar, i cili është i vetmi treg për neve në shërbim. Se produktet tona fatkeqësisht nuk plasohen në Serbi, sepse nuk i pranojnë produktet tona të shqiptarëve të Preshevës. Kështu që i vetmi treg për neve është Kosova. Në këtë drejtim çdo gjë e cila e ndihmon të vazhdojë dialogun, dhe na ndihmon neve është e mirëseardhur, është vendim që duhet të marrin tani”, deklaroi Arifi.
E meqë pas heqjes së taksës, partitë në pushtet, LVV e LDK kanë premtuar vendosjen e reciprocitetit, Arifi porosit që ky reciprocitet të shërbej në të mirë të shqiptarëve të luginës. Që të njëjtit të kenë të drejtat e njëjta si serbët në Kosovë.
“Reciprociteti nuk është vetëm me targa të kerreve, reciprociteti është me të drejtat e njeriut. Përderisa unë jam i shkelur në Preshevë, dhe përderisa jam i diskriminuar në Preshevë, nuk është reciprocitet kur e shoh në Kosovë një serb i cili pa kurrfarë vote mundet me i pas vendet e garantuara në parlament, me votën e tij mundet me u ndryshu edhe kushtetuta e vendit, ka ministri të caktuara prej në start, ka drejtori të garantuara. Ne banorët e luginës vetëm ëndërr i shohim ato”, shtoi Arifi.
Derisa vazhdon të përsëris që edhe Presheva të përfaqësohet në tavolinën e bisedimeve me ndërmjetësues Bashkimin Europian, Shqiprim Arifi thotë se kërkesë do të jetë edhe bashkimi me Kosovën.
“Ne duhet të jemi në tryezë patjetër, e dyta është t’i diskutojmë kërkesat maksimale dhe minimale. Kërkesa maksimale e cila bazohet në referendumin e 92-tës është me qenë pjesë e Kosovës, këtë duhet ta diskutojmë, a mundemi, si dhe në çfarë forme…ne kemi diskutuar tri kushtet tona me qenë pjesë e Kosovës, një mos parcializimi i komunës së Preshevës, nuk mund të themi që një komunë apo dy shkojnë me Kosovën, dhe një komunë mbetet këtu, ne nuk duam me parcializu Luginën e Preshevës. Ose shkojmë në tërësi me Republikën e Kosovës, ose m besim në tërësi ku jemi. Nuk duam shkëmbim të territoresh, për çka me dhënë ne veriun e Mitrovicës e cila është e jona, për me marrë diçka në Luginën e Preshevës, e cila është e jona, vetëm administrativisht jemi të ndarë, të dyjat janë tonat”, deklaroi Arifi.
Në rast se nuk do të jenë në tavolinën e bisedimeve, Arifi deklaroi se nuk do të garantohet implementimi i marrëveshjes së nënshkruar.
Ndër të tjera, ai shpreson që qeveria e re e formuar para një muaj, do të ketë parasysh të drejtat e banorëve të Preshevës.
“Presheva është e bukur për në foto, por jo konkrete për në punë…Secili e do Preshevën, por dashuria duhet të materializohet, unë këtë e kam kritikë nuk mjafton vetëm foto të bëjnë, ose me pas ndjenjën. Por, duhet me materializu ndjenjën, derisa nuk materializohet dash uria është një dashuri praktike, është vetëm teorike dhe asgjë tjetër”, u shpreh ai.
“Kur e kemi filluar qeverisjen, unë e kam pasur një partner të njëjtë sikur LDK-ja. PVD-ja e Preshevës është partia e parë politike në Preshevë. LDK është partia e parë në shqiptari. Është interesant ngjarja se edhe unë edhe Albini jemi më të rinj, vonë kemi hyrë në politikë. Kemi hyrë me partinë më të vjetër në spektrin politikë, edhe mua nuk më ka shkuar mirë me ata, për arsye se më kanë tradhtuar koalicionin. Por, shpresoj që Albin Kurtit i shkon mirë me ata, edhe pse kam ato rezervat e mira, por shpresoj që i shkon mirë me ata”, deklaroi ai.
Arifi theksoi se ka dashur të ndihmojë forcimin e strategjisë kombëtare duke propozuar Fondin Kombëtar të Sovranitetit, e po ashtu që të jenë pjesë e takimeve, atëherë edhe kur po mbahen mbledhjet e dy qeverive.
Thotë se marrëveshjet e arritura deri më tani nuk kanë qenë edhe në të mirën e shqiptarëve të Preshevës. Ndërkohë kritikon dy qeveritë, për mos implementimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani. Shqiprim Arifi pret nga Qeveria Kurti që të merren me ta, meqë sipas tij është duke ndodhur një “masakër ekonomiko-sociale”.