ALARMI NGA PRESHEVA/ Strategjia e re e Serbisë: Pasivizimi i SHQIPTARËVE, heshtje nga Tirana dhe Prishtina zyrtare për projektin serb
Flet kryetari i Preshevës Shqiprim Arifi
“Ne ëndërrojmë për Shqipërinë”. E thënë nga kryetari i Komunës së Preshevës, 44 vjeçari novator Shqiprim Arifi, i shkolluar në Gjermani dhe i rikthyer në vendlindjen e tij, qytetin që në rininë e hershme nuk e jetoi, por që kërkon ta ndryshojë tani si kryetar i saj, duket e pabesueshme.
Të krijohet ideja se Shqiprimi duhet të jetë nga ai lloj rrace politikani që tejkalon kufijtë. Por në rastin e shqiptarëve të Luginës, kjo “ide” nuk ka vlerë.
Shqiprimi flet me pasion për të rinjtë e Preshevës, për qytetin që bën kafen më të mirë në gjithë Serbinë, Kosovën a Shqipërinë; aty ku kamarieri nuk është i pashkollë, por një djalë që ka mbaruar shkollën e lartë për juridik a ekonomik dhe nuk di ku të punësohet.
Shqiprim Arifi flet me pasion për “start up”-et e Preshevës, për departamentin e të rinjve që ka ngritur në komunë, për projektet e bashkisë që mbështesin veç të rinjtë, apo edhe për nënat shqiptare që shtojnë brezat e marrin 250 euro bonus për lindje bebi në një vend që Serbia kërkon me domosdoshmëri ta shpopullojë, raporton newsbomb.al.
Shqiprim Arifi flet për të rinjtë që mezi po i mban në komunë, në atë që ai e quan “Social Collapse”, që nuk përfshin vetëm Preshevën, por që këtu ndihet më shumë se ata (shqiptarët e Luginës) janë si të njerkës: nuk e vret mendjen për ta as qeveria e Shqipërisë dhe as ajo e Kosovës.
Shqiprim Arifi flet për Çamërinë e dytë të lënë në harresë. Dhe ka shumë të drejtë. Imagjinoni pak se ç’bën qeveria e Serbisë për serbët e Kosovës. Po, qeveria greke për minoritetin grek në jug të Shqipërisë.
Nëse do të ndalni në Preshevë, do shikoni se është një fëmijë që prindërit e kanë braktisur. Një Luginë që kërkon të ringrihet, por që asnjë biznesmen shqiptar nuk ngre kokë se nuk e lënë autoritetet serbe; asnjë shqiptar i shkolluar në Universitetin e Prishtinës nuk gjen punë; ca më keq ata që shkollohen në Tiranë, sepse që të fillosh punë duhet të marrësh leje nga ministritë serbe dhe këto nuk e japin; një Preshevë e dalë nga lufta, por që efektet e luftës i ndjen akoma; ku nuk ka investime në rrugë e infrastrukturë, por është e mjerë; një Luginë e papastruar sepse nuk ka buxhete; aty ku shqiptarët të presin me bujari, bukë e krypë e zemër, se kohën e vrasin nëpër rrugë; aty ku çdo familje ka nga një emigrant në Zvicër, e që të gjitha lekët e mbledhura vijnë i sjellin sërish për të ndërtuar shtëpi aty, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që të mos ia lënë tokën djerrë e gati, serbit. Aty ku metri katror i ndërtimit shkon deri në 500 e 600 euro, por rroga mesatare është vetëm 200 euro; aty ku drejtuesit e kanë shpresën vetëm te ndërhyrja e ndërkombëtarëve se nuk janë pjesë e bisedimeve as të tryezës së Ramës me Vuçiçin dhe as të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton newsbomb.al.
Alarmi për shpopullimin
“Lugina e Preshevës kanoset nga një shpërngulje e madhe. Shqipëria dhe Kosova na kanë harruar. Kërkoj në mënyrë publike të kujdesen më shumë për Luginën. Të krijohet nga dy qeveritë fondi kombëtar i Solidaritetit, si në rastin e Gjermanisë. Aktualisht, ne kemi një kufi me Kosovën e Maqedoninë, por kemi një kufi virtual edhe me Serbinë. As minishengeni nuk ka ndonjë efekt për ne. Rama, (kryeministri i Shqipërisë) e di shumë mirë; kemi lobuar edhe ballë për ballë, por kur vjen puna te lekët, të gjithë shtrëngohen” thotë gjatë bashkëbisedimit me një grup të zgjeruar të Unionit të Gazetarëve shqiptarë, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.
Por këto edhe mund të kalojnë. Kur përmendet çështja më e ndjeshme për ta, ajo e shqiptarëve në Luginë, këtu ngrihet alarmi, raporton newsbomb.al.
“Ka një qasje të re të qeverisë së Serbisë për pasivizimin e qytetarëve që do të çojë në defaktorizimin e Luginës së Preshevës. E vumë re këtë edhe në zgjedhjet aktuale lokale në Medvegjë. Para zgjedhjeve janë pasivizuar 4000 vetë” ngre alarmin Shqiprim Arifi, duke folur për gazetarët shqiptarë, raporton newsbomb.al.
Po çfarë është pasivizimi i shqiptarëve? Serbia ka nxjerrë në kontrolle nëpër shtëpia ekipe të ndryshme edhe policore, për të parë njerëzit që banojnë në ato banesa. Sic sqaron kryetari shumica e shqiptarëve të Luginës lëvizin, edhe në Kosovë, apo në rajon, nëpër punëra të ndryshme. Ata ikin të djelën në mbrëmje dhe kthehen për fundjavë në shtëpitë e tyre të premten. E pikërisht nga e hëna në të premte, policia serbe shkon bën kontrolle në banesa dhe nuk I gjen personat e regjistruar. Kështu i çrregjistron ata duke i kthyer në pasivë. Për këtë qasje të re të Serbisë, nuk ka asnjë reagim apo nota proteste edhe pse kryetarët shqiptarë të Preshevës e kanë ngritur zërin. Planit ogurzi të Serbisë, nuk i është kushtuar asnjë notë verbale.
“Nuk jam duke u qarë. Jam duke kritikuar dhe jam i dëshpëruar. Mos të lëvizë askush është e pafalshme. Madje edhe pot ë më pyesësh unë vetë jam kundër shkëmbimit të territorëve. Pse të japim diçka që është e jona, dhe të na marrin diçka që është po e jona” thotë bindshëm 44 vjeçari i shkolluar në perëndim.
Dhe të mendosh, në 2014, në vrullin e madh të bërjes bashkë të shqiptarëve, u organizua në Prizren mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive, ajo e Kosovës dhe Shqipërisë. Një ndër vendimet ishte edhe dhënia nga ana e dy qeverive, nga 50 mijë euro (gjithsej 100 mijë euro) për maternitetin e Preshevës.
Edhe sot e kësaj dite, pas 6 vitesh, ato 100 mijë euro nuk janë dhënë akoma…Dëshpëruese. /newsbomb.al/