Rriten shkëmbimet tregtare me Kosovën dhe Gjermaninë

ÇFARË PO NDODH ME SHBA DHE KINËN?

Instituti i Statistikave, INSTAT, ka publikuar një raport mbi tregtinë e jashtme, për periudhën janar 2019-janar 2020.  Nga ky raport sipas të dhënat progresive të eksporteve sipas grupit të mallrave dhe partnerëve kryesorë, rezulton se me Italinë eksportet për periudhën janar 2019 – janar 2020 pësuan rënie, nga 12.182 milionë lekë, në 11.386 mln lekë.

Me Spanjën ka një rritje të konsiderueshme të eksporteve, të cilat nga 1.467 mln lekë në janar 2019, arritën në 2.490 mln lekë në janar 2020, ku vendin kryesor e zuri grupi “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”. Eksportet u rritën gjatë periudhës në fjalë edhe me Kosovën nga 1.089 mln lekë, në 1.583 mln lekë, si dhe me Gjermaninë nga 1.078 mln lekë në 1.465 mln lekë.

I llogaritur në përqindje, bilanci tregtar sipas INSTAT-it në janar 2020 vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të eksporteve, krahasuar me janarin e 2019-ës janë: Spanja (+ 69.7%), Kosova (+45.3%) dhe Gjermania (+35.9%). Ndërsa, vendet me të cilat ka patur një ulje të eksporteve janë: Italia (-6.5%), Kina (-44.7%) dhe Turqia (-30.8%).

Sipas INSTAT nga të dhënat progresive të importeve sipas grupit të mallrave dhe partnerëve kryesorë, importet me Italinë nga 10.113 mln lekë në janar 2019 kanë pësuar një rënie në vlerën e 9.826 mln lekë në janar 2020. Me Greqinë nga 3.625 milionë lekë në janar 2019, kemi rritje të importeve në vlerën 4.342 milionë lekë në janar 2020.

Me Turqinë nga 3.554 mln lekë në janar 2019, në janar 2020 u rritën në 4.322 mln lekë. Ndërsa me Kinën, nga 4.587 mln lekë në janar 2019, u ulën në 4.103 mln lekë në janar 2020.

E shprehur në përqindje, në janar të vitit 2020, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë të importeve, krahasuar me janarin e 2019-ës janë: Greqia (+19.8%), Turqia (+21.6%) dhe Gjermania (+19.2%). Ndërsa vendet me të cilat ka patur një ulje të importeve janë: Italia (-2.8%), Kina (-10.5%) dhe SHBA (-0.7%).

loading...
Back to top button
Close