Kurti: Dialog pa harta dhe presidentë rreth tyre

Albin Kurti e ka bërë të qartë në tryezën e sigurisë në Mynih se kërkon që të marrë në dorë dialogun me Serbinë dhe ta zhveshë këtë dialog nga çfarëdo hamendësimi për ndryshime kufijsh.

Kryeministri i Kosovës është i bindur se marrëveshja nuk vjen pa dialog, por kësaj i vendos dy kushte të tjera. I pari që në këto bisedime nuk do të ketë harta dhe as harta me Presidentë rrotull tyre.

“Duhet ta përgatisim me parime të mira dialogun e ardhshëm në rajonin tonë, në veçanti atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të jenë tre parime në këtë dialog për të shëruar plagët. E para, s’ka marrëveshje pa dialog, e dyta s’ka dialog me harta dhe e treti pa presidentë rreth hartave”, deklaroi Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka falenderuar përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmën e dhënë në çlirimin e Kosovës nga Serbia dy dekada më parë.

Sot, prej tyre kërkon një tjetër ndërhyrje, jo për të çliruar Kosovën, por për të çliruar Serbinë.

“Pothuajse të gjithë prej jush na ndihmuat që 20 vjet më parë Kosova të çlirohet nga Serbia. Tani mendoj se ka ardhur koha që të ndihmohet Serbia për t’u çliruar nga Kosova”, shtoi ai.

loading...
Back to top button
Close