Krijohet “Aleanca për Media Etike”

19 media shqiptare u angazhuan të mërkurën për të ndërtuar një mekanizëm vetërregullues, përmes një bashkëpunimi të quajtur “Aleanca për Media Etike”.

Aleanca për Media Etike është fillimi i një procesi për të ngritur dhe respektuar standartet e etikës në media, ajo është e hapur dhe pritet që të anëtarësohen dhe media të tjera.

Loading...

Të pranishëm në themelimin e Aleancës për Media Etike ishin edhe Ambasadori i BE-së, z. Luigi Soreca, Ambasadorja e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Znj. Guusje Korthals Altes, Adeline Hulin nga UNESCO, Olsi Dekovi nga Zyra e Këshillit të Europës të cilën në fjalën e tyre, shprehën mbështetje të hapur për këtë inisiativë.

Sipas Ambasadorit Soreca, “…inisiativa e sotme vjen në kohën e duhur, ndërsa Parlamenti po pret opinionin e Komisionit të Venecias përpara votimit të të ashtuquajturit ‘paketa antishpifje’. […] ne kemi shprehur shqetësimet tona për inisiativën aktuale të Qeverisë për amendimin e ligjit për shërbimet mediatike. BE-ja ka kërkuar që kjo inisiativë të adresojë rekomandimet e Këshillit të Europës dhe, në përgjithësi, të jetë plotësisht në përputhje me standartet europiane dhe ndërkombëtare në fushën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias. Kjo, ka akoma nevojë për t’u realizuar.”

ABC News, Citizens-Channel.com, Droni.al, Dosja.al, Exit.al, Faktoje.com, Javanews.al, Gazetadita.al, Gazeta-Shqip.com, Lapsi.al, Liberale.al, Mapo.al, Opinion.al, Ora News, ORA TV, Politiko.al, Shqiptarja.com, Syri.net dhe Report TV, kanë rënë dakort së bashku që të respektojnë Kodin e Etikës së Gazetarit dhe të drejtën e autorit.

Brenda muajit shkurt Aleanca do të zgjedhë një Bord të Etikës.

Në faqet e mediave të Aleancës do të mund të vendoset një “buton” me logon e Aleancës i cili verifikon që këto media janë profesionalisht të përkushtuara për etikën dhe përmes të cilit qytetarët mund të ankohen për shkeljet e etikës dhe të kërkojnë zgjidhje.

19 mediat e Aleancës janë të hapura për ankesat dhe janë përkushtuar për të respektuar vendimet e këtij bordi.

Përfaqësuesit që ishin mbedhur në sallë ngritën shqetësimin e ligjit të AMA’s, dhe mundësinë që nëse ai kalon të dublojë punën e Bordit të Etikës.

Ky ligj u konsiderua si një pengesë konkrete për realizimin e vetërregullimit të medias sipas standarteve europiane, madje u shpreh dhe shqetësimi që qeveria shqiptare mund të injorojë dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Gazetarët kërkuan që Aleanca të mos mjaftohet vetëm me ruajtjen e standarteve etike, por dhe të krijojë një bashkësi mediash që të dalin në mbrojtje të fjalës së lirë dhe të drejtave të gazetarëve.

Në mbledhjen e parë të AME u përcaktua 1 Marsi si data kur sistemi i ankesave të bëhet operativ dhe të publikohet në faqet e anëtarëve të Aleancës.

Fjala e ambasadorit Soreca, mbajtur sot me rastin e krijimit të AME mund të lexohet duke klikuar KËTU

Loading...
Back to top button
Close