Komiteti i Rindërtimit/ Marin Mema përplaset me kryeministrin: Përse nuk e heq TVSH-në për materialet e ndërtimit! (VIDEO)

Gazetari Marin Mema ka debatuar sot me kryeminsitrin Edi Rama në mbledhjen e Komitetit të Rindërtimit. Mema është pjesë e fondacioneve që do ndihmojnë në procesin e rindërtimit. Ai kërkoi që procesi i rindërtimit të nisë sa më shpejt.

Por, nga Kryeministri Edi Rama u tha se çdo gjë do bëhej me kohën e duhur dhe siç do vendoset në tryezë.

Loading...

Debati i plotë:

Mema: Ne kemi patur një bisedë me ministrin për krimin e një qendre për sa i takon zonës së Ishmit që sigurisht duke respektuar të gjithë parametrat.

Ajo është një zonë që ka mundësi turistike. Kam dhe një shqetësim tjetër, duke qenë se kemi nisur procesin e rindërtimit të 4 shtëpive, kemi hasur në një problem që është çështja e TVSH, e cila në fakt u deklarua se do të hiqej në mbledhjen e një muaji më parë.

U deklarua se do të hiqej TVSH për materialet e rindërtimit por deri sot ajo nuk është hequr. Ne e kemi këtë problem madhor. Do të duhet që të paktën për 3 javë duhet të dorëzojmë 3 shtëpitë e para, dhe i bie që në 3 shtëpi, shteti të mbajë vlerën e 1 shtëpie vetëm për TVSH.

Rama: Çështjen e TVSH nuk e di, por këtë nisjen përpara nuk e përshëndes, sepse kemi bërë një bisedë të qartë, të gjithë bashkë, këtu në tavolinë, që këtu nuk është çështja kush niset përpara, këtu është çështja që të përfundojmë të gjithë brenda një plani të integruar.

Kjo është dhe arsyeja që kemi dakordësuar frenimin e nisjes përpara.

Mema: Nuk dua të hap debat. Ne nuk kemi nisur si garë ndërtimin e shtëpive, por po përpiqemi të ndihmojmë familjet. Ne kështu e kemi menduar. Për të dhënë në fund të ditës një lloj drite shprese, që rindërtimi është duke filluar.

Rama: Me apo pa leje i keni bërë shtëpitë?

Mema: Të gjitha me leje. Ne nuk do të bënim asnjë ndërtim pa leje, për t’u bërë të jashtëligjshëm, për ne është ligji në radhë të parë.

Rama: Në radhë të parët duhet respektuar kjo tryezë. Çdo ndihmë që vjen për familjet është e mirëpritur që të sistemojmë këto familje. Arsyeja themelore pse kemi kërkuar këtë bashkërendim është që të mos i bëjmë gjërat shpejt sot dhe nesër të paguajnë kosto njerëzit.

Do ishte kollaj të thonim hajde bëjmë ca gjëra, por duam që të gjitha modelet të jenë të strukturuara, me të gjitha parametrat. I gjithë procesi shkon në një drejtim.

Nuk duhet të vazhdojë ky proces në mënyrë individuale. Jemi këtu për një qëllim, duam ta bëjmë sa më shpejt, por shpejtësia ka një limit, pasi pa limit na çon në drejtim tjetër.

Shumë shpejt kjo historia e vënies në diskutim të modeleve do fashitet komplet, sepse bëhet fjalë për standarde shumë më të larta se standardet ekzistuese të godinave.

Nga pikëpamja sizmike, ekologjike, edhe eficencës së energjisë, janë godina të konsoliduara, që përdoren në vendet e zhvilluara. Ajo që na duhet është të fillojmë punën një orë e më parë, që të kapim Marinin.

Mema: Vështirë pak kjo.

Ditën e sotme është mbledhur për herë të 4-t Komiteti Kombëtar i Rindërtimit. Kryeministri Edi Rama kërkoi kohë për përfundimin e procesit, ndërsa ministri i Rindërtimit publikoi shifrat e dëmeve dhe metodologjinë e ndërtimeve të reja./abcnews.al/

Loading...
Back to top button
Close