“Fati” i dekreteve të presidentit

Nga Edison Balla

Thuajse si asnjëherë më parë dhe si askush më parë presidenti Meta gjithë këto kohë, ka qenë në një luftë frontale me qeverinë.

Luftë e cila i ka kaluar ndonjëherë qoftë limitet në rrafsh insitucional, por edhe kompetencat që i janë dhënë në mënyrë kushtetuese insitucioneve. Madje pikërisht për këtë arsye është akuzuar më së shumti gjithë këto kohë Ilir Meta.

Përpos shumë funksioneve e kompetencave që ka kreu i republikës në vendin tonë që janë më shumë simbolike e formale duhet thënë, e vetmja e rëndësishme dhe e “rrezikshme” për qeverinë ka qenë e drejta e dekretimit.

Kjo e drejtë e kreut të shtetit konceptohet në fakt në dy aspekte: së pari si mënyrë për të dekretuar ligjet e ardhura nga parlamenti, dhe së dyti si mënyrë për të nxjerrë e prodhuar ai vetë dekrete. Siç në fakt është e drejta e dekretimit të datës së zgjedhjeve.

Zgjedhjet e kaluara të qershorit për qeverisjen vendore ishin vendosur të zhvilloheshin disa muaj para, dhe madje për këtë kishte edhe një dekret që e konfirmonte datën e tyre.

Por ajo që ndodhi me situatën politike në vend ku palët u acaruan me njëra tjetrën dhe nuk po gjenin asnjë pikë dakordësimi, detyroi edhe presidentin e republikës që të tërhiqte pas dekretin e tij të parë për zhvillimin e datës së zgjedhjeve.

Pra referuar faktit që opozita kishte braktisur në bllok parlamentin duke djegur mandatet, dhe kërcënonte për moslejim e mospjesëmarrje në zgjedhje siç në fakt edhe ndodhi, presidenti u detyrua që të nxirrte një dekret të ri për zhvillimin e zgjedhjeve duke “zhdekretuar” datën e mëparshme.

Si shumë veprime të tjera politike që kishin ndodhur, edhe ky përbënte një precedent për vendin tonë, aq sa juristë e ekspertë gëluan në debatin pro dhe kundër të zhdekretimit.

Për qeverinë ky ishte një veprim “nul” dhe i pavlefshëm ndërsa për opozitën ishte një vendim kushtetues. E për të vendosur për këtë fakt u fut në lojë edhe KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor.

Vendosën që zgjedhjet të mbaheshin, pasi sipas tyre zhdekretimi i datës së zgjedhjeve nuk hynte në rrethin e kompetencave të presidentit.

Problemi ishte që një vendim i presidentit që pretendohet të ketë natyrë kushtetuese është “gjykuar” nga insitucione administrative. Fakt ky që e vë fort në diskutim vendimarrjen. E kjo tymnajë u krijua si pasojë e mungesës së Gjykatës Kushtetuese.

Kur kanë kaluar disa muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve vendore dhe kur debati mbi legjitimitetin e tyre është akoma i pranishëm, duhet thënë që ka një padi të depozituar dhe të pranuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese.

Kjo padi është depozituar nga kryetarja e Bashkisë Shkodër, njëkohësisht edhe kryetare e Shoqatës së Bashkive të Djathta të Shqipërisë.

Kjo do të jetë edhe dosja e parë me të cilën do të nisë punën Gjykata Kushtetuese e cila për momentin ka vetëm 3 antarë dhe akoma nuk ka kuorumin e nevojshëm për gjykim.

Edhe pse në dosje është kërkuar shpallja si të paligjshme të zgjedhjeve të qershorit, duhet thënë që pjesë e saj është edhe vërtetimi i vlefshmërisë së vendimarrjes së presidentit.

Ndaj edhe tashmë “fati” i dekreteve të Metës është në duart e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vendosë më në fund nëse “zhdekretimi” i dekreteve të mëparshme është apo jo një kompetencë që e ka në dorë presidenti.

Gjithashtu ajo do të vërtetojë nëse kjo e drejtë është apo jo kushtetuese, pasi në të kundërt do ti jepet të drejtë KQZ dhe Kolegjit që e kanë gjykuar atë si akt administrativ.

loading...
Back to top button
Close