Duty Free/ Zbulohet shkaku, ja pse dha dorëheqjen zv/ministri i Ekonomisë dhe Financave

Largime nga kabineti i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Pas “lirimit” nga detyra të zv.ministrit Erjon Luçi më 29 janar, sot ka dhënë dorëheqjen edhe kolegu i tij Elton Haxhi. Sipas burimeve të Dosja.al,  zëvendës ministri Haxhi ka dhënë dorëheqjen  me motivacionin se ka arsye personale. Por ndërkohë burimet për Dosja.al sugjerojnë se largimi i Haxhit lidhet me një konflikt që ai ka pasur me ministren e Financave Anila Denaj. Mësohet se dy njerëzit më të rëndësishëm në këtë ministri, nuk kanë pasur mendime të njëjta dhe Haxhi për këtë gjë sot ka dhënë dorëheqjen.

Por pse kanë pasur mendime të ndryshme? Për çfarë? Për rënien që ka pësuar ekonomia shqiptare, për taksat që shtohen apo për ndonjë ‘aferë’ për të cilën Haxhi nuk ka qënë dakord të vendosë firmën e tij? A kanë lidhje dy largimet e njëpasnjëshme me çështjen e “Duty Free ” në aeroportin e Rinasit?

Loading...

Kompania “Albania Duty Free Distribution”, me pronare bashkëshorten e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi ka marrë licensë për ushtrimin e aktivitetit të saj tregëtar brenda ambienteve të aeroportit të Rinasit nga Ministria e Financave. Tre institucionet shtetërore, kompania amerikane ICDF dhe TIA zbërthyen në gjykatë të gjithë skemën dhe manovrat e kompanisë së Elona Çaushi, e cila po mban “peng” dyqanet në aeroport, edhe pse TIA nuk dëshiron që të ketë asnjë marrëdhënie juridike me ADFD-në.

Por si është ngatërruar filli?

Albania Duty Free Distribution është njoftuar në 22 shkurt 2019 se ka humbur tenderin për ambientet Duty Free. Tenderin e ka fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free, e cila ka lidhur edhe kontratën me TIA në 31 korrik 2019, e cila parashikonte marrjen në dorëzim të ambienteve që në 15 shtator 2019. Por edhe pas humbjes së tenderit kompania e Elona Çaushit ka tentuar të negociojë me TIA, për t’i dhënë një ofertë më të mirë.

Përfshirja e ish-zv.ministrit

Në 15 gusht 2019 është bërë aplikimi rinovimin e licencës Duty Free në Aeroportin, ndërsa zëvendësministri i Financave Elton Haxhi e ka firmosur rinovimin një ditë më pas, pra në 16 gusht. Ministria, pasi është informuar se dokumentacioni i ADFD-së nuk ishte i saktë, me kërkesë të TIA, i ka anuluar licencën më datë 30 shtator. Ndërkohë që Çaushi kontrollon dyqanet në Rinas, duke mos lejuar kompaninë amerikane që të zbatojë kontratën.

Gjyqi

Pasi dosja përfundoi në Gjykatën e Administrative të Tiranës, gjyqtari Avni Sejdi vendosi në favor të gruas së Gjin Gjonit, Elona Caushi dhe jo kompanisë amerikane. Dosja u apelua dhe sërish vendimi ishte në favor të gruas së gjyqtarit Gjin Gjoni. Në gjyq përfaqësuesit e Ministrisë së Financave kanë pohuar para gjykatës se kishin vepruar në mirëbesim, pra nuk se nuk e dinin se kompania e gruas së Gjin Gjonit, po fshihte rrethana që diktonin refuzimin e autorizimit dhe prandaj e kishin rikthyer si pronare të dyqaneve.

Ndërhyrja e Amerikës

Që prej korrikut të vitit të Pronarja vendosi të ndiqte rrugën ligjore duke iu drejtuar Gjykatës së Tiranës, por kjo e fundit e pushoi dosjen. E sapoardhur në Shqipëri, për çështjen ka reaguar edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila i tha Zërit të Amerikës se çështja gjyqësore lidhur me administrimin e e zonës së dyqaneve “Duty Free” në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, e cila po mban pezull fillimin e aktivitetit të kompanisë amerikane International Cruise Duty Free, ICDF, e shpallur fituese e garës së hapur nga aeroporti. Sipas saj, kjo është një “provë” për mjedisin e biznesit dhe aftësinë e Shqipërisë për të tërhequr dhe mbrojtur investimet e huaja.

Ndërsa Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço shprehet se vendimi i gjykatës pro gruas së Gjin Gjonit duke rrëzuar kompaninë amerikane është një mesazh negativ për investitorët duke paralajmëruar se çështja do të dërgohet në arbitrazh.

Denaj pro Amerikës

Ministria e Financave tha se vendimi i Gjykatës Administrative tregoi se forcimi i shtetit të së drejtës mbetet prioritet për qeverinë shqiptare, në përfitim të qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë dhe të huaj.  Kështu ministrja Denaj pozicionohet qartë me palën amerikane duke bërë që të lindin kundërshtitë edhe mes stafit të saj. Kundërshti që përfunduan me “lirimin” e tyre nga detyra.

Loading...
Back to top button
Close