BSH: Ekonomia do të ngadalësohet në 2020-ën, turizmi më i prekuri

Turizmi është sektori që do të ndjejë më shumë pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Guvernatori i Shqipërisë Gent Sejko, në raportin periodik të Politikës Monetare sqaron se për shkak të efekteve në afatshkurtër që do të japin dëmtimet nga tërmeti i 26 nëntorit në sektorët e prodhimit, veçanërisht në atë të turizmit, ekonomia do të ngadalësohet këtë vit.

Sipas tij, nëse efektet negative do të transferohen edhe përtej 2020-ës, Banka e Shqipërisë do të ndërhyjë duke ulur mandej normën bazë të interesit.

Gent Sejko, Guvernator i BSH-së

“Analiza e të dhënave paraprake sugjeron se tërmeti i datës 26 nëntor pati një ndikim negativ në ritmin e rritjes ekonomike.

Ky ndikim pritet të mbartet edhe gjatë vitit 2020. Dëmtimi i ambienteve të biznesit, rritja e pasigurisë dhe riorientimi i shpenzimeve drejt riparimit të dëmeve, pritet të materializohen në ngadalësim të prodhimit në disa sektorë, përfshi dhe turizmin.

Nga ana tjetër, procesi i rindërtimit pritet të japë një efekt pozitiv në rritje, por ky efekt do të jetë më i vonë në kohë krahasuar me atë të goditjeve negative dhe as mjaftueshmërisht i fortë sa të kompensojë efektet e tyre”- citon Sejko.

Sipas tij, rritja ekonomike dhe inflacioni mesatar i këtij viti pritet të jenë në nivele të krahasueshme me ato gjatë vitit 2019. Nga ana tjetër, sqaron Guvernatori, tejkalimi i pasojave të tërmetit pritet t’i hapë rrugë një rritjeje më të shpejtë të ekonomisë dhe të inflacionit në periudhën pasuese.

Projeksioni bazë i BSH-së është me ulje për 2020, por mbetet i njëjtë për vitet 2021 e në vazhdim. Këto parashikime, citon Sejko, kanë një dozë të shtuar pasigurie, e cila lidhet në masën më të madhe me pamundësinë e parashikimit të saktë të ndikimit të tërmetit në rritjen ekonomike.

Por ai shpjegon se, tërmeti nuk ka dëmtuar bazat afatmesme dhe afatgjata të rritjes e zhvillimit të vendit.

Guvernatori thotë se, riparimi i dëmeve dhe normalizimi i situatës do të ndihmojë në rigjenerimin e kapaciteteve prodhuese dhe zgjerimin më të shpejtë të kërkesës agregate në vitin 2021, e në vazhdim.

Rritja e punësimit dhe e pagave, thotë ai, do të mbështesë zgjerimin e konsumit familjar, rritja e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve do të rrisë kërkesën për investime, ndërsa eksportet shqiptare do të vijojnë të përfitojnë nga zgjerimi i sektorit të turizmit.
Përmbushja e objektivit të inlflacionit shpjegon Guvernatori, do të kërkojë ruajtjen e stimulit të politikës monetare në afatmesëm. Rreziqet mbeten thotë ai.

Këto rreziqe burojnë si nga ambienti i jashtëm, ku përmirësimi i ekonomisë së Eurozonës mbetet ende i brishtë, ashtu dhe nga ai i brendshëm. Në veçanti, rreziqet potenciale me ndikim të mundshëm negativ janë: një intensitet më i fortë i efekteve negative të tërmetit në ecurinë e ekonomisë përgjatë vitit 2020 e në vazhdim. Ky skenar mund të materializohet nëse efektet psikologjike të tërmetit tejkalojnë ndikimin e tij material në ekonomi.

Vonesa kohore në programin e rindërtimit, apo një mbështetje më e madhe e tij në burimet e brendshme të financimit. Adresimi i këtyre rreziqeve mbetet në dorë të qeverisjes qendrore dhe vendore, por nëse ky skenar ndodh, sipas guvernatorit do të ketë një rishikim të stimulit monetar. Banka e Shqipërisë thekson nevojën e përshpejtimit të mëtejshëm të reformave strukturore, si instrumenti kryesor për gjenerimin e një rritjeje ekonomike të shpejtë, të qëndrueshme dhe afatgjatë, si dhe nevojën e ruajtjes së fokusit të politikave ekonomike drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë afatgjatë të vendit.

loading...
Back to top button
Close