Turizmi optimist për 2020, por me doza të moderuara për shkak të tërmetit

Turizmi pritet të ndjejë efektet e tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit por turoperatorët mbeten optimistë se sërish shifrat do të jenë pozitive.

Gjithsesi dozat e tyre të optimizmit janë të moderuara dhe nënvizojnë se që të arrihet ky rezultat duhet të punohet shumë me imazhin e Shqipërisë, të çohen në fund reformat e lëna zvarrë në sektor si dhe të merren masa konkrete në terren për të larguar gjurmët e ngjarjes fatkeqe.

Loading...

Tërmeti i 26 nëntorit me epiqendër Durrësin, që vitet e fundit ka qenë zona me zhvillimin më dinamik të turizmit të organizuar, nuk pritet të kalojë pa efekt gjatë këtij viti. Operatorët turistikë shprehen optimistë pasi ende sezoni veror është larg por nuk mohojnë se tërmeti do të ketë ndikim të përgjithshëm tek ecuria e sektorit në përgjithësi.

Të njëjtët raportuan se në ditët më të mira të shitjeve që janë ato që njihen si uljet e Black Friday (e premte e zezë) operatorët e huaj që bashkëpunojnë me palën shqiptare patën më pak rezervime sesa kanë pasur tradicionalisht në të njëjtën kohë.

Pavarësisht kësaj operatorët e tregut e shohin me optimizëm edhe pse në doza të moderuara të ardhmen në vitin 2020 pasi sipas tyre ka kohë për rikuperim të imazhit si dhe për ndërhyrje reale në terren.

Kasa: Jemi optimistë, turizmi i organizuar po rritje përtej Golemit

Deri në fund të dhjetorit dhomat e shitura që janë nën kontrata me garanci ishte rreth 40 për qind. Frenimi i ditëve të post-tërmetit për rezervime u pasua me një lloj kthimi në normalitet në ecurinë e tyre të zakonshme.

Rrahman Kasa menaxher pranë Happy Tours tha për Monitor se vitin 2020 e parashikon si një vit të mirë për turizmin, pavarësisht fatkeqësisë së tërmetit, ndërkohë që theksoi se duhet të merren masa për të përmirësuar ato aspekte që janë kërkuar vazhdimisht nga operatorët turistikë.

“Nuk besoj se do të ketë ndonjë ndikim sa i takon numrave apo shitjeve në vitin 2020 sepse jemi ende herët. Të gjithë hotelet që ne kemi kontraktuar për operatorët e huaj nuk kanë pasur dëmtime. Dëmtime të lehta, plasaritje apo suvatim edhe mund të ketë por në struktura s’ka pasur probleme. Janë gjëra pa problem”, shprehet Kasa.

Sipas tij edhe përgjatë këtij viti tregu polak pritet të ketë sërish dominimin ndërsa nuk do të mungojnë edhe tregjet e reja apo operatorët që duan të testojnë për herë të parë Shqipërinë.

“Tregu polak është ai që ka numrin më të madh të turistëve në Shqipëri sa i takon turizmit të organizuar më pas vijnë nordikët. Ndoshta mund të jetë tregu gjerman që ka filluar të ketë rritje, ai çek dhe më pas vijnë tregjet e tjera. Tregu anglez, po interesohet po nxjerr disa statistika dhe po shpresojmë që në vitin 2021 ta fusim në Shqipëri përmes një kompanie shumë serioze. Nga tregu i Lindjes aktualisht kemi atë izraelit i cili vjen për pushime dhe ture të kombinuara. Më pas kemi dhe për ture kulturore tregun japonez, korean dhe Singapor Tajvan. Një treg miks nga vendet e zhvilluara dhe shpresojmë që të fusim dhe tregun kinez por gjithmonë në ture kulturore dhe me paketa rajonale. Ata bëjnë rezervime për paketa dy javore dhe vizitojnë disa vende ku përfshihet dhe Shqipëria”, tha Kasa.

E ndërsa Durrësi prej vitesh është zona me shkëlqimin më të madh të sektorit për shkak të kushteve që ofron që lidhet së pari me strukturat masive akomoduese dhe së dyti me afërsinë me aeroportin, këtë vit edhe zona të tjera në vend pritet të kenë një lloj rritje të turizmit masiv. Gjithsesi kjo rritje kufizohet nga mungesa e strukturave akomoduese me kapacitet të lartë.

“Turizmi i organizuar është në Durrës pjesa më e madhe por jo se nuk kemi turizëm të organizuar në pjesën tjetër. Saranda ka dhe është destinacioni i dytë. Ka filluar dhe Vlora dhe këtë vit do të ketë rritje. E ka penalizuar për këtë gjë ajo pjesa e transfertës, distanca nga aeroporti dhe mungesa e Bypassit të autostradës. Në vitin 2019 u hap në një korsi dhe presim që deri në verë të hapet dhe pjesa tjetër, e cila e afron distancën dhe si rezultat i kësaj kemi dhe shtesë numri., jo në numrat që duhet të ketë Vlora. Rritja këtë vit do të jetë 10 për qind sepse dhe disa struktura të reja akomoduese po bëhen”, nënvizon ai.

Hotelet: Duhet të punojmë me imazhin, tërmeti besojmë do ketë ndikim

Strukturat e hotelerisë në zonën e Durrësit nuk mendojnë se tërmeti i 26 nëntorit do të kalojë pa asnjë efekt në sezonin turistik 2020.

Ariol Haxhillari Menaxher i Përgjithshëm në FAFA Groups Hotels konfirmon se efektin e parë tërmeti e dha në rezervimet e fundvitit të 2019-ës ndërkohë që situata në vijim mbetet për t’u parë.

“Besoj që do të ketë ndonjë rënie të vogël si efekt i tërmetit të 26 nëntorit pavarësisht se strukturat e hotelerisë janë të forta dhe ky tashmë është fakt. Të gjitha agjencitë që ne kemi bashkëpunim për turizmin e organizuar nordikë, polakë apo edhe të tjerë janë interesuar për gjendjen”, shprehet Haxhillari.

Nga ana tjetër përfaqësues të këtyre strukturave shprehen se duhet të ketë një angazhim më të madh për të bërë publicitet pozitiv të Shqipërisë në një përpjekje për të riukuperuar imazhin. Blerim Norja Drejtor i Përgjithshëm i Royal Hotel shprehet se këtu ka vend për bashkëpunimin e të gjithë aktorëve.

“Nuk është e këndshme që të jepen përditë pamje të godinave të shkatërruara që përçojnë deri diku në ndjesi negative. Ndoshta duhet të ketë një qasje të re tani që ka kaluar kjo valë e parë e situatës për të promovuar Shqipërinë turistike pasi dhe për të huajt kjo pjesë ngjall edhe interes, në këtë formë i shërbejmë edhe ekonomisë”, shprehet Norja.

Ai parashikon që viti 2020 të jetë një vit i mirë dhe vazhdim i vitit të kaluar që konsiderohet pozitiv.

“Në eksperiencën time 15 vjeçare viti 2019 ishte viti më i mirë i turizmit në disa tipare që ka shfaqur që lidhen sidomos me zgjatjen e sezonit dhe rezervimet e hoteleve”, nënvizon Norja.

Viti 2020 sfidë për sektorin, Topuzi: Masat që duhen marrë

Shqipërisë i duhet që të reagojë menjëherë për të përmirësuar imazhin e sektorit të turizmit duke vijuar reformat që duhet të ishin mbyllur me kohë.

Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit shprehet se viti aktual është një vit sfide dhe nënvizon se janë disa aspekte që kanë nevojë për vëmendje.

“Këtë vit e konsideroj si vit sfide. Vendit i duhet të përmirësojë imazhin, standardet dhe të jetë me këmbë në tokë për të mos përsëritur gabimet e viteve të kaluara. Përpjekjet e para filluan me procesin e kategorizimit të njësive akomoduese , proces që sipas njoftimeve duhet të përfundonte në fund të 2019 dhe për të filluar fazën e klasifikimit me yje, proces që ka hyrë në fazë emergjente dhe domosdoshmërie, sot në një treg rajonal me standarde elitare.

Përfundimi i autostradës Prishtinë –Shkup dhe sinjali i heqjes se vizave në Kosovë, do të sjellë për 2020 një rikompozim të tregut turistik rajonal duke rrezikuar seriozisht të largojë, turistët e grupit të synuar me të ardhura mbi mesataren nga tregu shqiptar”, shprehet ai.

Lidhur me tërmetin dhe pasojat e tij Topuzi thekson se fakti që strukturat i rezistuan dhe mbi të gjitha u kthyen në strehë për të prekurit transmeton një lloj sigurie.

“Shqipëria shitet si një destinacion, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit. Ndikimi kryesor është cenuar në imazh, si vend i pa sigurt dhe me ndërtime të pa certifikuara. Këtu ndikon dukshëm mungesa e klasifikimit me yje i njësive akomoduese, si i vetmi vend në Evropë, ku nuk ka nisur akoma procesi. Fakti pozitiv është se nuk pati dëmtime konstruktive dhe viktima në njësitë akomoduese. Ato i rezistuan efektit shkatërrues dhe dhanë një garanci për të ardhmen. Mos harrojmë që tërmete të tillë (me magnitudë dhe më të ulët )në Itali apo Turqi, kanë shkaktuar dëme dhe viktima të konsiderueshme. Tërmeti goditi territorin nga Durrësi deri në Lezhë, aty ku është potenciali kryesor turistik i vendit. Kthimi i hoteleve dhe resorteve me 4-5 yje të këtyre zonave në strehuesit e të prekurve nga tërmeti ( rreth 7000 vetë) indirekt, iu konsolidoi sigurinë dhe dha një imazh pozitiv”, nënvizon ai.

Monitor

Loading...
Back to top button
Close