Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë/ Meta kujton festën që i’u pre në mes: Mbusha 30-vjeç atë ditë, por nuk e festova dot

Në fjalën përshëndetëse në Akademinë Solemne “Faleminderit Shqipëri”, të organizuar nga Ipeshkvia e Dioqezës Prizren-Prishtinë, Presidenti Ilir Meta, kujtoi eksodin masiv të shqiptarëve nga Kosova 20 vite më parë, nga genocidi i serb.

Meta kujtoi 24 marsin, ditë kur nisi ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, e cila përkonte edhe me 30-vjetorin e lindjes.

Loading...

Sipas tij, Kosova u sakrifikua padrejtësisht, por Zoti është i madh e besimi s’duhet humbur asnjëherë, duke thënë se viti 1999 ishte një vit i jashtëzakonshëm në historinë e Ballkanit por sidomos për kombin tonë.

“Edhe pse 24 marsi është ditë e jashtëzakonsheme, për mua është ditë e veçantë, kisha 30 vjetorin por s’pata mundësinë ta festoja për shkak se për mua e çdo shqiptar nisi ndërhyrja e NATO për ti dhënë fund genocidit e barbarisë në Kosovë. Kishte nisur një dhimbje e vështirë që do zgjaste për muaj deri në çlirimin e Kosovës, një dhimbje e përgjakshme me vuajtje pafund”, u shpreh Meta.

Ai shtoi se falë Zotit dhe mbi të gjitha falë atij mobilizimi të virtyteve më të mira të kombit tonë e solidaritetit të treguar nga të gjithë shqiptarët e thjeshtë në Shqipëri e kudo tjetër u arrit që të kalohej me një sukses të jashtëzakonshëm atë që ndodh shumë rrallë në historinë e një kombi.

“Falenderime për kryeministrin e asaj kohe zotin Majko, presidentin Meidani, për gjithë forcat politike edhe pse vinin nga një ndarje e thellë e ’96-’97 të gjithë u bënë një trup i tërë për të përballuar atë eksod biblik e për të mirëpritur vëllezër e motra nga Kosova. Shqipëria e kishte për detyrë të përballonte atë krizë të jashtëzakonshme humanitare që erdhi nga Kosova për shkak të genocidit të Milloshevicit”, tha kreu i shtetit.

Ai kujtoi se kriza u përballua falë angazhimit të çdo shqiptari të thjeshtë dhe vecanerisht solidaritet heroik të popullit të Kukësit.

Por ai tha se sot nuk jemi dhe aq të lumtur sa do donim.

“Duhet të jemi më të vëmendshëm për të ardhmen e të shohim çfarë duhet bërë më mirë që të mos vëmë në lëvizje virtytet tona më të mira vetëm në kohë krizash por të punojmë cdo ditë që të evitojmë krizat dhe vështirësitë që i drejtojmë veten. Pothuajse e kemi harruar si ishte rruga mes Shqipërisë e Kosovës 20 vite më parë, ata që bënin rrugën nga Kukësi në Tiranë e kanë të qartë cfarë ndryshimi historik ka ndodhur falë rrugës së Kombit, që duhet shfrytëzuar më mirë”, deklaroi kreu i shtetit.

Ai kërkoi që të punohet për të mbajtur të rinjtë në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në këtë rajon, duke e cilësuar si sfidën më të madhe.

Loading...
Back to top button
Close