Do jetë një vit i vështirë!

Nga Ornela Liperi

 

Loading...

Me forcat e veta, ekonomia ia ka dalë të ecë deri tani, çalë e çalë. Por, zhvillimi I paqëndrueshëm dhe rastësor po e ezauron atë nga dita në ditë. Si asnjëherë tjetër, këtë vit, përfaqësues të bizneseve e sektorëve kryesorë në vend, shprehen shumë pesimistë në pritshmërinë për këtë vit, me pak përjashtime pozitive.

Projektet e mëdha të gazsjellësit TAP dhe hidrocentraleve mbi lumin Devoll, që llogariten në rreth 2 miliardë euro dhe mbajtën në këmbë investimet e huaja, po mbarojnë. Investimet e tjera tw huaja po mungojnë, të stepura nga ambienti i vështirë për të bërë biznes dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Emigrimi po gërryen gjithnjë e më shumë fuqinë punëtore dhe po i detyron bizneset të rrisin pagat, pa shtuar produktivitetin, çka në afat të gjatë do të ndikojë në uljen e konkurrueshmërisë dhe frenimin e investimeve.

Tendenca për emigrim, të paktën në afatin e shkurtër pritet të vazhdojë. Ajo do të nxitet më tej nga lehtësimi i politikave migratore të vendeve të zhvilluara, sidomos Gjermanisë, që po kompensojnë në këtë mënyrë plakjen e tyre të popullsisë, duke ia “transferuar” këtë problem shteteve në zhvillim.

Krahas efektit tek sipërmarrjet, emigrimi ka filluar të japë pasojat edhe në konsum. Banka e Shqipërisë raportoi në vrojtimin e fundit të konsumatorëve se ata prisnin përkeqësim të gjendjes së tyre financiare dhe nuk parashikonin të bënin blerje të mëdha. Inflacioni mesatar vjetor për 2019-n ishte vetëm 1.4%, shumë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3% dhe më i ulëti që nga viti 2000.

Turizmi, sektori me ecuri më të mirë përgjatë tre viteve të fundit, ka amortizuar deri diku rënien e konsumit nga ngadalësimi i ekonomisë. Shqipëria ka parë rritje të fortë të numrit të hyrjeve të të huajve, që vijoi edhe në 2019-n, ndonëse me ritme të ngadalësuara në raport me 2018-n, që cilësohet dhe viti më i mirë.

Por, në 2020-n, krahas problemeve të vjetra si infrastruktura, operatorët presin që të ndikohen nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Rritja e turizmit nxiti dhe një sërë investimesh në këtë sektor.

Krahas turizmit, ndërtimet rezidenciale, kryesisht në kryeqytet kanë thithur kapitalet e lira, që kishin sipërmarrësit. Vetëm në kryeqytet, në tre vitet e fundit janë investuar më shumë se 400 milionë euro në vit, sipas të dhënave indirekte nga të ardhurat e raportuara nga Bashkia e Tiranës.

Normat e larta dhe kthimi i shpejtë i parasë së investuar ishin arsyet që nxitën këtë rendje pas ndërtimit, që u favorizua dhe nga hyrja e parave informale, si në kahun e blerësve ashtu dhe shitësve.

Por, ky sektor, përveçse i jep shumë pak vlerë të shtuar ekonomisë (efekti i tij në rritje në dy vitet e fundit ka qenë i papërfillshëm) nuk mund të vazhdojë pa fund.

“Konsumatori do të jetë shumë më i kujdesshëm në blerjen e apartamenteve dhe kërkesa për to do të orientohet drejt banesave më cilësore, rrjedhimisht më të shtrenjta,  lejet e ndërtimit do të jenë më të vështira, pra nuk pritet vazhdim për një kohë të gjatë i bumit të ndërtimit”, thotë Arfi Shkalla, drejtor financiar i Kurum, kompanisë së prodhimit të çelikut, që është e lidhur direkt me sektorin e ndërtimit.

Nuk ndihmon as ambienti i jashtëm, ai global apo europian. Ekonomia europiane pritet të rimëkëmbet shumë ngadalë në 2020-n, sipas parashikimeve të Komisionit Europian, me 1.2%  nga 1.1% vitin e mëparshëm. Për fatin tonë të keq, Italia, partneri ynë kryesor, ku çojmë gati 50% të eksporteve pritet të ketë këtë vit normën më të ulët të rritjes në të gjithë Bashkimin Europian, me vetëm 0.4%.

“Ekonomia e Italisë ka qenë kryesisht në stanjacion që nga fillimi i vitit 2018. Dobësitë në sektorin e prodhimit po fillojnë të përhapen edhe në atë të shërbimeve”, referon Komisioni Europian.

Tërmeti mes dy kontrastesh

Tërmeti nxori zbuluar në 1 minutë gjithçka që ishte bërë gabim në 30 vjet, si një nevojë për një reflektim të thellë për atë që duhet bërë në 30 vitet e ardhshme

Ekonomia pritet të ndikohet negativisht nga tërmeti nga njëra anë, por në kahun tjetër procesi i rindërtimit mund t’i japë nxitje sektorit të ndërtimit dhe të hedhë likuiditet në qarkullim.

Fondi Monetar Ndërkombëtar  pret që efektet e tërmetit të jenë afatshkurta dhe të ndihen më shumë në turizëm.

“Ne presim që tërmeti të mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në ekonomi në 2020-n, por jo për rritjen në afatin e mesëm”, thotë Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Jan Kees Martijn.

“Duke pasur parasysh, që përpjekjet e rindërtimit do të prodhojnë mjete dhe mundësi më të mira dhe më të sigurta për bizneset dhe familjarët dhe se burimet që do të angazhohen në këtë proces do të përdoren në mënyrë eficiente, Shqipëria mund të përjetojë disa përfitime afatshkurtra dhe afatmesme sa i përket rritjes, pohon Znj. Maryam Salim, Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri.

Edhe Banka e Shqipërisë ndan të njëjtin mendim.

Optimistë janë dhe ndërtuesit.  Ata shpresojnw se rindërtimi sjell rritje ekonomike, sepse do hyjnë më shumë para në ekonomi, do të paguhen më shume taksa dhe do të punësohen më shumë njerëz. 200 milionë euro të alokuara tashmë nga qeveria shqiptare dhe fonde të tjera të pritshme nga donatorët i bëjnë optimistë ndërtuesit.

Në procesin e rindërtimit mund të tërhiqen një pjesë e shqiptarëve që sot shkojnë për të punuar në Mal të Zi në ndërtimin e rrugëve, të cilët vlerësohen se janë rreth 2,500. Kjo mund të sjellë dhe një rritje pagash., ndonëse jo në nivelin që sot ofron Mali i Zi. Në Mal të Zi ata paguhen 30 euro në ditë, ose 30% më shumë se në Shqipëri.

Por, përtej këtij optimizmi, pak i matshëm është efekti psikologjik që tërmeti do të japë në sjelljen konsumatore, sidomos tek të prekurit, që të paktën deri tani nuk është se kanë arritur të shohin dritë jeshile se çfarë do të bëhet me ta, çka mund t’i nxisë të largohen përgjithmonë nga vendi.

Efektet negative të traumave psikologjike mund të ndihen minimalisht në rreth 6 muaj. Kjo pasojë indirekte e tërmetit në vendin tonë ka nevojë të studiohet.

Nga do të vijë rritja?

Shërbimet janë sektori që gjenerojnë pjesën më të madhe të prodhimit të brendshëm bruto në ekonomi. Sipas të dhënave paraprake të INSTAT, tregtia, transporti dhe akomodimi ushqimor dhe shërbimet e tjera, përbënin 37% të prodhimit të brendshëm bruto për 9 mujorin 2019. Ky sektor, që udhëhoqi rritjen vitin e kaluar, pritet më modest këtë vit, për shkak të pritshmërive për një ngadalësim të turizmit dhe efekteve të emigrimit në konsum.

Bujqësia vijon të ketë kontribut të rëndësishëm me rreth 19% të PBB-së. Sektori prej vitesh vuan fragmentimin e tokës, konkurrueshmërinë e ulët, mungesën e ekonomisë së shkallës. Sot Shqipëria ndodhet përballë paradoksit, ku gati 20% e prodhimit të brendshëm bruto e zë bujqësia, ndërsa industria përpunuese sjell më pak se 1%.

Ndryshe kanë vepruar fqinjët, që kanë më pak bujqësi, por një zhvillim shumë të lartë të industrisë përpunuese. Serbia psh, gjeneron nga bujqësia 6% të PBB-së dhe nga industria përpunuese arrin të prodhojë sa 3.6% e prodhimit të brendshëm bruto. Konkurrenca e Serbisë po ndihet fort së fundmi, fillimisht në industrinë e miellit dhe së fundit në atë të përpunimit të qumështit, ku prodhuesit shqiptare po e marrin lëndën e parë nga Serbia, pasi është më e lirë.

Eksportet 

Për 11 mujorin 2019, eksportet ranë me 4%, tkurrja më e lartë që nga 2015-a. Të tre grupet kryesore  “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”, që përbëjnë 71% të totalit të eksporteve, kishin tendencë negative.

Tekstilet dhe këpucët zënë 40% të eksporteve totale, të dobësuara prej dy vitesh nga nënçmimi i euros. Sipas parashikimeve sektori fason vitin që vjen do të performojnë me rënie dhe falimente për kompani të vogla dhe te mesme.

As eksportuesit e mineraleve nuk janë optimistë, për shkak të konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare. Prodhuesi më i madh i naftës në vend, Bankers Petroleum, dhe eksportuesi i dytë më i madh në vend, nuk pret që të investojë në hapjen e puseve të paktën në gjashtë muajt e parë të vitit. Vetëm nëse çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare arrijnë në 90-100 dollarë për fuçi, atëherë mund të konsiderojnë një kthesë në investime.

Kurum, eksportuesi më i madh në vend në 2018-n, nuk është shumë optimist për tregjet e eksporteve, sidomos në Kosovë e Maqedoni, për shkak të konflikteve politike në këto dy shtete. Më pozitivë janë eksportuesit e çimentos që presin një rritje të qëndrueshme.

Sektori që po ecën më mirë është ai industrisë automotive, që është rritur ndjeshëm së fundmi dhe po tërheq investime të reja. Eksportet e këtij grupi kishin performancën më të mirë në 2019-n, me një zgjerim prej gati 20% me bazë vjetore. Por, ky grup ka një peshë të ulët në totalin e eksporteve, me 7%.

Banka Botërore është e shqetësuar për performancën fiskale të qeverisë. Përfaqësuesja e saj, Salim, thotë se të ardhurat mund të jenë më të ulëta, ndërsa qeveria do të detyrohet të kryejë shpenzime dhe për shkak të rindërtimit pas tërmetit.

Ecuria e të ardhurave buxhetore për 11 mujorin nuk ishte shumë optimiste. TVSH-ja e brendshme një tregues direkt i konsumit në ekonomi ra me ritme dy shifrore, e ndikuar nga përjashtimi nga TVSH i nënkontraktorëve të TAP, por duke treguar se sa e varur ishte ekonomia e vogël vendase nga ky projekt madhor.

Buxheti 2020 u hartua mbi pritshmëritë e 2019-s, kur realiteti pritet të jetë të paktën rreth 120 milionë euro më pak, duke e zhbërë atë që në nisje.

Koncesionet po e gërryejnë ndërkohë buxhetin, me pagesat që pritet të arrijnë 15 miliardë lekë, ose 17% e shpenzimeve kapitale. Po rezulton se në pjesën më të madhe ato janë të keq hartuara, me kosto që rriten vazhdimisht dhe mundësi të pakta rinegocimi, ndërsa riskun financiar e mban shteti, pra taksapaguesi.

Sektori bankar i vakët

Sektori bankar do të jetë në linjë me zhvillimet e ekonomisë. Bankierët nuk presin që të ketë rritje të lartë të kredive nga konsumatorët, për shkak të fenomenit të emigracionit. Individët, që kanë në plan të ikin, janë të tërhequr nga blerjet e mëdha dhe kjo pritet të ndikojë në kërkesën për hua. Turizmi ka qenë një sektor, që ka orientuar ekonominë dhe ka rritur kërkesën për kredi, po ai do të varet nga ecuria e pas tërmetit. Bankat kanë qëndruar larg dhe nga ndërtimi, për shkak të riskut të lartë të tij në të kaluarën dhe frikës për një flluskë në të ardhmen. Në bujqësi bankat nuk preferojnë të hyjnë për shkak të riskut të lartë të saj. Energjia, që ka tërhequr financime vitet e fundit, po shkon drejt ezaurimit.

Projektet e infrastrukturës  po realizohen kryesisht përmes partneriteteve publike private, por edhe ato vështirë të tërheqin financime të mëdha për shkak të bilanceve jo shumë të mira të kompanive të përfshira në to (kujtojmë rastin e koncesionarit të Milot-Balldre që nuk po arrin të sigurojë financim, duke rrezikuar dështimin e projektit).

Me shumë sektorë të ekonomisë që duket se i kanë ngadalësuar motorët, karburanti mund të vijë vetëm nga politikat nxitëse të qeverisë për të zhvilluar një ekonomi konkurruese dhe për të tërhequr investime afatgjata.

Si asnjëherë tjetër, drejtuesit e institucioneve ndërkombëtare, por edhe atyre vendase e vunë theksin tek ky fakt.

Shefi i Misionit per Shqiperine Jan Kees Martijn rekomandon që Shqipëria ka nevojë për reforma ambicioze ekonomike për të përshpejtuar rritjen në afatin e mesëm. Rritja më e lartë është e nevojshme për të përmirësuar standardet e jetesës dhe për të reduktuar incentivat që njerëzit të emigrojnë në vende të tjera të Europës.

Znj. Maryam Salim, Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, thotë se është e nevojshme të ketë një klimë biznesi miqësore dhe një mjedis ligjor të parashikueshëm, që do të nxiste vendimet për investime afat-gjata.

Edhe Banka e Shqipërisë mendon se vendi ka nevojë për një strukturë ekonomike më të diversifikuar dhe më konkurruese. Ky objektiv nënkupton përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, zgjerimin e tregjeve dhe nxitjen e promovimin e konkurrencës në to, rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e administrimit të bizneseve, si dhe zgjerimin dhe rritjen e efektivitetit të tregjeve financiare.

Mungesa e standardeve të qeverisjes, mungesa e llogaridhënies dhe transparencës, përgjegjshmëria në nivele të ulëta e institucioneve publike, kanë dëmtuar rëndë besimin tek klasa politike dhe veçanërisht tek rinia që po vazhdon të braktisë vendin, në kërkim të një shprese më të mirë jashtë vendit.

****

Me shkurtime nga Monitor

Loading...
Back to top button
Close