Kosova si Shqipëria, e braktisën 30 mijë qytetarë në një vit

Kosova po braktiset nga viti në vit. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2018, nga Kosova janë larguar rreth 30 mijë persona. Arsyet kryesore që i kanë shtyrë ata ta marrin rrugën jashtë vendit po del të jenë bashkimi familjar, gjetja e një vendi pune dhe studimet. Ikje masive po parashihet të ketë edhe nga muaji mars, kur edhe hynë në fuqi. Ligji i ri i miratuar në Gjermani rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar.

Numri i qytetarëve të Kosovës  që po e braktisin vendin e tyre nuk ka shënuar rënie. Madje, krahasuar me vitin 2017 pothuajse është trefishuar.

Loading...

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të përmbledhura në raportin “Vlerësimi i popullsisë 2018”, rreth 30 mijë persona e kanë braktisur vendin gjatë vitit 2018.

“Numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2018 është vlerësuar të jetë gjithsej 28,164 banorë, përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”.

Në raport theksohet se pjesa më e madhe e atyre që u larguan nga Kosova për vitin 2018 ishin emigrantë legalë, derisa arsyet kryesore të largimit ishin bashkimi familjar dhe punësimi.

Emigrimi legal ishte për shkak të: bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme (kryesisht në shtete fqinje), studime afatgjata me punësim etj. Po ashtu, gjatë vitit 2018 një numër emigruan duke kërkuar azil (aplikuesit për herë të parë) në vendet e BE-së, përfshirë vendet e Asociacionit të Tregtisë së Lirë të Evropës (EFTA)”, thuhet në raport.

Sipas ASK-së, përveç vendeve të BE-së dhe EFTA-s, një numër i shtetasve të Kosovës kanë emigruar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Turqi.

Por, përveç shtetasve, që lanë Kosovën e shkuan për të jetuar në vende të huaja, të tjerë ndërruan edhe qytetet ku banonin. Rreth 9 mijë lëvizin prej një komune në tjetrën gjatë 2018-ës, nga shkaku i martesave.

Gjatë vitit 2018 vlerësohet se një numër i konsiderueshëm i popullsisë rezidente në Kosovë ka ndërruar vendbanimin (komunën) për arsye të ndryshme kryesisht nga vendbanimet rurale në ato urbane dhe surb-urbane. Numri i personave që kanë ndërruar vendbanimin nga komuna e mëparshme (nga një komunë në komunë tjetër-brenda Kosovës) është vlerësuar të jetë gjithsej 8,967 banorë (bazuar në trendin e martesave, lëvizjet në periudhën 5 vjeçare: 2005-2010 të nxjerra nga baza e regjistrimit të popullsisë si dhe numrin e nxënësve që kanë ndërruar komunën e vendbanimit rezident)”, thuhet në raport.

Ndërkohë, për dallim prej atyre që braktisën Kosovën, rreth 7 mijë qytetarë të tjerë e zgjedhën Kosovën që të banonin. Në këtë numër përfshihet të kthyerit, azilkërkuesi dhe ata që janë me leje qëndrimi.

Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), UNHCR, IOM, të dhënat nga disa komuna dhe data bazës se Eurostat-it numri i imigrantëve në Kosovë, gjatë vitit 2018 është vlerësuar gjithsej 6,762 banorë”. 

Mirëpo,  edhe ligji i ri i miratuar në Gjermani rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar, që do të hyjë në fuqi në mars të këtij viti, ka ringjallur shpresë për shtetasit nga Kosova, të cilët synojnë punësimin në këtë shtet të BE-së.

Ky ligj ua mundëson punonjësve të kualifikuar në arsim profesional nga shtete jashtë Bashkimit Evropian (shtete të treta) të emigrojnë lehtësisht në drejtim të Gjermanisë.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka treguar se hyrja në fuqi të Ligjit të ri për Punësim në Gjermani, nuk duhet të jetë rast për ta lëshuar vendin, pasi që sipas tij për punëtorët ka vend edhe në Kosovë, shkruan Monitor.al.

Mendoj, që ky nuk do të jetë rasti sepse defintivisht për punëtorët, për ata që janë të determinuar që të punojnë dhe të avancojnë me agjendën e tyre edhe në Kosovë ka hapësirë të veprimit, e para, e dyta shumë të rinj do të shohin që edhe në vendet e BE-së, nuk është situata ashtu siç ata e imagjinojnë. Bashkimi Evropian nuk është një kopsht me lule ku çdo gjë është apriori e siguruar , edhe atje duhet të punohet, duhet të studiohet, duhet të jetohet”. 

Por, nuk ka mohuar faktin që me hyrjen në fuqi të këtij ligji e sidomos në muajt e parë do të ketë lëvizje dhe kjo do të jetë evidente.

Ditë më parë Ambasada e Kosovës në Gjermani ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve që të fillojnë procedurat për njohjen zyrtare të kualifikimeve profesionale në Gjermani, pasi kjo procedurë merr disa muaj kohë dhe pa njohjen zyrtare të diplomës, nuk mund të bëhet termini në Ambasadë.

Po ashtu, nga 1 marsi e tutje procedura për rezervim takimesh dhe për marrjen e vizave do të bëhet vetëm pranë Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin dhe Konsullatat e Përgjithshme të RKS në Munih, Stuttgart, Frankfurt, Düsseldorf dhe Hamburg- njofton të gjithë shtetasit nga Kosova që synojnë punësimin në Gjermani, për kushtet, pas hyrjes në fuqi me datë 1 mars 2020, të ligjit të ri “mbi punësimin në Gjermani të punonjësve të kualifikuar”.

Procedura për rezervim takimesh dhe për marrjen e vizave do të bëhet vetëm pranë Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë.

Në këtë njoftim thuhet se Ambasada e Kosovës në Gjermani nuk ka asnjë kompetencë për trajtimin e kërkesave të shtetasve nga Kosova për viza punësimi në Gjermani.

Loading...
loading...
Back to top button
Close