Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Funksioni i kryetarit të Kuvendit të Kosovës do të ishte mirë të reformohej sipas modelit zviceran

Kryetari i Kuvendit të Kosovës moderon mbledhje. Kompetencat e tij nuk janë vendimtare për jetën politike. Ai nuk mund të vendosë krye në vete as për vizita deputetësh në botën e jashtme. Rrjedhimisht, ky post duhet të çmitizohet nga përshtypja e krijuar se na qenkësh funksion i të njëjtit rang si ai i presidentit dhe kryeministrit. Zvicra e ofron një model interesant për këtë post – duke e përfshirë edhe opozitën.

Nga Enver Robelli 

Nga partitë politike dhe mediat në Kosovë është krijuar përshtypja se kryetari i Kuvendit të Kosovës mban njërin nga tri postet më të rëndësishme në sistemin politik shtetëror (dy postet e tjera janë: presidenti dhe kryeministri). Po të lexohen kompetencat sipas nenit 67 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, atëherë kryetari i Kuvendit del të jetë thjeshtë një zëdhënës a folës parlamenti. Ngjashëm si në shumë vende të tjera.

Në Kushtetutë thuhet se «Kryetari i Kuvendit: (1) përfaqëson Kuvendin; (2) përcakton rendin e ditës, thërret dhe kryeson seancat; (3) nënshkruan aktet e miratuara nga Kuvendi; (4) ushtron edhe funksione të tjera, në bazë të kësaj Kushtetute dhe Rregullores së Punës të Kuvendit». Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, jo kryetari i Kuvendit, por «Kryesia e përgatit Programin e punës së Kuvendit». Jo kryetari, por «Kryesia e shqyrton Strategjinë ligjvënëse dhe raportuese të Qeverisë, e inkorporon dhe e harmonizon me Programin e punës të Kuvendit».

Më tutje thuhet: «Kryesia takohet së paku një javë para mbledhjes së ardhshme të Kuvendit për ta shqyrtuar dhe për ta përgatitur rendin e ditës së mbledhjes së radhës të Kuvendit». Mandej: «Kryesia zhvillon marrëdhënie të jashtme parlamentare dhe aktivitete të tjera ndërkombëtare nga fusha e përgjegjësive të saj». Jo kryetari, por «Kryesia shqyrton kërkesat dhe vendos për udhëtimet jashtë vendit të delegacioneve e të deputetëve për ta përfaqësuar Kuvendin». Nëse kryetari i Kuvendit nuk mund të vendosë as për udhëtimet jashtë vendit të delegacioneve pa pëlqimin e kryesisë, si mund të barazohet ky post me atë të presidentit apo të kryeministrit? Në betejën e tyre epike për postin e kryetarit të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë kapur për anën simbolike dhe jo përmbajtësore. (Ekziston një frikë nga LDK se nëse në muajt e ardhshëm presidenti aktual detyrohet të japë dorëheqje për shkak të ndonjë të papriture nga Haga, atëherë postin e tij e ushtron kryetari i Kuvendit deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Kështu VV, befas, do të mbante tri poste të larta. Por kjo situatë tani është hipotetike).

Kryetari i Kuvendit të Kosovës moderon mbledhje. Kompetencat e tij nuk janë vendimtare për jetën politike. Rrjedhimisht, ky post duhet të çmitizohet nga përshtypja e krijuar se na qenkësh funksion i të njëjtit rang si ai i presidentit dhe kryeministrit. Zvicra e ofron një model interesant për këtë post – duke e përfshirë edhe opozitën. Mandati i kryetarit të parlamentit zgjat një vit. Ai zgjidhet në fillim të sesionit dimëror. Zakonisht nënkryetari i dytë vitin tjetër zgjidhet nënkryetar i parë dhe në vitin vijues kryetar i parlamentit. Katër partitë e përfaqësuara në qeveri e ushtrojnë, njëra pas tjetrës, funksionin e kryetarit të parlamentit. Por në respekt të opozitës partitë në pushtet në çdo 12 vjet ia lënë postin e kryetarit të parlamentit një partie më të vogël dhe të papërfaqësuar në qeveri. Kështu më 1995 një anëtar i Partisë Liberale ka qenë kryetar parlamenti, më 2012 kryetare ishte një përfaqësuese e të Gjelbërve.

Në Kosovë mund të veprohet kështu: në vitin e parë të legjislaturës partia me më së shumti vota e merr postin e kryetarit të Kuvendit për një vit, pastaj partia e dytë e koalicionit, në vitin e tretë kryetar i Kuvendit zgjidhet kandidati i partisë më të madhe opozitare dhe në vitin e katërt kryetar i Kuvendit mund të jetë një përfaqësues i pakicave etnike në Kosovë. Do të ishte mesazh i mirë ky edhe për shtendosjen e mëtutjeshme të raporteve ndëretnike. Kështu, me këtë model, në Kuvend do të krijohej një frymë më bashkëpunuese dhe posti i kryetarit nuk do të trajtohej si post nga i cili varet edhe krijimi i qeverisë, siç po ndodh tani.

Natyrisht për një reformim të tillë të postit të kryetarit të Kuvendit kërkohet gatishmëri për kompromis nga të gjitha partitë politike. Nëse Kushtetuta e Kosovës e miratuar para më shumë se një dekade nuk i përgjigjet tamam nevojave për një sistem funksional demokratik, atëherë duhet të ndërrohet. Edhe për këtë duhet vullnet politik. Por në klasën politike të Kosovës vullneti më i madh është ai për kurthe, destruktivitet dhe kapje pas posteve simbolike.(dp)

Back to top button