Decentralizimi i prokurorisë/ A rrezikon të rrisë papërgjegjshmërinë dhe abuzimin me pushtetin?

Organi i prokurorisë i cilësuar ndryshe edhe si organi i akuzës, bën pjesë në sistemin gjyqësor dhe përfaqëson interesin shetëror në gjyq. Ky organ ka qenë gjithmonë një organ i centralizuar në lidhje e varësi piramidale me prokurorët në shkallë më të larta, por edhe në varësi direkte me Prokurorin e Përgjithshëm.

Pikërisht për këtë arsye në jo pak raste janë pushuar hetimet e nisura nga prokurorë të shkallëve të para për çështje shumë të ndjeshme, që kanë tronditur edhe opinonin publik. Si për ilustrim përmendim këtu rastin e biznesmenit të ndjerë shqiptaro-maqedonas Rremzi Hoxha, për çështjen e të cilit pati shumë diskutime dhe paqartësi që në momentin e fillimit të hetimeve nga Prokuroria.

Loading...

Aq shumë kontradikta pati mes prokurorëve të dy shkallëve për këtë rast sa u nevojit edhe ndërhyrja e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, që u detyruan të nxjerrin një vendim unifikues vetëm për këtë rast.

Por duhet thënë që në parim gjithmonë ka pasur debate sipas të cilave organi i prokurorisë duhet të decentralizohet. Dhe sërish në parim ky debat ka gjetur edhe mbështetjen e vetë prokurorëve. Ndaj edhe nëpërmjet reformës në drejtësi u parashikua edhe një paketë ndryshimesh kushtetuese që do të preknin pjesën më të madhe të dispozitave për organin e prokurorisë.

Më në fund organi i prokurorisë tashmë do të decentralizohej. Prokurorët e shkallëve më të ulëta nuk do të kontrolloheshin më nga prokurorët e shkallëve më të larta, e për pasojë as nuk do të pushoheshin çështje me një të rënë të lapsit vetëm për teka të një prokurori.

Po ashtu tashmë Prokurori i Përgjithshëm nuk do të kontrollonte më punën e prokurorëve të shkallëve më të ulëta siç deri më tani kishte bërë, por me ndryshimet e reja organi i Prokurorit të Përgjithshëm do të ishte më shumë administrues sesa drejtues i prokurorisë.

Ndryshimet e përmendura do të parashikoheshin në dispozitën tërësisht të ndryshuar të kushtetutës ku në Nenin 148 (Ndryshuar me ligjin nr.76/2016, datë 22.7.2016), thuhet shprehimisht:

1.Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Prokuroria kryen edhe detyra të tjera të caktuara me ligj. 2. Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit. 3. Prokuroria është organizuar dhe funksionon pranë sistemit gjyqësor. 4. Prokuroria e Posaçme dhe Njësia e Posaçme Hetimore për ndjekjen penale dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjeve penale sipas nenit 135, paragrafi 2, të Kushtetutës janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm. Njësia e Posaçme Hetimore është në varësi të Prokurorisë së Posaçme.

Me gjithë rregullimin ligjor, pyetja që shtrojmë sërish është: a rrezikon decentralizimi abuzimin me pavarësinë që tashmë kanë prokurorët e të gjitha niveleve?

Kjo duhet thënë që është një shqetësim i drejtë, aq më tepër në një terren politik të polarizuar si ky i yni ku ndërhyrjet, miqësitë dhe herë herë pamundësia për të ushtruar në mënyrë të pavarur pushtetin është tejet evidente. Kjo do të vinte në dyshim edhe pavarësinë e prokurorëve.

Pra është pikërisht frika që mund të ketë opinioni publik, se duke qenë të pavarur tërësisht prokurorët mund të abuzojnë me pushtetin e tyre, siç ndodh rëndom në vendin tonë.

Loading...
loading...
Back to top button
Close