Analizë/ Si nisi përplasja Rama-Haradinaj dhe kush prej tyre ka të drejtë?

Qeveria e Shqipërisë në drejtimin e Edi Ramës, u zotua që në fillimet e fushatës së mandatit të parë se do të forconte akoma më shumë marrëdhëniet me popullin dhe shtetin e Kosovës.

Dhe siç dukej, të paktën me veprimet konkludente e të hapura në fillimet e mandatit të parë, por të përforcuara më tej në mandatin e tij të dytë Rama po forconte marrëdhëniet me Kosovën duke zhvilluar disa takime të përbashkëta mes dy qeverive, të mbajtura herë në Kosovë e herë në Shqëipëri.

Loading...

Gjatë këtyre takimeve të përbashkëta qeveritare u nënshkruan madje edhe disa marrëveshje mes dy palëve.

Por çfarë ndodhi më pas? Pas takimit të katërt mes dy qeverive ku dy kryeministrat, Rama dhe Haradinaj, u shfaqën si kurrë më parë të përqafuar e me shtrëngime duarsh ku madje mbajtën edhe qëndrime të përbashkëta për taksën ndaj Serbisë apo edhe për mos liberalizimin e vizave, duket se më pas do të niste edhe përplasja mes tyre.

Por si nisi kjo përplasje? Ishte më shumë një përplasje në distancë që do të zhvillohej me deklarata mes dy kryeministrave.

Do të merrte shkas nga nisma që mori Kuvendi i Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, dhe me këtë rast do të reagonte ashpër i pari kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndaj politikanëve në Kosovë.

Ndër të tjera ai shkruante: “Kosova duhet të përqendrohet në dialogun me Serbinë dhe duhet të kërkojë me këmbëngulje të zgjidhë këtë nyje historike. Krijimi i problemeve tjera që përkthehet pastaj në paralizë të institucioneve, në qeverisje që nuk funksionon, në një kaos politik brenda që është fatal. Është ta bësh kur thotë populli si bën lopa pasi e mbush kovën me qumësht ja fut shqelm dhe nuk dihet çfarë vjen prapa”, kishte thënë Rama.

Por ndryshe nga homologu i tij Rama, Kryeministri i Kosovës  z. Haradinaj nuk do të reagonte ndaj kësaj deklarate. I vetmi që reagoi nga ana tjetër e kufirit ishte një nga këshilltarët e kryeministrit Haradinaj.

Pak ditë pas kësaj deklarate do të vinte një reagim tjetër nga Kryeministri shqiptar Rama i cili do të prononcohej për një nga çështjet më të ndjeshme të Kosovës, siç ishte ajo e demarkacionit të kufijve me Malin e Zi. Ai nuk do të hezitonte që kontestimin e palës kosovare për këtë çështje ta cilësonte si “shpikje” të politikës së brendshme të Kosovës.

Por tashmë dukej se kryeministri i Kosovës z. Haradinaj nuk do të rezervohej në deklarimet ndaj Ramës.

“Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, kishte shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Por “përplasjet” mes dy kryeministrave do të arrinin kulmin e tyre në debatet që zienin në Kosovë e jo vetëm për çështjen e shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Këtë ide për shkëmbim territoresh ose siç e quajtën më vonë “korrigjim i kufijve” e kishte hedhur Presidenti Thaçi dhe mbështetur më pas edhe kryeministri i Shqipërisë z. Rama. Në linjë krejt të kundërt ishte Haradinaj për të cilin shkëmbimi i territoreve ishte një çështje e mbyllur dhe as që duhej diskutuar.

Madje Kryeministri Haradinaj shkoi edhe më tej duke i quajtur Thaçin dhe Ramën si tradhtarë të kombit. Dhe pikërisht këtu nisi beteja mes Haradinaj dhe Ramës që sot ka marrë formë edhe ligjore, pasi Rama ka depozituar tashmë një padi ndaj kryeminstrit të Kosovës për shpifje.

Por përtej këtij gjyqi, duhet të ketë edhe një “gjyq” moral mbi faktin se kush ka të drejtë në këtë mes. Dhe këtë gjyq mund t’a bëjë vetëm opinioni publik këndej e andej kufirit!

Loading...
loading...
Back to top button
Close