7 deputetë në konflikt interesi: Morën kontrata e tendera nga shteti

Në një raport të Institutit të Studimeve Politike të paktën 7 deputetë janë në konflikt interesi, ku mendohet se mund të kenë ndikuar në realizimin e kontratave shtetërore. Është konstatuar se deputeti i Partisë Socialiste në Kuvendin, Sadri Abazi, është në gjendje të konfliktit të interesit në kundërshtim me ligjin. Nga të dhënat që kishte administruar dhe dispononte ISP nëpërmjet komunikimit me Ministrinë e Financave dhe Posta Shqiptare është evidentuar fakti se Shoqëria “Usluga” e regjistruar me Vendim Gjykatës Tiranë Nr. 5246/1, ka administratore aktuale Aurora Abazin, vajza e deputetit socialist. Nga të dhënat e ekstraktit të QKB rezultonte se bashkëpronarë të shoqërisë Usluga shpk dhe përfitues kontratash me shtetin, ishin me pjesë të barabarta bashkëshortja dhe fëmijët e deputetit Sadri Abazi. ISP i është drejtuar zyrtarisht Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive për këtë rast. Konkretisht ILDKPKI për rastin e deputetit Sadri Abazi thekson se është konstatuar se ai është në gjendje flagrante të konfliktit të interesit, pasi ka rezultuar e provuar nënshkrimi i kontratave me kompani shtetërore, për të cilat ka ndalesë absolute ligjore. Abazi në fjalë, megjithëse duke qenë deputet ka figuruar bashkë-ortak me 25% të aksioneve të Shoqërisë Usluga shpk që ka lidhur dy kontrata qiraje me Posta Shqiptare sh.a, e cila është kompani shtetërore. ILDKPKI informoi se kishte vendosur marrjen e masës administrative me gjobë në shumën 800.000 mijë lekë ndaj deputetit Sadri Abazi. ILDKPKI informon ISP-në se deputeti në fjalë, lidhur me këtë gjobë është ankuar në Gjykatën Administrative, proces gjyqësor i papërfunduar.

Rastet Qefalia, Hyseni e Doshi
Një tjetër rast konflikti për ISP-në është edhe ai socialistit Xhemal Qefalia,i cili është anëtar i komisionit të Sigurisë. Dokumentacioni i mbledhur tregonte se vëllai dhe familjarë të afërm të deputetit Qefalia kishin pasur një histori të gjatë të pronësisë dhe administrimit të Shoqërisë “Dajti Park 2007”, por ajo që të binte në sy, ishin te tenderat e fituara së fundi nga kjo kompani me prokurues Ministrinë e Brendshme. Për këtë ILDKPKI thekson se nuk provohet gjendja e tij e papajtueshmërisë me funksionin e deputetit. Sipas ILDKPKI, pas hetimeve të kryera dhe informacioneve shtesë të paraqitura nga ana e ISP, ka rezultuar se Shoqëria Dajti Park 2007 shpk me ortak 50% vëllanë e deputetit Xhemal Qefalia, nuk ka lidhje interesi që të lidhin veprimtarinë e këtij subjekti me detyrën e deputetit të mësipërm. 

Loading...

Një tjetër rast që shihet si në konflikt interesi është edhe ai për deputetin socialist Alket Hyseni.

Përpara zgjedhjes deputet ka poseduar një firmë ligjore H&A Law Firm, e cila prej disa vitesh zyrtarisht drejtohet nga familjarë të tij. Megjithatë në të gjitha aktivitetet vjetore të firmës private Hyseni është pjesëmarrjes dhe figurë reklamuese e qendrore e saj, duke dhënë indicie se ai vijon të jetë jo zyrtarisht pjesë e firmës dhe për rrjedhojë, në konflikt interesi me një numër të madh aktesh ligjore dhe procesesh parlamentare që përfshijnë edhe atë në Komisionin e Ligjeve dhe në aktivitetin e tij parlamentar. 

ISP është angazhuar gjatë muajve të fundit për kryerjen e disa verifikimeve në denoncimet që kanë ardhur për gjendje të mundshme të konfliktit të interesit nga tre deputetë të zgjedhur në Fier, Lushnje dhe në Shijak, të cilët përpara angazhimit parlamentar kanë pasur biznese private. Denoncimet lidhen me mundësinë që ata të përdorin postin parlamentar për të përfituar mbështetje financiare shtetërore ose privilegje në konkurrim përmes ish bizneseve të tyre, të cilat aktualisht vijojnë të drejtohen nga anëtarë të afërt të familjes së tyre. Përderisa të dhënat janë ende në verifikim, stafi i ISP nuk i përfshiu ato në mënyrë të detajuar në këtë raport. Një tjetër rast i dalë nga debatet në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë që mori vëmendjen e ISP për shkak të pretendimeve për konflikt interesi, ishte edhe ndërhyrja në diskutimet mbi standardet ndërkombëtare të ilaçeve, të cilat duhet të zbatohen edhe në vendin tonë, me anë të rregullimeve të reja ligjore. 

Deputeti Tom Doshi, i cili njihet si ish pronar i një prej ndërmarrjeve më të mëdha në vend të prodhimit të ilaçeve dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ligjeve, këmbënguli gjatë diskutimit të tij se edhe standardet e ilaçeve të prodhuara në vend janë shumë cilësore dhe në përputhje me ato ndërkombëtare. Kjo deklaratë solli ilaritet në sallë dhe disa kolegë me shpoti përmendën konfliktin e interesit si kundër-argument për të ndërprerë vazhdimin e reklamimit që deputeti po i bënte ilaçeve vendase.(SI)

Loading...
loading...
Back to top button
Close