“Të bëhet certifikimi sizmik i hoteleve, nuk jemi gati”

Sabina Veizaj – Një ditë përpara Samitit Ndërkombëtar të Turizmit, Kliton Gërxhani zv. Drejtor i “Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve & Agjencive Turistike”, do të shprehte shqetësimin se të huajt po anulojnë udhëtimet e pushimet në Shqipëri për shkak të frikës nga pasojat e tërmetit.

Ai do të dëshmonte në llogarinë e tij në Facebook: “Për koinçidencë sot mora dy emaile aspak të mirë për këtë punë, të cilat nuk po i kuptoj në anglisht, por po i përkthej, që të mos influencojë vizitor potencial të huaj që mund të vizitojnë Shqipërinë. I pari një partner i rëndësishëm austriak më shkruan: “më vjen keq të informoj që na duhet të anulojmë çarterat në Shqipëri përsëri!! Njerëzit këtu në Austri janë shumë të pasigurtë dhe të frikësuar mbas ngjarjes së twrmetit fatal vitin e kaluar në vendin tuaj”.”

Loading...

E dyta, do të vazhdonte rrëfimin e tij Gërxhani, ish-mësuesja ime holandeze që më thotë: “Më në fund vendosa të vizitoj Shqipërinë bashkë me burrin tim. Por për shkak të tërmetit po dyshojmë nëse duhet ta vizitojmë. Sepse ne jemi të interesuar për sitet arkeologjike, dhe nuk gjetëm informacion në internet nëse këto site janë dëmtuar apo a janë të hapura. Është pak e sikletshme të pyeswsh për gurët e vjetër kur vendi juaj po vuan pasojat e tërmetit, por mund të më japësh një informacion për këtë? Dhe të lutem, ji i sinqertë. (And please, be honest.)”

“Më ngeli në mendje kjo kërkesë e fundit e saja, – shkruan Gërxhani – prandaj dhe vendosa ta shkruaja këtë status. Dhe mu kujtua samiti, ku pashë nja 10 veta që do flisnin secili nga 4 minuta, dhe në këto 4 minuta do zgjidhnin këtë hall që fatkeqësisht do e vuajmë të paktën 4 vjet. Dhe nëse do më jepej nderi të flisja vetëm 4 sekonda në atë samit ndërkombëtar nesër, do thoja pikërisht: “And please, be honest!”

Në një intervistë për Gazetën “Si”, Kliton Gërxhani i ATOA-s thotë hapur se Shqipëria nuk është gati për sezonin turistik 2020. Ende nuk është bërë një certifikim ndërkombëtar për strukturat hoteliere dhe nuk ka një standardizim për to.

“Ndërkohë që shqiptarët ndjeheshin të tmerruar për më shumë se një muaj rresht nga halli i tërmetit që i zuri, turistët e huaj që vijnë për qejf, pse duhet të rrezikojnë kur nuk i siguron njeri sinqerisht?”, thotë Gërxhani.

Në intervistë ai flet për problematikat e vazhdueshme të sektorit që na kanë shoqëruar edhe para tërmetit e që sipas tij tërmeti i nxori në sipërfaqe dhe shkaktoi një dëm akoma më të madh për arsye se nuk po merren masa për të bërë skanerin e situatës së sektorit.

Gërxhani tregon edhe pikëpamjen e tij për Samitin e së martës të cilin e cilëson si fasadë, si një PR për të thënë që “nuk ka ndodhur gjë” dhe ky është një dëm akoma më i madh, thotë ai.

Për Gërxhanin samiti duhet të kishte të ftuar institucione financiare si FMN e Banka Botërore apo fondacione e organizata investimesh që të vinin në ndihmë me projekte e donacione për rindërtimin.

Çfarë i shkaktoi tërmeti turizmit?

Kliton Gërxhani, ATOA

Tërmeti zgjoi nga gjumi joshjen, atë  vetëkënaqësinë deri në sheqerosje me sukseset e mëdha, nga të papriturat të zonave të keq ndërtuara që tërë kohën i kemi kritikuar dhe jam i bindur që edhe ata që kanë hedhur lekët aty janë të bindur që e pranojnë në zona si Golemi. Prandaj ka dalë edhe termi që nuk do të bëjmë një “Golemizim” të dytë, por që u bë edhe në Sarandë. Janë dy polet më të keq bëra nga ana e ndërtimeve pa asnjë lloj plani. Unë do të thoja që janë bërë me dashje, me burime financiare të dyshimta. Janë hedhur lekë pa fund nga individë që nuk kanë lidhje me sektorin e ndërtimit për të marrë lekë të shpejta dhe për tu larguar.

Nga një plazh që ishte me 45 ditë, falë tregut kosovar, që edhe pjesa cilësore e tyre, ata me më shumë të ardhura po largoheshin drejt jugut, ia lanë Durrësin tregut buxhetor, shtresës me më pak mundësi; shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë. Ky lloj standardi u katandis. Nuk  kishte një qeveri të thoshte; do ta hedh në tokë, do të bëj ndryshim radikal. Kjo kërkonte shumë fonde sepse më e pakta do duhej të dëmshpërbleje pronarët e ligjshëm të tokave. Këtë gjë e ka bërë Spanja e vende të tjera; që zona jo rentabël i ka hedhur në tokë dhe ka rindërtuar me standarde.

U tha nga kjo qeveri që do të ndërhyet fort në Golem, por nuk u bë. Sepse erdhi trendi i ri i ndryshimit të tregut sepse u mbyll Afrika E Veriut prej revolucionit në atë kohë, Turqia pati probleme, tregu i lirë i Europës Lindore zbuloi që Kroacia është shumë e shtrenjtë, Mali i Zi shumë i vogël, Greqia prapë e shtrenjtë dhe e zënë, zbuluan Shqipërinë dhe bënë kompromis; kafshuan gjuhën për cilësinë kundrejt çmimit që morën në Golem e Durrës për shkak edhe të aeroportit afër.

Kjo bëri të rritej “sasia e ujit” dhe problemet i futi nën ujë.

Njerëzit thanë; nuk është koha për të folur, por të mbledhim para sa mbledhim. Ne jemi vërtet kap çfarë të kapësh. Por kjo për mua është dritëshkurtësi. Nëse do të bjerë uji dhe ne do të jemi më keq se ç’ishim, do të kemi një dëm më të madh. Me ato lekë që kemi kapur, do të na duhen më shumë lekë për ta rigjallëruar këtë destinacion. Të kishim punuar gradualisht dhe, edhe me këtë fluks, të përmirësonim infrastrukturën. Mund ta rikthenim kurbën e jetës së këtij produkti të Golemit, Durrësit edhe të Vlorës se edhe aty po ndërtohet jo pak.

Janë bërë pako gjëra. Edhe investimet janë bërë nga vetë bizneset si ndriçimi. Është skandal që nuk ka një rrugë sekondare për gjithë atë fluks turistësh. Nëse ky destionacion sjellë 1 mln turistë, pse nuk investon për standarde?

Nëse vijnë 3 çartera dhe janë 10 autobusë njëri-pas tjetrit, në atë rrugë sekondare kalon tek koshi i plehrave, ka 7 pika karburanti, kthesa 90 gradë është e fortë, as e shtruar, ka tym sepse aty është një parkim në baltë. Nëse bie zjarr ku do hyjë e do dalë zjarrfikësja, nëse pëson dikush atak, si do hyjë ambulanca teksa presin 10 autobusë me turistë? Flasim për sezon të lartë, nëse ndodh tërmeti çfarë do bëhet? Sa i përgatitur je ti? A e dimë që dëmtohemi shumë? Zona është e tëra problematike sepse nuk është standardizuar. U fol që do bëhej një by pass në Rrogozhinë. Duhet një rrugë dedikuar për Golemin, për këtë fluks gjigant turistësh.

Ka qenë një nga destinacionet më të bukur dhe të synuar në çdo kohë. Shkomim me tren e biçikletë. Më duket sikur na paguan njeri për ta shkatërruar.

Tërmeti nxori pikërisht këtë problematikë; që disa hotele u thërrmuan si pluhur. Ne nuk e dinim që ato ishin bërë prej pluhuri. Mund të ishte kushdo nga ne aty duke ngrënë një drekë apo duke fjetur. Pse nuk i kishte vënë shteti shiritin? 7 ishin të tillë, të tjerë u dëmtuan, u shtrembëruan. Këta nuk duhet të operonin në treg. Çfarë kërkuam ne si ATOA? Nuk duhet ta lëmë me shpresën se nuk do të ndodhë më. Ja ra sërish? Turizmin tërmeti e favorizoi, i dha një shok për ta tundur sepse nuk jemi gjëkundi. Ne e dimë që ajo është zonë sizmike. Më mirë 10 apartamente ose hotele, të jenë të certifikuar nga ana sizmike se sa qindra që shtypen edhe me dorë.

Ne kërkuam që të bëhej urgjent një certifikim sizmik i çdo strukture pritëse, kush nuk i plotëson parametrat të investojë, ata që nuk bëjnë fare të mbyllen e tu vihet dinamitin.

Po të ishte bërë në kohë të qeta, do ishin filtruar shumë biznese. Ne sot e kësaj dite kërkojmë klasifikimin me yje dhe nuk e bën ministrija. Nuk ka përgjigje llogjike racionale pse nuk e bën.

A është bërë certifikimi sizmik aktualisht kur flasim?

Jo, nuk është bërë. Ne e kemi kërkuar të bëhet nga institucione ndërkombëtare. Kjo duhej diskutuar në samit, që nuk u përmend fare: “Ne kemi marrë këtë institucion ndërkombëtar, e ka kontraktuar qeveria shqiptare, jo privati vetë. Qeveria shqiptare ka akorduar këtë fond për të skanuar gjithë zonën, por kjo nuk ndodhi…”

Siç tha një zonjë nga Italia; 50 km nga epiqendra e tërmetit do skanojmë çdo sajt arkeologjik. Do identifikohen problematikat dhe do të investohet për riparimet sepse nesër mund ti bjerë turistit në kokë një objekt i dëmtuar.  Kështu duhet të bëhet me hotelet.

Edhe ambasadorja greke, ndër të tjera tha se ne kemi pasur problematika; krizën ekonomike, krizën e refugjatëve në ishuj , për çdo rast ata kanë ndërtuar komitetin e emergjencës pranë Ministrisë së Turizmit që është marrë me çdo problematikë në lidhje me turizmin duke u akorduar ndihma bizneseve.

Këtë kemi kërkuar edhe ne, që bizneset e prekura nga tërmeti të lehtësohen nga taksat për një vit. Ka mundësi ti japësh edhe një grant të bëjë rindërtimin që të mos i fshehë problematikat duke suvatuar?

Nëse duhej një samit, duhet të ishte për donacione, jo për reklamë.

Si e pe ti këtë samit? Sipas teje arriti diçka konkrete?

Një samit të tillë do ta preferoja me pjesëmarrjen e donatorëve si Banka Botërore, FMN, organizata të huaja. Në këtë drejtim duhej të bëhej samiti urgjent i janarit, por nëse bëhet për PR; ejani ju se nuk ka ndodhur asgjë, kjo është gjëja më e rëndë. Duhet të jemi të paktën të sinqertë me veten. Nuk mund tia hedhim vetes tonë e të themi nuk ka ndodhur asgjë. Ti dalim të vërtetës përballë edhe sikur të mos hapet fare sezoni, të mos vijë asnjë turistë. Të mendojmë për të ardhmen.

Ai samiti djeshëm ishte samit PR në rang zëvendës ministrash. Thanë të njëjtën gjë nga eksperienca e tyre që kanë ngritur komitete emergjencash për të qenë të përgatitur. Ngrije pse nuk e ngre që ta kesh për çdo rast, por e mbyll me një smile Albania.

Po nuk ngrite këtë, të tjerat janë fazadë. Ke ngritur Ministrinë e Ridnërtimit, por nuk do të jetë permanente.

Nuk mund ti kërkosh njerëzve të vijnë këtu e të shprehin keqardhje. Thonë të gjithë të njëjtën gjë bajate “që jemi treguar mikpritës”. E dimë, madje jo ne. Duhet të përmendim emrat e atyre hoteleve që hapën dyert sepse jo të gjithë e bënë burrin e Shqipërisë sepse hoteli ngjitur nuk e bëri. Shumë u fshehën. Kë pritëm? Shqiptarët, jo të huajt.

Këtu fillon e mbaron tek mikpritja? Kjo iku. Çfarë ka paskëtaj?

Ne i pritëm për hall, por turisti nuk të vjen për hall, por për qef. Ne kemi pasur anullime, ai thotë jemi gati për sezonin 2020.

Unë kam dy austriak tani së fundmi që kanë anulluar pushimet në Shqipëri. Çfarë bëhet? Bëhen certifikimet, pastaj promovimi në mediet e huaja përmes ambasadave, turistët e atyre vendeve që kanë shfaqur frikë dhe skepticizëm për të ardhur në Shqipëri.

Të bëjmë listën e hoteleve që janë në rregull pas certifikimit sizmik ndërkombëtar.

Si mund të mbajmë përgjegjësi ti themi turistit që vjen për qejf që nuk ka ndodhur asgjë, kur ne vetë për gati një muaj rresht ishim në panik nga lëkundjet dhe shihnim aplikacionin çdo moment?

Ka anulime në masë?

Masën nuk e gjejmë dot sepse jo gjithkush të thotë pse nuk të zgjedh. Ka anulime, por ka edhe moszgjedhje. Nga katalogët që kemi dërguar tek partnerët tanë jashtë, nuk po e zgjedhin Shqipërinë. Nuk po shitet.

Unë nuk dua ta fitoj bastin për një sezon të varfër 2020. Mua më dhemb që nuk po e marrim situatën seriozisht. Po i fshihemi të vërtetës. Nuk po më dhëbmë më shumë me qeverinë sepse këtë shtet kemi ditur të ndërtojmë tërë kohës, por më dhemb me biznesin që thotë jemi të pafuqishëm ti bëjmë ballë shtetit.

A jemi gati të presim turistë për sezonin 2020?

Ku e nxorre ti si qeveri që jemi gati për sezonin e ri turistik? Si nuk bëka diferencë për ty një vend i prekur nga një tërmet 6.4 ballë dhe një vend që nuk ishte i prekur nga një tërmet?

Çfarë ke bërë ti si shtet? Më e shumta, ke hequr rrënojat, nëse e ke bërë edhe atë.

Mbas kësaj nuk ke bërë asgjë. Si qenke gati? Nuk je gati fare. A do ketë efekt? Mos humb ditët për ndërhyrje sepse sa më shumë të vonohesh, aq më shumë do të ketë pasoja negative më mbrapa.

Nuk themi që çdo njësi akomoduese ka probleme. Duhet të kuptojmë që edhe njësia më e fortë në Golem, psikologjikisht nëse nuk e vendos çertifikatën tek dera që është e certifikuar nga shteti, nuk ia thua dot ndryshe turistit të huaj që je gati.

Bizneset që e dinë që kanë ndërtuar strukturë të qëndrueshme duhet të jenë të parët që të kërkojnë certifikimin. Këtë po përpiqemi të bëjmë.  Bizneset thonë se janë të pafuqishëm, por ka edhe nga ata që thonë se u bë. Mendojnë se ata njerëz që vajtën me çekiçë duke e gjuajtur godinën nga jashtë tre herë, kaq ishte.

Si e parashikon turizmin në 2020-ën?

Them që duhet të ketë impakt, masa duhet parë. Nëse shteti nuk ndërhyn, do të kemi shumë probleme. Nëse shteti nuk bën certifikimin ndërkombëtar dhe standardizimin e hoteleve na bën realisht një dëm shumë të madh. E shoh me shumë siklet këtë sezon. Më e pakta do të jemi me dor në zemër duke shpresuar të mos ndodhë gjë gjatë kësaj periudhe ku çdo hotel në pikun e sezonit është plot. Është në varësi të shtetit. Nëse i merr masat, mendoj se do të ketë më pak dëm.

Për të lexuar intervistën e plotë, klikoni këtu…

Loading...
Back to top button
Close