Pëllumb Xhufi: Atentati i 2008 pengon në mënyrë fatale lindjen e një klase të re politike

Moikom Zeqo i quan “të kobshme” dhe arsyeja kryesore që “pengon në mënyrë fatale lindjen e një klase të re politike”.

Pëllumb Xhufi i konsideron si  “atentati më i madh që kjo klasë politike i ka bërë demokracisë e vetë themeleve të shtetit”.

Loading...

Bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese të realizuara me marrëveshjen PS-PD të vitit 2008, të cilat u dhanë kryetarëve të partive të drejtën për të zgjedhur deputetët.

“Shikoni se si ndryshimet kushtetuese të kobshme të vitit 2008,- që përcaktuan që kryetarët e partive kanë të Drejtën e Monarkut për të hartuar listat e deputetëve, për 10 vjet jo vetëm që kanë krijuar një negativitet dhe një përfaqësim të nivelit të ulët dhe mediokër të politikës, por në të vërtetë kanë penguar në mënyrë fatale lindjen e një klase të re politike, të krijimit të formacioneve të politikanëve të rinj.

Në të vërtetë ky është një dhunim kushtetues, që askush nuk e di se kur do të shmanget dhe anulohet” – thotë Moikom Zeqo në një analizë për DITA.

“Po aq e ngjashme ka qenë PS me PD edhe për sa i përket ndërtimit të sistemit politik. Mjafton të shohësh se si këto dy parti nuk flasin fare për nevojën e anulimit të ndryshimeve liberticide të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, të realizuara me ujdinë PD-PS të vitit 2008.

Siç përvoja e këtyre viteve ka treguar tashmë, ato ndryshime ishin atentati më i madh që kjo klasë politike i ka bërë demokracisë e vetë themeleve të shtetit.

Nuk bëzan për zhbërjen e atyre ndryshimeve as partia që atëherë i kundërshtoi me forcë ato. Me sa duket, në gjirizet e sistemit anti-sistem të inauguruar nga ndryshimet në fjalë, edhe LSI ka gjetur strofkën e saj të ngrohtë të pushtetit” – thotë Pëllumb Xhufi në një intervistë botuar në DITA.

Loading...
loading...
Back to top button
Close