Kleringu i blerjes së normalitetit (VIDEO)

Sot mediat kanë raportuar një takim mes Damian Gjiknurit, Rudian Hajdarit, Petrit Vasilit dhe Oerd Bylykbashit. Takimi ka patur në vëmendje reformën zgjedhore dhe konsensusin rreth saj. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është pyetur për faktin se nëse prania në tryezë e Damian Gjiknurit përbën problem ose jo, Basha është përgjigjur se “nuk më intereson me kë përfaqësohet PS”.

Më herët zoti Basha është pyetur edhe për sistemin zgjedhor, por ai për këtë çështje ka hequr bythën mënjanë, duke u shprehur se këtë mund ta zgjidhin qytetarët me referendum. Takimi i parë i këtij soji ka prodhuar një të ashtuquajtur Këshill Politik që do të ketë brenda të gjithë spektrin politik kryesor, parlamentar apo jo dhe që zotohet të mbyllë reformën zgjedhore brenda 15 marsit.

Advertisement

Kjo datë eventualisht hap mundësinë teorike të zgjedhjeve të parakohshme në muajin tetor që do të ishte për opozitën përmbushja e alibisë së vetme që I ka mbetur për të bindur njerëzit se ajo ka me të vërtetë një axhendë politike përveç ëndrrave për karrierë të disa individëve. Në momentin që flasim është e kotë të gjykosh një opozitë si kjo e Lulzim Bashës pasi askush nuk pret ndonjë gjë të madhe. Në fund të fundit z. Basha iu bind një rregulli të hershëm maoist të tranzicionit shqiptar që na thotë se pas turbullimit vjen kullimi, pas zhurmës dhe protestës vjen konsensusi duke nxitur një regjim psikologjik dërrmues për shoqërinë.

Megjithatë sot opozita teksa dorëzon kredencialet e veta të pretenduara si forcë e ndryshimit, ka pranuar kredencialet e një force që pretendon dhe pret rotacionin politik përmes votës duke njohur de facto dhe de jure çdo gjë që ka bërë pushteti I tanishëm. Për z. Rama kjo është një arritje. Ndonëse nuk mori teatrin e një takimi me Lulzim Bashën ai rekrutori te nevojat e opozitës normalitetin politik kaq të munguar duke siguruar madje në rolin e drejtuesit të OSBE-së një rol këshilluesi për vetë opozitën.

Dakordësia e arritur sot i heq Shqipërisë një peshë në procesin e hapjes së negociatave me BE-në pak para muajit maj, kur pritet të vendoset se çfarë do të bëhet me vendin tonë.

Sa e besueshme është tanimë akuza e opozitës e cila ka deklaruar se vendi është në prag falimenti? Patjetër që shumë pak e besueshme, por ne do të nisim të dëgjojmë shumë shpejt zëdhënësa të saj se rruga e fortë dështoi, ndaj konsensusi mbetet e vetmja rrugë. Dhe janë po këta që deri më dje mbronin rrugën e fortë. Askush nuk e dëshiron dhunën si zgjidhje dhe variant veprimi, por problemi në politikë është se ajo që deklaron me zë të lartë kërkon përmbushje si akt politik dhe distancim parimor. Kjo jo për politikë për hir të politikës, por sepse edhe vetë kërkesa për ndryshim nuk përmbushet pa veprim.

Ne sot kemi marrë nga Lulzim Basha një deklaratë për ruajtjen e status quosë, një mesazh për të mos lejuar asgjë të re të inkuadrohet në sistem. Për shkak të dështimit të tij, por edhe për shkak të intuitës tinzare se në këtë Pazar me pushtetin ai do të riafirmohet si lideri i PD-së duke imponuar listën e radhës. Të tjerat i lihen kohës sepse dihet se shqiptarët harrojnë shpejt. Madje shumë shpejt. Siç mund të kenë harruar patjetër edhe këtë zotim të z. Basha të pak muajve më parë:


Burimi: Respublica

Back to top button