Kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo
Kalaja e Porto-Palermos u ndërtua nga Ali Pasha në vitin 1804 në një rrip toke që futet thellë në det. Kalaja ka fomrë trekëndore me tre bastione poligonale në qoshe. Pjesa më e madhe e sipërfaqes së kalasë është e mbuluar dhe mbi parapetin që mbulon tarracën janë hapur shumë frëngjij për topat.
Në brendësi të kalasë ka salla, depo dhe ambiente të shumta e një palë shkallë guri, që të çojnë në tarracë. Tarraca është e hapur dhe është e pajisur po ashtu me shumë frëngjij për vendosjen e topave. Në anën e bastioneve janë ndërtuar kullëza për vrojtim, të cilat janë të mbuluara e të pajisura me dritare.
Hyrja e kalasë është e mbrojtur mirë, pasi ndodhet në mes të dy bastioneve dhe mbrohet nga prania e një muri me frëngjij për së brendëshmi./ Marrë nga libri ‘Historia e arkitekturës në Shqipëri’