ASHAK lëshon reagimin e ashpër: Rama ka fyer Kosovën, konotacion i frikshëm

“Mini-Shengeni Ballkanik”

Kosova lëshon një tjetër reagim të ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që sulmoi liderët politikë të Prishtinës për refuzimin e pjesëmarrjes në takimin e Tiranës për “Mini-Shengenin Ballkanik”.

Akademia e Shkencave dhe Arteve thekson se nisma e propozuar nga Serbia ka prapavijë politike dhe synon të pengojë perspektivën europiane të Ballkanit. Akademikët e Kosovës në një deklaratë nënvizojnë se qëndrimi i ashpër i kryeministrit Rama rrezikon marrëdhëniet Prishtinë-Tiranë.

“Duke e ditur se Kosova nuk mund të përfshihet në asnjë proces dhe në asnjë marrëveshje ku ajo nuk është e barabartë dhe ku asaj nuk i njihet shtetësia dhe sovraniteti, fyerja dhe lëndimi që iu bë asaj në takimin e fundit në Tiranë, përfshirë edhe tiradat përçmuese të kryeministrit të Shqipërisë, kap përmasat e një hakmarrje të paarsyeshme dhe me konotacion të frikshëm për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, shkruhet në reagimin e ASHAK

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës vijon kritikat ndaj Ramës, ndërsa e akuzon atë për indiferencë ndaj agresionit serb.

“Në Tiranë, bashkë me mohimin e agresionit serb mbi Kosovën, të mijëra të vrarëve e të masakruarve, të deportimeve dhe shkatërrimeve të papara, përveç që u promovua indiferenca zyrtare e Shqipërisë dhe mohimi i kësaj memorie kombëtare, duke e quajtur këtë histori të Kosovës “pyetje patetike”, shton Akademia kosovare.

Duke përsëritur kundërshtimin e fortë për “Mini-Shengenin Ballkanik”, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kritikon shoqërinë civile dhe botën akademike në Shqipëri për mosreagimin ndaj sulmeve të Edi Ramës karshi Prishtinës.

Back to top button