Shqipëri: Nevojiten ndërtime rezistente ndaj tërmeteve

Jetët e humbura dhe bilanci i dëmeve kërkojnë reflektime për situatën e ndërtimeve në territorin e Shqipërisë, thotë DW.

51 jetët e humbura dhe një bilanc i rëndë dëmesh pas tërmetit të 26 nëntorit nxisin reflektime mbi situatën e ndërtimeve në territorin e Shqipërisë, që në hartën botërore të sizmologjisë është me ngjyrë të kuqe: pra, me rrezik të lartë të goditjes nga tërmetet. Arkitekti i mirënjohur, Artan Raҫa, i nominuar për disa ҫmime europiane, thotë për DW se dëmet nga tërmeti janë pasojë e mungesës në Shqipëri të një politike urbane kombëtare.

Loading...

“Ka nevojë urgjente për një politikë urbane kombëtare të qëndrueshme dhe afatgjatë. E shoqëruar me një infrastrukturë të zhvilluar, që lidh qendrat e vogla urbane, një politike kombëtare do të ndalonte si shpopullimin e zonave të tëra ashtu edhe mbipopullimin, përqëndrimin e popullsisë në 2 – 3 qendra, në Durrës, Tiranë apo diku tjetër”, thotë ai.

Raca thekson se ndërtesat e shkatërruara dhe ato të dëmtuara tregojnë “mungesë serioziteti në të gjitha hallkat e ndërtimit: nga konstruktorët, inxhinierët e materialeve të ndërtimit, inxhinierët e tokave. Tërmeti i 26 nëntorit tregoi se ndërtimi është akti më i rrezikshëm shoqëror” vë në dukje arkitekti.

“Ka patur një histeri dhe shpejtësi ndërtimi në Shqipëri, sidomos në dy dekadat e fundit, hedhja e betonit ka qënë si një terapi. Është parë fitimi i shpejtë në kurriz të ngritjes së banesave të qëndrueshme dhe dinjitoze. Mungon një kod, ku të jenë përcaktuar me hollësi deri edhe materialet e ndërtimit që do të përdoren në përputhje me shkallën e rrezikut nga tërmeti”, është komenti i tij.

Sado paradoks të duket, është një fakt jo sekret: Shqipëria përdor kodin e ndërtimit të vitit 1989, të para 30 viteve! Inxhinieri konstruktor, Armand Shehu, thotë për DW se tërmeti tregoi domosdoshmërinë e ndryshimeve cilësore në procesin e ndërtimit.

“Duhet të hiqet nga përdorimi kodi shqiptar i ndërtimit i vitit 1989 dhe të bëhet detyrim ligjor përdorimi i Eurokodeve. Duhet bërë një hartë e re sizmike për territorin e Shqipërisë, që çdo objekt i ri që do të ndërtohet, të ketë me detyrim studimin gjeologjik dhe sizmik. Nuk duhet në asnjë mënyrë që në objektet ekzistuese të lejohet ndërtimi i kateve shtesë. Kjo praktikë e toleruar deri tani, është shumë e rrezikshme, siç tregoi tërmeti i 26 nëntorit” shprehet Shehu.

Loading...
loading...
Back to top button
Close