“Mëvetësim kishtar dhe ndërgjegjësim kombëtar”

NOLI METROPOLIT I KISHËS SHQIPTARE

Ortodoksia shqiptare shënon ditën e sotme, 96-vjetorin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historik. Më 4 dhjetor 1923, peshkopi i zgjedhur Theofan Noli, u shugurua Mitropolit i Durrësit dhe i Tiranës në Korçë, që asokohe nënkuptonte krijimin e selisë së qendrës ortodokse në Shqipëri.

Akti i dorëzimit u mbajt nga Eksarku Patriarkal dhe Mitropoliti i Korçës, Jerotheo Andon Jaho dhe Peshkopi i Beratit, Kristofor Kisi, kryepeshkopi i mëvonshëm i KOASh-it. Kështu, për herë të parë u formua Sinodi i Kishës Kombëtare në Shqipëri.

Loading...

 

Kjo datë e shënuar, mban disa të vërteta dhe mësime historike:

1.Dy hierarkë shqiptarë të Patrikanës Ekumenike, hirësitë Jorotheo dhe Kristofor, u kthyen në Shqipëri nga Turqia dhe iu bashkuan lëvizjes shqiptare për autoqefali, duke vënë Atdheun mbi gjithçka, në kundërshtim të udhëzimeve dhe kërcënimeve të Fanarit.

2.Krijimi i bërthamës së parë sinodike në Shqipëri njohu dhe përligji Kongresin e Beratit, i cili kishte shpallur autoqefalinë një vit më parë, dhe dha një shenjë fuqie dhe denjësie në të gjitha drejtimet.

3.Ngritja kanonike e Imzot Nolit në Mitropolit, i dha shtysë përdorimit të gjuhës shqipe në Kishë, duke imponuar përkthimet e tij liturgjike, kundër pretekstit të mëparshëm se statusi kishtar i Përkthyesit ishte i pikëpyetur.

4.Dorëzimi kanonik i Imzot Nolit, lehtësoi riorganizimin dhe fuqizimin e diasporës shqiptare ortodokse në Amerikë, mbas largimit të tij nga Shqipëria, gjë që përndryshe do të ishte shumë e vështirë dhe me numra të cunguar.

5.Në Korçën e dhjetorit të vitit 1923, u shpalos një faqe e lavdishme në historinë tonë, andej nga doli një mesazh historik kaq i fortë, saqë Patrikana nuk mori masa ndëshkimore kundër tre hierarkëve, edhe pse Shqipëria ishte nën juridiksionin e saj.

Heshtja e Fanarit përligji kryengritjen shqiptare për mëvetësim kishtar dhe ndërgjegjësim kombëtar.

Kjo arritje e madhe, për të sjellë në gjuhë e trajtë vendore besimin ortodoks, u bë e mundur në sajë të një bashkëpunimi dhe bashkëveprimi midis veprimtarëve të ndriçuar, shtetit shqiptar, intelektualëve ortodoksë dhe besimtarëve, klerikë e laikë. Ky konfiguracion sot është krejt i pamundur.

I përjetshëm kujtimi i tyre!

Loading...
loading...
Back to top button
Close