Delet e diellit të Apolonisë

Moikom Zeqo

 Herodoti, Libri IX-të.  Subjekt që ka ndodhur në Apoloninë e Ilirisë.

Loading...

Vërtetësia e ngjarjes është e padyshimtë.

Në Apoloni ishte një kope dhensh kushtuar Diellit.

Ditën, dhentë e Diellit i kullosnin tek brigjet e Lumit Aos (Vjosa), që rrjedh nga Mali i  Lakmonit, kalon në territorin e Apolonisë dhe pastaj derdhet në det.

Apoloniatët i adhuronin dhentë e Diellit.

Natën, këtë kope të shenjtë e ruanin qytetarët më të pasur dhe më të famshëm të Apolonisë.

Prej tyre zgjidhej çdo vit një bari.

Apoloniatët, sipas një profecie të hyut Apolon, i vlerësonin shumë këto dhen, të cilave vetëm mund t’i pinin qumështin, që kishte efekte magjike për të shëruar të sëmurët, për të luftuar epidemitë, madje dhe për të ringjallur të vdekurit.

Natën, këto dhen ruheshin në një shpellë të madhe, larg qytetit.

Në kohën kur bari i dhenve të Diellit u zgjodh Eveni, të gjithë e dinin, për shak të karakterit fisnik dhe diturisë së Evenit, se ai ishte një bari i denjë dhe i përsosur.

 

Por, një natë, Evenin e zuri gjumi.

Befas ujqërit hynë në shpellë dhe i çanë dhe përgjakën 60 dhen.

Në mëngjes Eveni e kuptoi katastrofën, por nuk tregoi, sepse mendoi që fshehtas t’i zëvendësonte dhentë e humbura, duke blerë të tjera.

Ai arriti që t’a maskojë për shumë kohë të vërtetën.

Por shpejt ky sakrilegj u zbulua.

Banorët e Apolonisë, të zemëruar, i bënë gjyq Evenit, dhe e dënuan duke ia nxjerrë të dy sytë, për shkak se fjeti gjatë rojes së tij.

Eveni, i verbuar, ulërinte dhe vërtitej nëpër rrugët e Apolonisë.

Por ai e dinte se ky dënim qe i pashmangshëm.

 

Banorët i varrosën 60 dhentë dhe ngritën mbi varrin e tyre një obelisk të lartë prej mermeri.

Ata besuan se e kishin qetësuar ndërgjegjien e tyre.

Askush nga rojtarët e tjerë nuk do t’a përsëriste më këtë gabim.

Por çfarë ndodhi?

Papritur delet ndërprenë pjelljen e qëngjave.

Lumi vërshoi dhe e përmbyti qytetin, toka nuk dha më prodhim.

Pse vallë?

Atëherë, banorët e Apolonisë, dërguan njerëz në tempullin e Dodonës dhe në tempullin e Delfit, dhe mbasi dërguan shumë dhurata floriri ex-voto, i pyetën orakujt për shkakun e këtij mjerimi të madh.

Ata u tmerruan nga thëniet e orakujve se, ata ishin fajtorë për verbimin e ruajtësit të dhenve të shenjta, se ishin vetë Zotat ata që i dërguan ujqërit, dhe se mjerimi i Apolonisë nuk do të ndërpritej përderisa i verbuari, Eveni, nuk do të jepte një pëlqim, për t’u kënaqur me një kompesim të së keqes që iu bë atij.

 

Pas këtyre thënieve të orakujve, krerët e Apolonisë menduan diçka.

Disa qytetarë, që ishin në dijeni për çka ishin shprehur orakujt, duke e mbajtur të fshehtë, shkuan tek Eveni.

E gjetën të ulur në një stol druri, pranë pragut të shtëpisë.

Fytyra e tij, me sytë e nxjerra, qe e tmerrshme për t’u parë.

Mbasi i shprehën me fjalë të stërholluara keqardhjen për fatkeqësinë, e pyetën pafajsisht se cila do të ishte dëshira e Evenit që, për të shpaguar të keqen që i kishte ndodhur, të mund të mbetej i kënaqur edhe ai.

 

Eveni, që s’dinte asgjë për orakujt, tha se nëse i jepeshin pronat e dy qytetarëve, që konsideroheshin më të mirat në Apoloni, dhe përveç këtyre një shtëpi, që siç mendonte ai ishte më e mira në qytet, ai do t’a konsideronte se me këto dhurata do të ishte plotësisht i kënaqur.

 

Atëherë ata që rrinin rreth stolit të tij, i thanë: “Even!  Këto kërkesa do të ti plotësojmë menjëherë, për thëniet e orakujve, për shkak se ne të verbuam ty!”.

Por kur mësoi për këtë, Eveni u inatos me veten, për arsye të mosditjes, sepse mund të kishte kërkuar më shumë.

 

Kështu u mbyll kjo ngjarje në Apoloni.

Pas kësaj Evenit i erdhi një talent hyjnor, u bë një nga fatthënësit më të famshëm.

Turmat e njerëzve vinin tek ai, dhe i verbëri u bë një profet i sigurt.

 

Djali i Evenit quhej Deiton.

Duke parë suksesin e të atit, donte të hiqej dhe ai si një profet.

Ndryshe nga Eveni, ai hidhte fall kundrejt pagesës.

Por ai nuk qe profet.

Qe thjesht një mashtrues.

Madje Herodoti thotë se nuk qe fare e sigurt që Deitoni qe biri natyror i Evenit, por hiqej sikur ishte biri i tij.

Eveni ishte bërë profet nga zotat, jo nga njerëzit.

Talenti i profecisë nuk mund të trashëgohej.

Eveni kishte fëmijë të tjerë.

 

Historia tregon se një nip i tij i quajtur Hegesistrat, shkoi në Elida.

Edhe këtij nipi i lindi idea për t’u hequr si profet.

Tek ai shkuan spartanët, për t’u treguar fatin e betejës së famshme të Plateas.

Ai dha një profeci të rreme, ndaj spartanët i vunë prangat, e futën në një burg, duke ia fashuar njërën këmbë me një kallëp druri të lidhur me zinxhirë.

Rastësisht, Hegesistrati mundi të shtjerë në dorë një thikë, që ia solli dikush në birucë.

Ai mendoi në çast për veprimin më të guximshëm, që mund të kryejë njeriu i rënë në fatkeqësi.

Hegesistrati preu me thikë shputën e këmbës së tij, për ta nxjerrë pjesën tjetër të këmbës nga kallëpi.

Pas kësaj ai gërmoi murin, meqënëse daljen e ruanin rojat, dhe kështu u arratis në Tegea.

Spartanët u habitën kur e panë burgun bosh dhe mbi dyshemenë e ngurtë një shputë të prerë dhe të përgjakur.

Thuhet se ata e derdhën në flori këtë shputë, nga frika e ndonjë mallkimi të zotave.

Shputën prej ari e dërguan në Dodonë.

Hegesistrati përgatiti për veten e tij një shputë druri dhe u bë armik i betuar i spartanëve.

Ai u kthye në Apoloni.

Donte të përfitonte nga fakti që qe nip i Evenit.

Banorët e Apolonisë u habitën kur e panë njeriun me këmbë druri.

Ata dyshuan por nuk e dinin të vërtetën.

Por një qytetar i Apolonisë pa në tempullin e Dondonës shëmbëlltyrën prej ari të shputës së prerë.

U kthye në Apoloni dhe e tregoi të vërtetën.

Banorët e Apolonisë ia dorëzuan Hegesistratin spartanëve, të cilët e vranë atë.

Në shpellën larg qytetit të Apolonisë, dhentë e Diellit ruheshin si gjithmonë.

Njerëzit e dinin se Eveni u bë profet jo nga vetvetja, ndërsa të rremët vetshpalleshin.

Ky ishte ndryshimi i madh.

 

Eveni vdiq i nderuar dhe e varrosën pranë monumentit me obeliskun përkujtimor të 60 dhenve të shqyera nga ujqërit.

Këtu ndërpritet subjekti.

Mund të shtohen shumë skena me ndihmën e përfytyrimit, duke bërë kapërcime mbi realitetin.

Mbas kaq shekujsh nuk ka më dhenë të Diellit dhe

Apolonia është një qytet arkeologjik.

Dhen ka kudo, grigja të mëdha që kullosin në Shqipëri.  Por nuk ka dhen të Diellit.

Pse apoloniatët ia kushtuan këto dhen Diellit?

Kjo mbetet një mister.

Janë misteret që ngjizin ngjarjet.

Ato vënë në lëvizje dhe fjalët e padukshme.

Të shkruarit e fjalëve krijojnë një dukshmëri, por kjo nuk na lejon që të shikojmë të vërtetën përherë të padukshme.(1993)

Loading...
loading...
Back to top button
Close