Shpronësohet toka për ndërtimin e varrezave greke në Këlcyrë

Pasi të shpronësohet nga bujqësore statusi i pronës do të kalojë në tokë për varreza

Qeveria ka miratuar sot shpronësimin për interes publik të pronarit të pasurive të paluajtshme pronë private, që preket nga ndërtimi i varrezave të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941 në Këlcyrë. Pasi të shpronësohet nga bujqësore statusi i pronës do të kalojë në tokë për varreza.

Varrezat greke në Këlcyrë po ndërtohen pas marrëveshjes mes Tiranës dhe Athinës në 25 mars të vitit 2010 në kohën e qeverisë Berisha për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941.

Loading...

VENDIMI I PLOTE
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarakëve grekë, të rënë gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941”, në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr.10256, datë 25.3.2010.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Ministrisë së Mbrojtjes.

3. Pronari i pasurive të paluajtshme, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “arë”, me vlerë 448 000 (katërqind e dyzet e tetë mijë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 448 000 (katërqind e dyzet e tetë mijë) lekësh dhe shpenzimet procedurale, në vlerën 59 000 (pesëdhjetë e nëntë mijë) lekë do të përballohen nga Ministria e Mbrojtjes.

5. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

6. Pronari, sipas të dhënave të tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur pranë Ministrisë së Mbrojtjes certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit.

7. Ministria e Mbrojtjes të kryejë procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

8. Afatet për kryerjen e punimeve të jenë në përputhje me parashikimet e projektit “Mirëmbajtja, rinovimi dhe zgjerimi i varrezave të grekëve të rënë në luftën e viteve 1940-1941 në Këlcyrë, Shqipëri”.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të shtetit.

10. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në tokë urbane “truall/varreza”, të pasurive me nr.364/20 dhe nr.364/21, zona kadastrale 2131, në Këlcyrë, sipas të dhënave në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.

11. Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Qarku Gjirokastër, të pasqyrojë ndryshimin e kategorisë së resursit në dokumentacionin kadastral për pasuritë, sipas të dhënave në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi.

12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit.

13. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Qarku Gjirokastër, për zbatimin e këtij vendimi.

Loading...
loading...
Back to top button
Close