Gjuha shqipe nuk po respektohet në Mal të Zi

Nga KKSH theksuan edhe nevojën e themelimit të një zyreje për përkthime nga gjuha malazeze në atë shqipe

Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Komunën e Tuzit dje zhvilloi një takim me ekspertët e Këshillit të Evropës, të cilët monitorojnë zbatimin e Konventës kuadër për mbrojtjen e gjuhëve të minoriteteve dhe pakicave kombëtare në Malin e Zi.
Siç thuhet në komunikatë të kryetarit të KKSH-së, Faik Nika, në këtë takim raportuan për gjendjen aktuale të respektimit ose jo të dygjuhësisë në Mal të Zi, në ato komuna dhe institucione qendrore që parasheh ligji dhe konventa, përcjell portali Malësia.

Loading...

“Me fakte dëshmuam për rastet e mosrespektimit të dygjuhësisë, sidomos në sinjalistikën rrugore, orientuese dhe toponiminë në zonat ku shqiptarët përbëjnë një numër të konsiderueshëm të popullatës, me theks të veçantë në komunat si Plava, Gucia, Tivari e Rozhaja, por gjithashtu, vlen të përmendet edhe raportimi i rasteve pozitive. Po ashtu, raportuam edhe për problematikën e gabimeve në përkthimet e teksteve shkollore, emrat e personazheve ilustrues në tekste dhe toponiminë, po në këto tekste”, deklaroi Nika.

Kreu i KKSH-së, në këtë takim theksoi se sa i përket arsimit, shqiptarët duhet të kenë përfaqësuesin e vet në Këshillin Kombëtar për Arsim të Malit të Zi, i cili duhet të propozohet nga Këshilli Kombëtar. Nga KKSH theksuan edhe nevojën e themelimit të një zyreje për përkthime nga gjuha malazeze në atë shqipe dhe anasjelltas, të dokumenteve zyrtare, ligjeve, vendimeve, raporteve, përfundimeve etj., që miratohen nga organet e ndryshme vendimmarrëse. Kjo zyrë duhet të themelohet sa më parë dhe propozojnë që funksionimi i saj të mbulohet nga Qeveria e Malit të Zi. Siç kumtohet, Këshilli Kombëtar edhe në të ardhmen do të raportojë me korrektësi për gjendjen e përdorimit të gjuhës shqipe aty ku e parasheh ligji dhe, po ashtu, me fakte do të bëjë vërejtjet e nevojshme në raportet përkatëse.

Loading...
loading...
Back to top button
Close