“Shota” koncert madhështor për Shqipërinë

 “Natyrisht më tepër është ndihmë morale”, tha drejtori i Ansamblit Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj, pas përfundimit të koncertit me karakter humanitar, që ky ansambël realizoi mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku të ardhurat nga biletat e shitura do të shkonin për familjen Abazi nga Gjilani, e prekur nga tërmeti në Shqipëri, sipas KultPlus.com

Publikun po e dominonte mosha mesatare, shumë prej tyre gjatë gjithë kohës ishin me telefona në duar, duke incizuar performancat që u dhanë aty. Këngë me motive patriotike, tupana dhe instrumentet tjera popullore, valle nga trupat me veshjet kombëtare, ishin materiali artistik që nuk duhej vetëm të shijohej, prandaj edhe incizohej.

Loading...

Viloletë Kukaj, Ganimete Asllani, Riza Bytyçi, Sokol Latifi, Mirvete Haziri, Majlinda Cikaçi, Saranda Aliaj, si dhe Liridon Sadriu, ishin të përzgjedhurit që i dhanë frymë dhe energji koncertit. Kur kënga e fundit përfundoi dhe u mendua se koncerti po mbyllej, në skenë u dha edhe vallja “Suitë e Hasit” e cila po jepej premierë nën veshjet plot kolorit të trupës së valltarëve.

Drejtori i Ansamblit “Shota”, Shfeqet Gjocaj, në një intervistë për KultPlus, fillimisht ka folur për çështjet organizative dhe përmbajtjesorr të koncertit si dhe për qëllimin humanitar të tij.

Organizimi ka qenë i planifikuar të mbahet për Festën e 28 Nëntorit, kështu që në përmbajtje e ka mbajtur atë karakter, siç e keni parë tematikat e këngëve ka qenë e orientuar në atë frymë, dhe meqë është anuluar koncerti herën e parë për shkak të tërmetit në Shqipëri, ne donim që pikërisht me atë shkak të realizojmë këtë koncert humanitar, dhe këto mjete që janë grumbulluar prej biletave ti dhurojmë për familjen Abazi nga Gjilani”.

Tutje, Gjocaj ka folur edhe për mesazhin që kanë dashur ta përcjellin përmes këtij koncerti për të prekurit në Shqipëri.

Unë shpresoj që sado pak t’ia lehtojmë dhimbjen familjes Abazi me këtë ndihmë tonë modeste materiale, natyrishit më tepër është ndihmë morale, që të ju tregojmë se ne jemi me ta, ne kemi bashkëndje me të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Sikur të gjithë shqiptarët, edhe ne si individ dhe si institucion kemi dashur të solidarizohemi”.

Përgjegjësi artistik i koncertit, Ylber Asllanaj, ka përgëzuar trupën e ansamblit si dhe koreografin për paraqitjen e tyre mbrëmë.

“Natyrisht jam shumë i kënaqur me trupën me entuziazmin që e kanë treguar përkundër që na e ka hidhëruar këtë festë fatkeqësia në Durrës dhe Thuman, koncerti siç e dini ka qenë i përgatitur për Ditën e Flamurit por ja që ndodhi ajo dhe megjithatë mua si përgjegjës artistik më mbetet t’i falënderoj edhe koreografin për koreografinë e re edhe trupën për angazhim”.

Asllanaj, duke komentuar në përgjithësi ndihmën e artistëve shqiptar dhënë pas tragjedisë në Shqipëri tha se secili kontribuon ne atë që di më së miri.

Unë mendoj se është obligim nuk është diçka që nuk do të bënte gjithkush për secilin, natyrisht në fatkeqësinë e kombit secili duhet të kontribuojë me atë që di më së miri, dhe natyrisht edhe komuniteti artistik e ka dhënë kontributin në rrugën e vet për të cilin unë mund t’i përgëzoj”.

Koreografi, Xhemail Berisha, ka thënë se koncerti është mbajtur në “momentin e duhur”, teksa përveç në aspektin kohor e ka vlerësuar edhe nga mbarëvajtja e tij.

Momenti për koncertin humanitar ka qenë i duhur dhe i qëlluar dhe prandaj shprehim ngushëllimet të gjithë atyre që humbën më të dashurit e tyre. Ne e bëmë atë çfarë mund të bëjmë dhe besoj që i gjithë koncerti ka qenë në një nivel shumë të mirë.

Pas përfundimit të koncertit, mbrëmja ka vazhduar me një koktej rasti të organizuar në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Nga: Qëndrim Badalli

Loading...
loading...
Back to top button
Close