VOA: Shqipëria, me nivel të lartë të vdekjeve nga aksidentet në punë

Gjatë këtij viti ka shkuar në 25 numri i punëtorëve, që kanë humbur jetën gjatë punës në kantiere ndërtimi dhe firma prodhuese.

Sindikatat ankohen për shkallën e ulët të sigurisë në punë, por sipas tyre, papunësia e lartë është shkaku kryesor, që punëtorët pranojnë të punojnë në këto kushte dhe me paga të ulëta.

Loading...

Policia e Tiranës njoftoi sot se ka arrestuar pronarin e firmës “Skela Syla”, tre javë pas incidentit tragjik në periferi të Tiranës, ku dy punëtorë ndërtimi humbën jetën gjatë punës.

46 vjeçari Petrit Syla është personi i dytë, që mbahet përgjegjës nga prokuroria për vdekjen e dy punëtorëve, teksa skelat e hekurit u shkëputën nga një pallat gjatë rikonstruksionit.

Prokuroria kërkoi ndalimin e tij dhe të një personi tjetër pas vdekjes në punë të dy punëtorëve, 31 dhe 36 vjeç.

Kompania “Xhimi” me përvojë 3 vjeçare, dhe “Skela Syla” me përvojë 11 vjeçare janë në proces hetimi për incidentin. E para nuk ishte kontrolluar asnjëherë nga inspektoriatet, ndërsa e dyta ishte inspektuar plot 16 herë në një dekadë.

Incidentet e punëtorëve në kantieret e ndërtimit dhe firmat prodhuese janë të shpeshta në Shqipëri. Nga janari deri sot janë regjistruar  99 incidente, nga këto 25 punëtorë kanë humbur jetën dhe pothuaj të gjitha (21 raste) i përkasin sektorit të ndërtimit. Inspektoriati Shtetëror i Punës ka hetuar 114 subjekte private për mënyrën se si trajtojnë punëtorët, dhe ka vendosur 34 gjoba dhe 29 dënime administrative për të ndikuar sigurinë e punëtorëve dhe ruajtjen e shëndetit të tyre në punë.

Sindikatat e pakta dhe të pafuqishme ankohen shpesh në Shqipëri për masat e ulëta mbrojtëse nëpër kantieret e punës dhe prodhimit.

Pjesën dërrmuese të aksidenteve në punë e ka sektori i ndërtimit, minierat, energjia, uji dhe në fund shërbimet publike.

Shqipëria është midis vendeve me nivel të lartë të vdekjeve nga aksidentet në punë.

Mesatarja e BE-së është 1.8 vdekje për 100 mijë punëtorë, ndërsa Shqipëria deri tani e ka praktikisht këtë viti mesataren e vdekjeve në punë së paku 4 herë më të lartë se Bashkimi Europian.

Shqipëria gjendet përgjithësisht në vështirësi të mëdha sa u takon kushteve të rënda të punës dhe pagave të ulëta për një pjesë, dhe papunësisë së lartë për pjesën tjetër të banorëve.

Minierat janë sektori më i rrezikshëm me kushte pune minimale, ku vazhdojnë të humbin jetën jo pak minatorë.

Në 5 vitet e fundit kanë humbur jetën në vendin e punës 42 minatorë.

Qytetet pranë minierave shqiptare janë tejet të varfëra dhe shumë të mitur shfrytëzohen për punë të ndryshme.

Studiues të ekonomisë pohojnë se përpjekjet e qeverisë për të hapur vende të reja janë të pamjaftueshme.

Sipas tyre, papunësia e vërtetë është së paku 2 deri në 3 herë më e lartë se sa statistikat qeveritare.

Papunësia e lartë është shkaku kryesor pse punëtorët pranojnë të punojnë në kushte të vështira dhe me paga të ulëta, nga frika e zëvendësimit të menjëhershëm.

Pjesa dërrmuese e të papunëve po emigrojnë në shtete të tjera për të mbijetuar, dhe jo për një jetë më të mire, duke lënë prapa varfërinë e thellë.

Punëtorët në Shqipërinuk trajtohen me dinjitet, thonë vëzhgues të ekonomisë, mbahen me paga e sigurime të ulëta, me shëndetësi të pagarantuar dhe pa kushte teknike, ndërsa punojnë edhe në ditët e pushimit dhe u shkelen të drejtat të tjera si punëtorë dhe si qytetarë.

Burimi: VoA

Loading...
loading...
Back to top button
Close