1940/ Shqipëria kujdesej për kulturën kombëtare

TAKSË PARFUMEVE PËR LIBRAT NË GJUHËN SHQIPE

Qeveria shqiptare në fund të tetorit të vitit 1943, kur vendi ndodhej nën pushtimin e trupave ushtarake gjermane, ndërmerr një iniciativë që mund të konsiderohet si e pazakontë për stadin zhvillimor dhe situatën komplekse ku ndodhej vendi në atë periudhë.

Me qëllim krijimin e një fondi të veçantë për shtypjen e librave në gjuhën shqipe, ndërmerret një lëvizje fiskale që në thelb parashikon vendosjen e një takse të posaçme për disa mallra luksi; specifikisht për parfumet, pudrat, kolonjat e produktet e tjera kozmetike që prodhoheshin apo importoheshin në vend.

Advertisement

Revista “Leka” e marsit të vitit 1944, në rubrikën “Lajme kombëtare”, raporton për vendimin e marrë me 30 tetor të 1943, kur s’kishte pak javë që kishte kapitulluar Italia e vendin e saj, në Shqipëri e kishte zënë ushtria gjermane. Vendimi parashikonte krijimin e “Fondit për Zhvillimin e Kulturës Kombëtare”.

 

Taksa 10 për qind për parfumet, kremrat e produktet e tjera kozmetike

Ky fond u krijua pranë ministrisë së Kulturës Popullore dhe do të sigurohej përmes një takse prej 10 për qind mbi çmimin e shitjes së parfumeve, pudrave, kremrave e locioneve të ndryshme. Me të njëjtën masë taksoheshin edhe librat e huaj që shiteshin në Shqipëri.

“Fondi i Zhvillimit të Kulturës Kombëtare do të jetë i derdhur pranë Bankës Kombëtare të Shqypnis. Evidenca e tij do të mbahet prej Kontabilitetit të Shtetit” përcaktohej në vendim.

Kjo taksë parashikohej të arkëtohej përmes një pulle të veçantë, që ngjitej mbi shishet me parfum e në librat e huaj, duke iu mbivendosur vulës që mbante emrin e tregtarit të produktit.

Të ardhurat që siguroheshin përmes kësaj skeme e që derdheshin në “Fondin për Zhvillimin e Kulturës Kombëtare” do të caktoheshin për shtypjen ose rishtypjen e librave në gjuhën shqipe, ashtu sikurse edhe për çeljen e bibliotekave në trojet shqiptare ku ishte e nevojshme.

 

 

Sipas këtij vendimi, ky fond t’i kushtonte një vëmendje të veçantë “Tokave të lirueme” në të cilat bënin pjesë trojet shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

Fondi administrohej prej një Komitetit të përbërë prej Ministrisë së Kulturës Popullore, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave si dhe prej një shkrimtari të njohur të zgjedhur prej Ministrisë së Kulturës Popullore dhe të një profesori të gjimnazit të emëruar prej ministrisë së Arsimit.

Ministria e Financave ngarkohej për vënien në zbatim dhe me ndjekjen dhe penalizimin e kundravajtjeve, në rastet kur tentohej të shmangej taksa 10 për qind e çmimit të shitjes së këtyre produkteve.

Back to top button