Ministri nga Kosova shkon në Stamboll, bën fushatë pro kandidatit të Erdoganit për Kryetar

Ministri i Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës, Mahir Yagcliar, ka marrë pjesë në fushatën zgjedhore që po mbahet në Turqi në prag të zgjedhjeve, duke i dhënë kështu përkrahje Binali Yildirimit, kandidatit të partisë së Erdoganit për kryetar të Stambollit.

Binali Yildirim është kandidati i partisë AK për bashkinë e Stambollit dhe së fundmi ka zhvilluar një takim me qytetarë turq me origjinë nga Ballkani, ku mesa duket dominonin shqiptarët. Duke përdorur në shqip fjalën ‘besa besë’, Yildirim ka premtuar se në Stamboll do të promovojë paqen dhe ndjenjën e përbashkët.

Loading...

“Shqiptarët kanë një fjalë, ‘besa besë’. Kjo fjalë është betim i madh. Më i rëndësishëm se gjithçka. Nëse një person thotë ‘besa besë’, koka shkon por premtimi përmbushet. Edhe unë juve ju them ‘besa besë’. Ju jap fjalën e Binali Yıldırım. Në Stamboll do të shërbejmë në paqe dhe me një ndjenjë të përbashkët”, është shprehur kandidati i partisë në pushtet.

Yildirim theksoi se si Turqi do të bëjnë atë që është e nevojshme për qetësinë, paqen dhe ardhmërinë e Ballkanit ashtu siç kanë bërë deri më tani.

Pas fjalimit, Yildirim vendosi në kokë një qeleshe që i ishte dhuruar gjatë takimit.

Binali Yildirim ka qenë më parë kryeministër i Turqisë dhe kryetar i Parlamentit, detyrë të cilën e dorëzoi për të kandiduar për bashkinë e Stambollit. Zgjedhjet lokale do të zhvillohen më 31 mars.

Loading...
Back to top button