Shifrat, miti i shqiptarëve të punësuar në Itali

Shqiptarët në Itali përbëjnë komunitetin e dytë më të madh të emigrantëve jashtë vendit, pas atyre në Greqi.Që pas dyndjes së parë, të vitit 1991, shifrat kanë ndryshuar. Shumë mite dhe imazhe të gabuara të krijuara gjatë atyre viteve, apo edhe më vonë, tashmë kanë rënë. Ndërkohë që janë krijuar imazhe por edhe mite të reja. Pjesa dërrmuese i`a kanë dalë që t`i thyejnë mitet e vjetra me punë, ndërsa pjesa tjetër, duke mos punuar kanë vulosur tabutë e mentalitetet e së shkuarës.Ndër të tjera, shifrat tregojnë se shqiptarët në Itali, janë nga ata emigrantë që nuk e kthejnë kokën pas drejt vendlindjes së tyre. Ata po investohen maksimalisht në ndërtimin e një të ardhme tjetër, në një vend tjetër, me një mentalitet tjetër. Për të faktuar një pamje të re, apo edhe për të përligjur disa klishe, do të na hyjnë në punë shifrat e mëposhtme, të cilat janë pjesë e një raporti për të huajt në tregun e punës në Itali, të publikuar pak kohë më parë.Rekordi numër një: punëtorët më të mëdhenj në ItaliShqiptarët janë grupimi më i madh i të punësuarve të huaj në Itali dhe këtë e thonë të dhënat. Shqiptarët që punojnë në Itali janë 167.478, ose 15.2% të totalit të të huajve që punojnë në vend. Më pas ndjekin kinezët dhe marokenët. Pra, shqiptarët janë të parët në klasifikimin e ekstra komunitarëve. Kjo, pavarësisht faktit se shqiptarët nuk janë grupimi më i madh i emigrantëve në vend. Këtë pozicion e mbajnë qytetarët nga Maroku me 12.2%, ndërkohë që shqiptarët i ndjekin direkt më pas me 11.9%.Pas shqiptarëve sa i përket numrit absolut të të punësuarve në vend e mbajnë emigrantët nga Maroku me 141 mijë të punësuar dhe më pas ata nga Kina me 106 mijë të punësuar. Në këtë studim të zgjeruar nuk përfshihen rumunët, duke qenë se janë pjesë e Bashkimit Europian dhe përfitojnë nga një treg i unifikuar pune, si dhe lëvizja e lirë. Në Itali numërohen 441 mijë shqiptarë, sipas të dhënave që i referohen 1 Janarit të vitit 2018. Kjo do të thotë se, 53.8% e shqiptarëve që jetojnë në Itali, të moshës 15 deri 64 vjeç janë në marrëdhënie pune. Duke pasur parasysh këtu edhe normën e lartë të informalitetit, sidomos për të huajt e sidomos në sektorët ku shqiptarët janë të punësuar masivisht, shkalla e punësimit mund të jetë edhe më e lartë.Papunësi rekord, dy herë sa mesatarja kombëtarePor, nga ana tjetër, norma e papunësisë ndër shqiptarët e Italisë fiksohet në 17.5%, relativisht e lartë në krahasim me mesataren kombëtare, që është 9.7%. Pra thuajse dy herë më e lartë. Shqiptarët kanë normën e katër më të lartë të papunësisë mes të huajve në Itali. Pra, ndërkohë që shqiptarët janë ata që punojnë më shumë mes të huajve në vendin fqinj, janë edhe ata që vuajnë ndër normat më të larta të papunësisë. Kjo do të thotë se, shqiptarët janë pa diskutim më aktivët në tregun e punës.Pra, shqiptarët nuk janë vetëm punëtorët më të dalluar, në drejtim të vëllimit të punës, por edhe punëkërkuesit më të mëdhenj. Te femrat shqiptare që jetojnë në Itali, norma e papunësisë ngjitet në 24%, çka i jep edhe më shumë ngjyrime problemit. Gjithsesi, kjo është edhe rrjedhojë e një mentaliteti ende “shqiptar”, pra me femrat që janë të mësuara të rrinë në shtëpi duke u marrë me rritjen e fëmijëve. Kjo faktohet shumë mirë nga normat e lartë e inaktivitetit në tregun e punës.Më shumë se gjysma e tyre nuk janë fare aktive në këtë treg, çka do të thotë se as punojnë e as nuk kërkojnë punë. Kjo normë fiksohet në 54% për shqiptaret që jetojnë në Itali. Te meshkujt, ndërkohë, kjo normë fiksohet në 20%. Por, nga ana tjetër, papunësia e lartë te femrat shqiptare në Itali, ku thuajse 1/4 e punëkërkueseve nuk e gjen atë, është rrjedhojë edhe e mungesës së edukimit dhe trajnimeve. Një pjesë e madhe e tyre kanë kryer tradicionalisht punë që lidhen me mirëmbajtjen e shtëpisë apo personit. Por, me krizën ekonomike që ka kaluar Italia, nga e cila ende nuk e ka marrë veten, oferta për këto lloj punësh ka rënë ndjeshëm. Kjo është reflektuar drejtpërdrejt në punësimin e shqiptareve.Ku punojnë shqiptarët në Itali?Të dhënat i takojnë fundit të vitit 2017 dhe tregojnë fakte mjaft interesante edhe për sektorë të caktuar. Rreth 41 mijë shqiptarë janë sipërmarrës të kategorive të ndryshme në Itali. Ndërsa në total nga 167 mijë të punësuarit shqiptarë në Itali ndahen kështu: 30% e tyre ose 48 mijë në sektorin bujqësor, 16% ose 26 mijë në sektorin e ndërtimit, 11 mijë ose 7% në industri, 4.5% ose 7000 në sektorin e tregtisë dhe riparimeve, ndërsa 43.4% ose 72 mijë në sektorin e shërbimeve, që në pjesën dërrmuese përfshijnë bare dhe restorante.Gjithsesi, në drejtim të shpërndarjes, shqiptarët kanë më shumë barazi, çka do të thotë se, ndryshe nga popujt e tjerë që jetojnë në Itali, janë më pak të përfaqësuar nga një sektor apo zanat i caktuar, siç mund të ndodhë me popullsitë e tjera. Të paktën në tregun e punës, shqiptarët duket se nuk vuajnë nga steriotipet, aq sa mund të vuajnë emigrantët e tjerë. Por, duhet nënvizuar fakti se, në disa prej sektorëve, shqiptarët janë të parët. Për shembull, 25% e të gjithë artizanëve të huaj në Itali janë shqiptarë.Në bujqësi janë të tretët në listë dhe në ndërtim të dytët. Sa i përket komunave, ndërkohë, të dhënat e raportit të publikuar për të huajt në tregun e punës në Itali tregojnë se, në vend të parë qëndron Komuna e Milanos me rreth 9000 shqiptarë të punësuar, më pas ndjekin komuna e Romës, Firenzes, Riminit dhe Genovas. Shqiptarët janë ndër popujt që njohin një shpërndaje disi homogjene në territorin e Italisë, ku ndryshe nga popullsi të tjera, nuk kanë pasur tendencën të përqendrohen në rajone apo qytete të caktuara.Sipërmarrës në emigracionTë dhënat e studimit tregojnë se, në Itali ka 41.153 shqiptarë sipërmarrës. Kjo shifër i referohet vetëm atyre që rezultojnë juridikisht si të huaj dhe jo shqiptarëve të cilët janë bërë shtetas italianë. Të dhënat tregojnë se, shqiptarët zënë 6.1% të totalit të sipërmarrësve të huaj në vend dhe se janë të katërtit në listë, pas shtetasve nga Maroku, Kina, Rumania dhe Zvicra. Shifrat i referohen vitit 2016, në të cilin numërohen 448 mijë shtetas shqiptarë emigrantë në vend. Kjo do të thotë se, thuajse një në dhjetë shqiptarë që ka zgjedhur të jetojë në emigrim në Itali, ka vendosur të merret me një biznes, të çfarë do lloji qoftë ai.Disa shifra të tjera, ndërkohë, të publikuara vetëm pak kohë më parë, tregonin se, shqiptarët në Itali, si të punësuar, prodhojnë pak më shumë se 12 miliardë euro në ekonominë e vendit, vetëm nëpërmjet kontributeve të tyre, çka përkthehet në rreth 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Italisë, dhe në thuajse 100% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit tonë. Disa të dhëna të tjera të pak kohëve më parë, tregonin se në Itali ka rreth 32 mijë biznese me pronësi apo bashkëpronësi shqiptare, çka do të thotë se, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve sipërmarrës, thuajse një në katër, nuk janë pronarë të vetëm të ndërmarrjes së tyre dhe se e ndajnë me të paktën një person tjetër, në pjesën dërrmuese të rasteve, po shqiptar, që mund të jetë edhe familjar i afërt, apo bashkëshort a bashkëshorte.Shqiptarët janë edhe më familjarët mes të huajveStudimi jep një panoramë edhe më të qartë të karakterit social dhe demografik. Të dhënat flasin për 113 mijë familje në total, që do të thotë se një familje mesatare përbëhet nga 3.9 anëtarë, kundrejt 3.7 që është mesatarja në Shqipëri. 71% e familjeve shqiptare që jetojnë në Itali përbëhen nga 3 ose më shumë anëtarë, rekord më vete ky te të huajt. Por, ajo që bie në sy nga këto të dhëna është fakti se, shqiptarët janë në vend të parë mes të huajve sa i përket popullsive që jetojnë familjarisht. Rreth 61% e shqiptarëve që jetojnë në Itali i përkasin tipologjisë së familjeve me 1 çift dhe fëmijë. Mes tyre, 30% raportohen se kanë vetëm një fëmijë të mitur dhe rreth 25% dy fëmijë të mitur.Në të dy rastet, shqiptarët janë të parët mes të huajve për këtë tregues. Vetëm 18.8% e shqiptarëve, tregojnë të dhënat, jetojnë vetëm në vendin fqinj. Mes të huajve, kjo është norma më e ulët. Për vende si Ukraina, kjo normë ngjitet në 70%, ndërsa për kinezët 40.5%. Pra, të dhënat flasin qartë; shqiptarët kanë një tjetër tipologji emigrimi drejt Italisë pasi kërkojnë stabilitet dhe jo thjesht një vend pune. Për këtë arsye, ata kanë tendencën të jetojnë së bashku me familjen e tyre. E thënë në terma më të “trashë”, shqiptarët janë ata më të “bindurit”, për ta braktisur përfundimisht vendin e tyre.Roel Korkuti-SCAN/ZgjohuShqiptar.info

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close