Frashëri: Janullatosi kryepeshkop uzurpator, bën veprime haxhiqamiliste
NGA: KRISTO FRASHERI
Frashëri: Janullatosi kryepeshkop uzurpator, bën veprime haxhiqamilistePas shkrimit që u botua në “Gazetën Shqiptare” më 26 gusht 2013 mbi ngjarjet e Kishës së Shën Mërisë së Pazarit në Përmet, vendosa të mos merresha më tej me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, A. Janullatosin. M’u duk se ç’kisha për të thënë i kisha konsumuar në artikujt kritikë botuar gjatë tri viteve të fundit. Por dola i gabuar! Hirësia e tij vazhdoi të sulmojë me stilin e tij të shpifjeve, të cilin njerëzit zakonisht e përdorin si armë kur nuk kanë mjete të ndershme për t’u mbrojtur.
Më 9 shtator 2013, Prof. Dr. Anastas Janullatosi, kryepeshkopi uzurpator i KOASh-it, botoi në “Gazetën Shqiptare” apologjinë e tij të tretë, në të cilën përpiqet të mbrojë qëndrimin e tij të gabuar në lidhje me ngjarjen që ndodhi në Përmet më 16 gusht 2013 me Shtëpinë e Kulturës së qytetit. Ngjarja që ndodhi në 16 gusht në Përmet tashmë është e njohur, si brenda, ashtu dhe jashtë Shqipërisë.
Atë ditë, Zyra e Përmbarimit e nënprefekturës së Përmetit zbatoi vendimin e tri shkallëve të gjyqësorit (vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, nr. 484, datë 10.07.2001; vendimi i Gjykatës së Apelit, nr. 122, datë 27.03.2002; vendimi i Gjykatës së Lartë, nr. 1640, datë 14.10.2003) të miratuar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (vendimi nr. 66, datë 05.05.2004). Dihet se për shkak të kundërshtimit arbitrar të Kishës së Përmetit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte mbetur nëntë vjet pa u zbatuar. Refuzimi nga Kisha e Përmetit për ta zbatuar vendimin e gjykatave shqiptare, sidomos atë të Gjykatës Kushtetuese, është në vetvete një akt rebelimi ndaj shtetit shqiptar, i ngjashëm me mentalitetin dhe veprimet e Haxhi Qamilit. Për këtë arsye, akti i rebelimit ndaj shtetit kudo dënohet. Meqenëse me këtë refuzim prapa kishës së Përmetit qëndron kryepeshkopi i KOASh-it, A. Janullatos, vetëkuptohet se hirësia e tij ka përgjegjësinë e vet. Por Hirësia e tij, në vend që të kërkojë ndjesë për bashkëpunimin e tij në këtë rebelim ndaj sovranitetit të shtetit shqiptar, kërkon që të dënohet jo shkelësi i Kushtetutës, por mbrojtësi i saj. Sipas mentalitetit hileqar të kryepeshkopit Anastas, fajtori në këtë mes qenka Kristo Frashëri, sepse ai e paska shtrembëruar të vërtetën. Kjo është me pak fjalë përmbajtja e Apologjisë që ai botoi në “Gazetën Shqiptare” më 9 shtator 2013, me titull “Përmeti sakrilegj, skena të persekutimit ateist”. Është apologjia e tretë që ai boton në shtypin shqiptar në mbrojtje të kritikave që atij i ka drejtuar historiani Kristo Frashëri. E lëmë në dorë të lexuesit, pasi të lexojë këtë përgjigje, të vendosë se kush ka të drejtë në këtë mes: kush shpif e kush thotë të vërtetën.
Hirësia e fillon apologjinë e tij nr. 3 me këto fjalë:
“Më 16 gusht 2013…, në qytetin e Përmetit ndodhi një sakrilegj i rëndë. Rreth 20 burra të një policie private shembën kambanoren e thjeshtë sipër së cilës ndodhej Kryqi, hynë brenda kishës me dhunë, goditën katër klerikë shqiptarë dhe besimtarët, hoqën ikonat, morën gurin e themelit të Kishës (!) dhe hodhën Ungjillin e Shenjtë dhe Enët e Shenjta në makinën e mbledhjes së mbeturinave të Bashkisë”.
Për të hipnotizuar publikun e krishterë ortodoks brenda dhe jashtë Shqipërisë, kryepeshkopi A. Janullatos përdor në Apologjinë e tretë fraza të stilit bulevardesk për të krijuar përshtypjen sikur në Përmet më 16 gusht 2013 u përsëritën për Kishën Ortodokse të Shqipërisë ngjarjet apokaliptike të vitit 1967. Ai shkruan se atë ditë Hirësia e tij paska parë që nga Tirana skena të persekutimit ateist që paskan ndodhur në Përmetin e largët, skena të cilat në filmin e regjistruar të ngjarjes nuk tregojnë dhunë, as kundër priftërinjve, as kundër besimtarëve.
Janë pak të thuash se këto janë shpifje në vështrimin e zakonshëm të sajesave që dikur qarkullonin kudo në pazaret e Gadishullit Ballkanik, përfshirë edhe në ato të Greqisë. Ato janë shpifje monstruoze të pakonceptueshme kur dalin nga pena e një prelati, i cili kudo ku shkon prezantohet me titullin “Doktor, Profesor dhe Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës”, Akademi të cilën grekët e kulturuar mburren se e ka themeluar Platoni në shekullin V para Krishtit.
Çfarë ndodhi në të vërtetë në Përmet më 16 gusht 2013? Atë ditë, Zyra e Përmbarimit e nënprefekturës së Përmetit zbatoi vendimin e tri shkallëve të gjyqësorit të miratuar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë më 2004, i cili, për shkak të kundërshtimit arbitrar të Kishës së Përmetit kishte mbetur nëntë vjet pa u zbatuar. Kundërshtimi i Kishës së Përmetit ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është pa dyshim një akt rebelimi ndaj shtetit. Jemi të sigurt se dhe në Greqinë europiane Athina nuk e lë kishën e saj ortodokse t’i hipë në qafë shtetit grek dhe ca më tepër t’i lejojë priftërinjtë ortodoksë të kundërshtojnë zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve të shtetit. Meqenëse Hirësia e tij e ka përfshirë veten e vet në qerthullin e veprimeve haxhiqamiliste, ai kërkon t’i shpëtojë përgjegjësisë politike dhe penale duke shpifur akuza të pavërteta të sajuara në mënyrë djallëzore. Ai thotë për shembull se në Përmet u krye një “sakrilegj”. Kjo është një sajesë. Për Zyrën e Përmbarimit, ndërtesa për të cilin bëjnë fjalë aktet ligjore nuk është kishë, por Shtëpi Kulture. Hirësia e tij nuk ka të drejtë ta quajë Shtëpinë e Kulturës kishë, mbasi gjurmët e kishës janë zhdukur. Kuptohet se në këtë mes Zyra e Përmbarimit nuk kreu ndonjë “sakrilegj”.
E dyta, Zyra e Përmbarimit shkoi në Shtëpinë e Kulturës për të zbatuar një vendim gjykate. Për këtë arsye, ajo nuk kishte nevojë të përdorte dhunë. Dhunë përdorën priftërinjtë, të cilët u orvatën të pengonin zbatimin e vendimit gjyqësor. Nëse Kushtetuta është për një shtet, siç është Ungjilli për të krishterët dhe Kurani për myslimanët, “sakrilegj” kryen priftërinjtë e Përmetit, të cilët u orvatën të pengonin zbatimin e Kushtetutës.
Hirësia e tij akuzon Zyrën e Përmbarimit se hoqi nga Shtëpia e Kulturës ikonat. Sigurisht që do t’i hiqte ato, mbasi për Zyrën e Përmbarimit, ashtu si për banorët e Përmetit, ndërtesa nuk është kishë, por Shtëpi Kulture. Akuza tjetër e pasaktë e Hirësisë është kur thotë se u hodh Ungjilli në plehra. Kjo është një gënjeshtër banale. Përveç Hirësisë së tij që duket se e ka parë së largu, sigurisht me hamendje skemën e 16 gushtit, ne nuk kemi dëgjuar nga asnjë i pranishëm që të ketë parë një fyerje të Ungjillit.
Ai thotë se më 16 gusht në Përmet u dukën skena të persekutimit ateist. Me këtë pohim, me siguri që Hirësia e tij Janullatos ka arritur kulmin e një qaramani mesjetar, i cili ankohet ditë e natë për asgjë. Ai thotë se policia private i goditi katër klerikët pa mëshirë. Edhe këtu kemi një trillim. Në filmin e dokumentuar të ngjarjes nuk shihet asnjë goditje “e pamëshirshme” të asnjë prifti nga policia. Në konceptin modern të së drejtës, në shumë vende të pavarura po shohim se po arrestohen dhe po dërgohen para gjyqit ministra po se po, por edhe kryeministra, madje dhe hierarkë të feve të ndryshme kur shkelin Kushtetutën, dhe jo më priftërinjtë e Përmetit, që nuk kanë fare respekt për ligjet e shtetit shqiptar. Përkundrazi, priftërinjtë e Përmetit, edhe pse e kundërshtuan policinë, nuk u arrestuan, as nuk u rrahën, por u lanë të lirë.
Thotë se Kristo Frashëri po bën një seri akuzash të pabaza ndaj kryepeshkopit dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Edhe në këtë mes ka shpifje. Kristo Frashëri ka kritikuar kryepeshkopin për prapësitë e tij dhe për shkelje të kanoneve kishtare, por jo siç thotë Hirësia e tij, Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, të cilën ai po e mbron me aq fuqi sa ka. Hirësia thotë se ngjarjet e Kishës së Përmetit i ka mësuar më vonë. Edhe këtu gënjen. Shihni Apologjinë e tij të dytë, të cilën e ka botuar në “Gazetën Shqiptare” më 3 dhjetor 2010, ku e mbron me këmbëngulje çështjen e Kishës së Përmetit.
Thotë se është gati që të financojë ngritjen e një shtëpie të re kulture, por jo në këtë që është mbi truallin e kishës së Shën Mërisë, pasi ky truall është i shenjtë. Ne i kemi thënë se truallin nuk e bën të shenjtë kisha, mbasi Perëndia e ka bekuar gjithë rruzullin tokësor, në mënyrë të veçantë tokën që na prodhon bukën për të jetuar. Kishën nuk e bëjnë të shenjtë as trualli, as gurët, as muret. Atë e bëjnë të shenjtë ikonat, afresket dhe tryeza e shenjtë, të cilat vendosen në të. Prindërit e mi, përkushtuar ortodoksisë, konsideronin të shenjtë atë qoshkun e dhomës ku ishte vendosur konizma (ikona), së bashku me kandilin prej vaji me fitil dhe me librin e uratave. Kur ndërronim shtëpinë, konsiderohej i shenjtë qoshku i saj i ri, ku vendosnim konizmën, pra ndryshohej pa vështirësi edhe qoshku i shenjtë i banesës sonë. Kjo për arsye se qoshkun e bënte të shenjtë konizma dhe jo vetë qoshku.
Ai thotë se “Kishat në të cilat kryhej Liturgjia Hyjnore për shekuj të tërë janë vende të shenjta”. Më tej ai shton se pikërisht në këtë pikë mbështetet ankesa dhe protesta e Kishës Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ndaj shtetit shqiptar”. Për të mos e zgjatur, po e pranojmë tezën e Hirësisë së tij, për kishat shekullore siç është për shembull, Kisha e Shën Premtes në qytetin e Përmetit apo Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë. Kam frikë se priftërinjtë e Përmetit nuk i njohin gjurmët e një kishe mijëravjeçare, të cilat personalisht i kam ndeshur mbi Gurin e Qytetit brenda në Përmet. Meqenëse kisha nuk e ka shpallur Gurin e Qytetit si një vend të shenjtë, pyesim ç’e keqe u ka ndodhur përmetarëve nga mosadhurimi i këtij vendi të shenjtë mijëravjeçar? Më vjen keq ta them se Hirësia kur thotë se Shën Mëria e Pazarit është ndërtuar në shek. XVII, gënjen. Po të kishte lexuar me kujdes vendimin e gjyqit përkitazi me Kishën e Shën Mërisë së Pazarit, ku thuhet shkoqur se ajo është ndërtuar jo në shek. XVII, por në shek. XX, më saktë në vitin 1930 – besojmë se nuk do të deklaronte një gënjeshtër kaq banale.
Në një vend të apologjisë së tij, Hirësia thotë se Kushtetuta e vitit 1998 thekson respektin ndaj lirisë fetare dhe se të paktën vendet e shenjta, arkivat fetare kishtare, ikonat, enët e shenjta, çdo gjë që lidhej me adhurimin, do t’u riktheheshin institucioneve fetare. Kjo është shumë e drejtë. Ne nuk kemi asnjë kundërshtim që kishës t’i kthehet pasuria e tundshme dhe e patundshme që gëzonte. Por Kushtetuta nuk merr përsipër të respektojë dhe t’u kthejë pasuritë e pavërtetuara, sidomos kur është fjala për mashtrimet e vërtetuara me vendime gjyqësore, siç pretendon Hirësia e tij.
Kryepeshkopi A. Janullatos pretendon se Kisha ka të drejtë të veprojë edhe kur vendimet gjyqësore, sipas tij, janë të padrejta. Pyesim juristët: kur të tria shkallët e gjyqësorit, më në fund edhe Gjykata Kushtetuese, pajtohen me të njëjtin vendim siç është rasti i Kishës së Shën Mërisë në Përmet, a ka të drejtë Kisha të mos e zbatojë një vendim të tillë që ka marrë formë të prerë?
Hirësia e tij thotë se Kr. Frashëri gënjen kur pohon se trualli i Kishës së Shën Mërisë së Pazarit në Përmet kapte një sipërfaqe prej 25 m², kurse sipas të dhënave të tij, me përmasat 20 x 14 m që ajo kishte, mbulonte një sipërfaqe prej 280 m². Ai shkruan se këtë madhësi e vërtetojnë jo vetëm “fotot dhe skicat arkitektonike, mbi bazën e të cilave u transformua ndërtesa, por edhe muret që ekzistojnë edhe sot nga kisha e vjetër”. Hirësia do të kishte bërë mirë të riprodhonte ato fotot mbi të cilat është mbështetur, pasi deklaratat e tij bien në kundërshtim të hapur me përmbajtjen e vendimit të gjyqësorit. Në vendimet e gjyqësorit nuk thuhet gjëkundi se Shtëpia e Kulturës është ndërtuar mbi muret e Shën Mërisë së Pazarit. Përkundrazi, në vendimin e gjyqësorit thuhet se Shtëpia e Kulturës është ndërtuar tërësisht e re që nga themelet. Madje, që Shtëpia e Kulturës nuk është ndërtuar në asnjë cep të saj mbi muret e vjetra të kishës, mund ta vërtetojë kushdo që e sheh atë nga afër.
Në lidhje me truallin e Kishës, Hirësia e tij arrit kulmin e sajesës kur pohon se trualli që mbulonte Kisha e Shën Mërisë së Pazarit së bashku me oborrin e saj kapte një sipërfaqe prej 6186 m². Është e para herë që dëgjojmë se kisha e Shën Mërisë së Pazarit kishte në pronësi të saj 6000 e më tepër m². Ne nuk gjejmë fjalë se si ta cilësojmë këtë pohim kaq të rremë.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.