Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

21 Janari Rënkon dhe Akuzon

Redaksionale Dita

Tetë vjet më parë, në 21 janar 2011 në qendër të kryeqytetit shqiptar, Tiranë, ndodhi një ngjarje sa tragjike aq edhe domethënëse. Ngjarja ishte dhe mbetet tragjike sepse gjatë një proteste antiqeveritare u vranë katër protestues të pafajshëm, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj si dhe u plagosën disa të tjerë. Përveç se tragjike, ngjarja ishte dhe mbetet edhe kriminale sepse qytetarët e vrarë ishin të pafajshëm dhe autori i vrasjeve, qeveria shqiptare e kohës, as ndjeu përgjegjësi dhe as dha llogari për krimin që kreu. Gjithë shqiptarët, në saje të transmetimeve të drejtpërdrejta të disa televizioneve, panë se viktimat janë vrarë në bulevard dhe trotuar pa qenë të armatosur dhe pa kryer asnjë vepër penale.

Tragjedia kriminale e asaj dite ka një tipar të veçantë që e bën të përdallueshme, cinizmin e autorëve ndaj viktimave dhe shoqërisë. Frymëzuesit dhe mbrojtësit e krimit vazhdojnë edhe sot të këmbëngulin në “drejtësinë” e vrasjeve, duke i quajtur të ligjshme dhe, automatikisht, viktimat fajtore. Sali Berisha me cinizmin e tij përbuz, tall e përtall viktimat, familjarët e tyre dhe mbarë shoqërinë. Cinizmi ishte edhe një gëlbazë në fytyrën e gjyqësorit të ndërtuar sipas shëmbëlltyrës së vet atavike. Megjithëkëtë, duhet kujtuar se gjyqësori i tij i vlerësoi të paligjshme pasojat kriminale të ngjarjes.

Fatkeqësisht, historia e shoqërisë njerëzore shënon shumë ngjarje tragjike dhe në të gjitha shtetet e botës. Si rrjedhojë e ballafaqimit të protestuesve me forcat e rendit, vriten dhe vazhdojnë të vriten individë të pafajshëm. Në shumicën dërmuese të këtyre ngjarjeve viktimat shkaktohen nga paaftësia dhe gabimet e forcave të rendit, por ka pasur edhe raste kur viktimat janë shkaktuar enkas nga shteti dhe, më rrallë, edhe nga individë apo forca të treta që kanë shfrytëzuar kompleksitetin e ngjarjeve për të arritur synimet e tyre të liga. Edhe historia e vendit tonë shënon ngjarje tragjike nga përplasja e protestuesve me forcat e rendit. Por ngjarja kriminale e 21 janarit mbetet shumë domethënëse. Domethënëse nuk e bën numri i lartë i viktimave, por sulmi i papërligjur i forcave të Gardës dhe veprimet e qëndrimet e tjera kriminale të kryera pas vrasjeve dhe plagosjeve.

Në të gjitha rastet, kur nga ballafaqimi me forcat e rendit ka viktima, shteti akuzohet i pari, por jo në çdo rast qeverisja mund të akuzohet si kriminale. Nëse ekzekutimi i individëve të ndryshëm bëhet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e rendit dhe institucioneve atëherë shteti thjesht ka kryer detyrën. Edhe kur pasojat vijnë nga gabimet e pjesëtarëve të veçantë të forcave qeveritare të ngarkuara me mbrojtjen e rendit dhe qeveria ndjek rrugën e drejtë ligjore për të zbardhur të vërtetën dhe nxjerrë përgjegjësitë e individëve, ajo nuk mund të kriminalizohet.

Ngjarja e 21 janarit dhe, veçanërisht pasngjarja ka disa karakteristika që bindin cilindo individ normal se akti ishte kriminal dhe fajtorët kryesorë ndodheshin në krye të qeverisjes. Qëndrimet, sjelljet dhe veprimet e tyre menjëherë pas ngjarjes e deri sot nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë bindjen se Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm i kohës kanë qenë frymëzues, aktorë dhe mbrojtës të krimit. Në ngjarje të tilla ka shumë gjasa që të gabojnë pjesëtarët e rangjeve më të ulëta të policisë apo Gardës, për shkak të nivelit kulturor e profesional apo nga mungesa e përvojës. Mirëpo, në rastin konkret “gabimet” janë bërë nga drejtuesit më të lartë të Gardës së Republikës, nga ata që jo vetëm besohet gjerësisht se nuk gabojnë por kanë edhe përgjegjësinë të mbikëqyrin vartësit të mos kryejnë veprime të gabuara që passjellin vepra kriminale.

Pamjet filmike na dhanë mundësinë të shihnim disa protestues që kryen akte kriminale duke goditur punonjësit e policisë me gurë dhe shkopinj apo duke qëlluar ndërtesën e Kryeministrisë me gurë. Nuk ka asnjë dyshim se këta individë ishin shndërruar nga protestues të ligjshëm në dhunues të ligjit dhe duhej të viheshin përpara përgjegjësisë ligjore. Por ne nuk kemi parë asnjë protestues të armatosur me armë zjarri apo që të kryejë veprime kriminale të tilla që legjislacioni shqiptar t’i lejojë dhe detyrojë forcat e rendit t’i ekzekutojnë.

Një veçori tjetër e ardhjes së pasojave është fakti se ato nuk ndodhën në fillim të protestës dhe, rrjedhimisht, të shkaktoheshin nga ndjenjat, hutimi dhe mosorientimi që shkaktojnë zakonisht ballafaqimet e para me turmat, të dhunshme ose jo. Pasojat erdhën shumë më vonë, thuajse nga fundi i protestës dhe viktimat u vranë kryesisht larg objektit që ruhej dhe të gjitha jashtë gardhit rrethues. Veçori shumë të rëndësishme përbën fakti që autorë të krimit nuk rezultuan gardistët e thjeshtë dhe as policët të cilët ndodheshin fizikisht larg drejtuesve qeveritarë. Autorë rezultuan dy drejtuesit kryesorë të Gardës që ishin vartës direkt të Ministrit të Brendshëm, me mundësi komunikimi të drejtpërdrejta me të dhe me Kryeministrin. Madje edhe me mundësi për t’u kontaktuar fizikisht me ta, sepse të katër ishin brenda së njëjtës godinë gjatë gjithë shtjellimit të ngjarjes.

Veçoritë e lartpërmendura të çojnë në hamendësimin logjik se autorët e vrasjeve, të cilët ka shumë të ngjarë të mos u ketë vajtur ndonjëherë në mendje të vrasin njeri, kanë qenë nën një presion të fortë dhe autoritar psikologjik saqë janë detyruar të rrëmbejnë armët dhe të vihen në rolin e ushtarit të thjeshtë. Duke pasur parasysh edhe syrin e nxirë të komandantit të Gardës menjëherë pas ngjarjes, mund të konkludohet se Andrea Prendi dhe Agim Llupo kanë vepruar nën urdhrat e rreptë verbal të Lulzim Bashës e Sali Berishës dhe nën dhunën fizike të disa civilëve kriminelë që ishin futur brenda rrethimit të Kryeministrisë për të mbrojtur “babën” Sali.

Të gjitha sa u thanë më sipër do të zhvlerësoheshin nëse këto dy figura të larta politike do të mbanin pas ngjarjes qëndrimin e duhur ligjor dhe moralisht të denjë. Mirëpo, ka ndodhur pikërisht e kundërta. Sali Berisha, njeriu i konflikteve, i mashtrimit dhe shumëfytyrësisë doli para shqiptarëve vetëm 30 minuta pas ngjarjes dhe i dha vetes të drejtë të bëjë prokurorin, hetuesin, ekspertin dhe gjyqtarin. Ai tha se vrasjet ishin bërë nga brenda, nga vetë pjesëtarët e turmës me thika me helm dhe çadra-pistoletë dhe se protesta ishte një puç për marrjen e pushtetit me dhunë dhe përgjegjës ishin drejtuesit e opozitës me Edi Ramën në krye.

Në ndihmë të alibisë së tij erdhi edhe një mjek i pamoralshëm i cili, nga Spitali Ushtarak ku ndodheshin trupat e disa viktimave, shqiptoi përfundimin e tij “shkencor” se vrasjet ishin bërë nga afër. Për të mashtruar shqiptarët u vunë në shërbim të propagandës qeveritare edhe disa media, të kryesuar nga TV “Klan” dhe “i gjithëdituri” Blendi Fevziu.

Filmimet e ngjarjes nga disa operatorë na ofruan pamje që provuan të kundërtën e pretenduar nga Saliu dhe Fevziu. Pamjet filmike nuk lanë asnjë dyshim se vrasjet ishin bërë nga larg dhe ndaj protestuesve që as kishin qenë të armatosur dhe as po kryenin ndonjë veprim të paligjshëm. Duke e parë se alibia e transferimit të fajit nga shteti tek protestuesit po binte, Sali Berisha vendosi të ndërrojë “kurs”. Filloi të bënte cubin duke u shprehur se kur sulmohen institucionet mund të vriten jo tre (tre protestues ishin shpallur të vdekur deri në atë moment) por treqind dhe e paralajmëroi kryetarin e opozitës kryesore politike, z. Rama se “Po iu afrove edhe një herë zyrave të mija do të të ekzekutoj si një bandit”.

Për ta mbështetur u shprehën kërcënueshëm edhe disa funksionarë të shtetit dhe shërbëtorë mediatikë, por për të mos u harruar është një zonjë a zonjushë që thotë se është katolike e përkushtuar. “Katolikja” deputete tha se do t’i varte në palmat pranë Kryeministrisë ata që do guxonin të protestonin herë tjetër. Njëkohësisht Saliu nisi të punonte në disa drejtime për të shfajësuar veten dhe shërbëtorët e tij vrasës. Fillimisht mblodhi punonjësit e Gardës, i falënderoi ata dhe iu dha nga pesë milion lekë shpërblim për kryerjen e detyrës. Pastaj, me qëllimin e qartë për të ndalur hetimet, sulmoi Prokuroren e Përgjithshme duke e quajtur “lavire bulevardi”. Më pas edhe Presidentin e vendit, z. Bamir Topi duke e etiketuar “horr bulevardi”.

Po pse? Vetëm sepse në bisedën telefonike midis tij dhe Kryeprokurores (vini re: qeveria përgjonte Presidentin dhe Kryeprokuroren), kishin përmendur se protesta dhe pasojat kishin ndodhur në bulevard, çka nënkuptonte se protestuesit nuk u vranë duke sulmuar Kryeministrinë, sikundër Saliu ngulmonte. Kur prokuroria nxori urdhrat e arrestit për drejtuesit e Gardës, Sali Berisha urdhëroi policinë të mos i ekzekutonte. Një ditë më vonë ai e pohoi vetë këtë dhe tha se nuk mund të lejonte “arrestimin e zinxhirit komandues të Gardës”. Koha tregoi se ekzekutorët e vrasjeve ishin hallkat kryesore të zinxhirit komandues.

Pse gjithë ky agresivitet ndaj personaliteteve të përmendura dhe hetimeve legjitime? A mos po druhej Kryeministri se nëse hetimi “kacavirrej” më lart në “zinxhirin komandues” do të mbërrinte tek Ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe tek ai vetë? Të gjitha gjasat janë që po. Të mendosh ndryshe nuk të lejon ajo që ndodhi në mesnatën e 21-22 janarit kur u fshinë pamjet filmike të realizuara nga 13 kamerat që mbikëqyrnin godinën kryeministrore nga brenda dhe jashtë.

Siç dihet, ekspertimet e mëvonshme mjekoligjore dhe kriminalistike provuan se tri nga katër viktimat ishin vrarë me plumba të dalë nga armët e komandantit të Gardës Andrea Prendi dhe të komandantit të Grupit Special të Gardës Agim Llupo. Për viktimën e katërt, Aleks Nikën nuk kishte konkluzion, sepse ai vdiq në një spital të Turqisë ku u dërgua i plagosur rëndë. Më vonë u tha se nuk ishte e mundur të vërtetohej se nga cila armë kishte dalë plumbi i gjetur në trupin e Nikës.

Dyshimeve të familjes së Aleks Nikës rreth mundësisë së dëmtimeve mekanike të plumbit vrastar pas nxjerrjes nga trupi apo zëvendësimi i tij me një plumb tjetër dhe kërkesës së tyre (ligjërisht të drejtë) për riekspertim nuk iu dha asnjëherë përgjigje nga organet e hetimit dhe gjykimit, tërësisht në çaponjtë e Sali Berishës dhe nën komandën e veseve të strehuara në ndërgjegjen e tyre të kalbur.

Është i çuditshëm dhe i dënueshëm një qëndrim si ky, i banditëve të drejtësisë shqiptare, shumica e të cilëve po na dalin vjedhës dhe ligjshkelës. Moshetimi i pretendimit të familjarëve nuk është i vetmi. Familja e A. Nikës nuk njoftohet për seancat gjyqësore, në një kohë që lejoheshin të merrnin pjesë në gjyq turma gardistësh me sjellje dhe thirrje mbrojtëse për të pandehurit që të kujtonin bashibozukët haxhiqamilistë. Si është e mundur që të afërmve të Aleks Nikës nuk iu është dhënë akti i ekspertimit mjekoligjor dhe nuk janë lejuar të njihen me dosjen e hetimeve paraprake që mban aktet që lidhen me vrasjen e njeriut të tyre?!

Dy drejtuesit e Gardës u dënuan me nga 1-1.5 vjet burg ndërsa administratori i sistemit të sigurisë së godinës kryeministrore nuk u dënua për fshirjen e pamjeve me zë e figurë (fshirje e vërtetuar nga ekspertiza e FBI-së). Përkundrazi, u mor në punë në Presidencë nga ish-Presidenti Bujar Nishani. Kjo çetë “demokratësh” pa din e iman, pa nder e parime por pacipësisht e aftë për të predikuar se duan të shpëtojnë Shqipërinë nga njerëzit e inkriminuar dhe të akuzojnë me rrena e shpifje çdokënd që dëshiron të thotë se cilët janë në të vërtetë, vazhdon të propagandojë se vrasjet ishin të ligjshme (B. Nishani); “në 21 janar është zbatuar vetëm ligji” (L.Basha); “gardistët ishin heronj” (J. Topalli); “protestuesit kokëpalarë” (Ilir Meta).

Nuk ka dyshim se regjisori kryesor i ngjarjes dhe pasngjarjes është gjëmëziu Sali Berisha, personazhi më i dhunshëm, më i inkriminuar dhe ende i pandëshkuar i këtyre 29 viteve. Për ta pasur më të qartë moralin e kalbur dhe formimin e tij krejtësisht pervers duhet që, përveç veprimeve të tij kriminale t’iu referohemi edhe trajtimeve dhe qëndrimeve të tij ndaj ngjarjes.

Në një intervistë që i dha para një viti gazetarit Sokol Balla, Sali Berisha tregoi për adhurimin që kishin pasur familja e tij për Kanunin (rrjedhimisht edhe vetë ai). Këtë mentalitet dhe formim kanunor e kishte pikasur edhe i dërguari i znj. Hillari Klinton, z. Tom Kantrimën i cili, një ditë pas ngjarjes së 21 janarit 2011, takon Sali Berishën dhe i kërkon të mos dalë në zyrë ditën që opozita do të rimblidhej në bulevard në nderim të katër të vrarëve. T. Kantrimën merr prej tij refuzimin dhe “porosinë” që t’i thoshte Edi Ramës se “Po preke gjënë më të vogël do të jenë pesë snajperë, katër nga të katër anët dhe unë në atë dritare dhe, në mënyrë absolute, do të goditet, vetëm po s’e shpoi plumbi”.

Duket e çuditshme se si Sali Berisha ka guximin t’iu tregojë sot shqiptarëve, jo vetëm gatishmërinë dhe vendosmërinë e vet për të vrarë drejtuesin e opozitës, por edhe faktin që diplomati amerikan e pyeti: “Ti po flet për Shqipërinë e shekullit të 19-të?”. Pyetja e z. Kantrimën ishte shprehje diplomatike e vlerësimit të moralit dhe formimit 200 vjet të prapambetur të kryeministrit të Shqipërisë. Ishte duke folur për 21 janarin dhe për takimin me diplomatin amerikan kur i pohoi gazetarit Balla se i kishte thënë përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit t’i thoshte Ramës se: “Jo Kryeministrinë, por një postë policie më të largtën në Shqipëri po të prekte, në mënyrë absolute nuk do të kthehej në Tiranë i gjallë”.

Ideatori dhe drejtuesi i kaosit dhe djegies së qyteteve të Shqipërisë në vitet 1990-1992 dhe i komisariateve të policisë të Shkodrës, Vlorës, Tropojës etj. në 1997-98, si dhe i sulmit me flakëhedhës dhe mitraloza ndaj institucioneve kryesore shtetërore në shtator 1998, megjithëse nuk iu prek as qimja nga “bijtë e etërve”, tani ishte i gatshëm të vriste, edhe nëse i prekej një postë policie. Arsyetimi më i thjeshtë logjik të çon në përfundimin se, kur ky individ politik ishte i gatshëm të vriste kryetarin e opozitës edhe sikur të prekej një postë policie, ai ka qenë shumë herë më i gatshëm të vriste protestues të thjeshtë që po “i rrezikonin Kryeministrinë”. Nëse ishte i gatshëm të qëllonte vetë (të ishte “snajperi i pestë”), përse nuk paska qenë i gatshëm të urdhëronte të tjerët të vrisnin në 21 janar, siç edhe ndodhi?

Në vlerësimet e tij për 21 janarin, Berisha shfaqet sa konfuz e gënjeshtar aq edhe hipokrit. Pasi tregon “dhimbjen për viktimat” pohon se nuk ka asnjë lloj shqetësimi për përgjegjësi ligjore, pasi “Kam qenë në zyrën time, i sulmuar dhe i vendosur, pa asnjë lidhje urdhri apo diçka tjetër me ata që ishin jashtë, i vendosur që secili që do të mirrte me hy brenda do të merrte atë që meritonte… Ata që do të hynin brenda do të ishte urdhri i Sali Berishës, për të mos thënë dhe gishti i tij… Për ata që ishin jashtë, asnjë urdhër, asnjë fshirje (të serverit të sigurisë)… Pra unë kam zbatuar ligjin. Garda ka zbatuar ligjin… Nuk u vranë me snajper, u vranë nga njerëz që reaguan siç thotë rregullorja… Ata kanë zbatuar ligjin”.

Pohimet e mësipërme nuk lënë vend për dyshime se edhe sot ish-dy herë Presidenti dhe ish-dy herë Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i qëndron vlerësimit se vrasjet e 21 janarit ishin të ligjshme dhe, rrjedhimisht, asnjë punonjës i shtetit shqiptar, duke përfshirë atë vetë, nuk kanë asnjë përgjegjësi ligjore. Po të lexohen me kujdes fjalët e mësipërme të tij del e qartë që ai ishte i gatshëm të jepte urdhra për asgjësim, madje edhe t’i vriste vetë në vend që vlerësimin e situatës dhe nevojën e ekzekutimit të individëve të veçantë t’ua linte forcave dhe autoriteteve të ngarkuar me detyrën e mbrojtjes së institucionit.

Ashtu si në këtë intervistë, Sali Berisha këmbëngul në drejtësinë e vrasjeve edhe në një prononcim tjetër të mëvonshëm. Madje, u përpoq të shpjegonte edhe ligjin përkatës për mbrojtjen e institucioneve shtetërore. Dhunuesi i vrazhdët i Kushtetutës dhe ligjeve në këtë rast e shpjegon drejt ligjin, por shtrembëroi dhe maskoi qëllimisht faktin se asnjëri nga të vrarët nuk u ndodh, nuk u soll dhe as veproi në rrethanat që ligji kërkon apo justifikon vrasjen e tij. Katër të vrarët ndodheshin të gjithë jashtë rrethimit të institucionit shtetëror, të paarmatosur dhe duke mos kryer asnjë akt të paligjshëm. Në këto rrethana, vrasja e tyre përbën, në rastin “më të mirë”, shkelje të rregullave të shërbimit të rojës dhe shpërdorim të detyrës, ndërsa në rastin e dhënë ka të ngjarë të jenë vrasje me paramendim.

Për të krijuar një mendim më të qartë dhe më të saktë rreth personalitetit dhe moralit të “dashnorit” të drejtësisë dhe varrmihësit të saj na vjen në ndihmë një ngjarje tjetër tragjike, ajo e 2 prillit 1991 e ndodhur në Shkodër. Nga ballafaqimi i një turme njerëzish me policinë që ruante institucionet shtetërore u vranë po ashtu katër persona të pafajshëm dhe u plagosën disa të tjerë. Një pjesë e konsiderueshme e turmës ishte e dhunshme dhe aktive në përdorimin e lëndëve djegëse dhe eksplozive. Ashtu si në ngjarjen e 21 janarit 2011 edhe në 1991 Sali Berisha opozitar ishte i pari që vetëm dy orë pas ngjarjes merr guximin të shfaqet me atributet e prokurorit dhe gjykatësit. Përcaktoi si autorë dhe fajtorë forcat e rendit dhe qeverinë e kohës. Ekspertimet dhe procesi penal gati dy vjeçar, ndonëse nën autoritetin dhe komandën e Berishës, nuk arritën të provojnë asnjë ekzekutor të vrasjeve.

E megjithëkëtë, siç del nga shtypi dhe dokumentet e kohës, ishte Presidenti Sali Berisha që, megjithëse Kryeprokurori i zgjedhur prej tij dhe avokati i familjeve të viktimave, po kështu i caktuar prej tij, e informuan se nuk kishte prova për të fajësuar policinë për vrasjet, ai i urdhëroi organet e drejtësisë që të akuzonin për vrasje dhe të dënonin pesë pjesëtarë të “zinxhirit komandues” të policisë, urdhër që u materializua me dhënien e gati njëqind vjet burg pesë njerëzve të pafajshëm, për të cilët më vonë vetë avokati i familjeve të viktimave, z. Nafiz Bezhani, do të shprehej botërisht se “Pesë të dënuarit nuk kishin kurrfarë lidhjeje me krimin e 2 prillit”.

Duket sikur një dorë e mbinatyrshme solli ngjarjen e 21 janarit për të dëshmuar moralin dhe qasjen ndaj të vërtetës të politikanit tinëzar, demagog, të paskrupullt dhe sharlatan Sali Berisha. Është domethënës fakti se, kudo ku ka pasur konflikte të dhunshme prej gati tri dekadash ky njeri ka qenë i pranishëm në rolin e nxitësit, organizatorit, aktorit apo gjykatësit suprem dhe gjithnjë qëndrimet dhe konkluzionet e tij kanë qenë të paligjshme dhe kundër së vërtetës. Edhe ithtari më i marrosur i tij duhet të jetë në gjendje të kuptojë kalbëzimin moral të këtij njeriu i cili urdhëroi në 1992 dënime të rënda për pesë njerëz që “as kanë vrarë dhe as kanë dëshiruar ardhjen e pasojave por i kanë lejuar ato” (nga vendimet e gjykatave) ndërsa në 2011 i shpalli të pafajshëm dhe i shpërbleu personat që u provua se ishin ekzekutorë të viktimave në bulevard.

Përveç shtrembërimit të së vërtetës dhe qëndrimeve penguese ndaj drejtësisë, Sali Berisha dhe Lulzim Basha nuk denjuan dhe as u thirrën të jepnin shpjegime në hetuesi dhe gjykatë për ngjarjen e 21 janarit megjithëse kishin qenë në të njëjtën godinë ku vepruan ekzekutorët e protestuesve dhe në kontakt me ta. Në kontrast me këtë rast, në proceset hetimore dhe gjyqësore për ngjarjen e 2 prillit 1991 u thirrën dhe u paraqitën në gjyq të gjithë drejtuesit e Ministrisë Brendshme, megjithëse ndodheshin mbi njëqind kilometër larg në momentet e ngjarjes. Madje, ish-zëvendësministri i brendshëm i asaj kohe, Aredin Shyti u dënua me 17 vjet burg vetëm pse dy ditë para ngjarjes iu kishte dërguar një telegram të gjithë komisariateve të policisë ku thuhej se “Policia duhet të zbatojë ligjin me rreptësi ndaj të gjithë dhunuesve të tij”.

Sjelljet dhe qëndrimet e Sali Berishës lidhur me 21 janarin flasin shumë edhe për 2 prillin. Është i njëjti aktor që ka guxuar të përcaktojë autorësinë dhe fajësinë në të dy rastet dhe, në të dy rastet e ka projektuar atë tek kundërshtarët e vet politikë. Në rastin e dytë iu vërtetua e kundërta, fajësia e vet. Ndërsa rasti i 2 prillit pret me shpresë çfarë do të sjellë e ardhmja. Të gjitha gjasat janë të përgënjeshtrohet sërish “gjykatësi suprem”. Sikur ” demokrati ” Sali Berisha të tregohej në vitin 2011 aq dinjitoz sa u tregua “diktatori komunist ” Ramiz Alia në 1991 duke mos bërë akuza dhe përcaktime fajësie apo luajtur rolin e ekspertit, ndoshta sot pak kush do të besonte në bashkëfajësinë e Berishës në krimin e 21 janarit. Mirëpo me qëndrimet e tij të pamoralshme dhe të paligjshme ai e ka paditur veten bindshëm.

Pafytyrësia dhe degjenerimi moral i “babës” Sali janë të mishëruar plotësisht tek biri i tij moral, shpirtëror dhe politik, Lulzim Basha. Njeriu të cilit, kur ndodhej në pozitat e Ministrit të Brendshëm i është provuar autorësia e vrasjeve shtetërore nga vartësit e tij direkt dhe në praninë e tij, shkon çdo 2 prill në Shkodër dhe me guximin e një gangsteri akuzon qeverisjen e asaj kohe dhe kundërshtarët politikë si autorë të vrasjeve të ndodhura, megjithëse asnjë proces gjyqësor nuk e ka provuar këtë fakt. Ndërsa gjykatat e komanduara nga ati shpirtëror i Bashës shpallën në dhjetor 1992 se “nuk ka prova për të fajësuar Ministrin e Brendshëm G. Ruçi për ngjarjen. Përgjegjësia morale është tjetër gjë…”, i pandershmi dhe hipokriti Basha thoshte në shtator 2017: “Është e turpshme të zgjidhet Gramoz Ruçi në krye të Parlamentit. Ai është përgjegjës për masakrën e 2 prillit dhe katër viktimat e pafajshme”, ndërkohë që vetë ishte brenda së njëjtës godinë me ekzekutorët e katër vrasjeve dhe sot mëton të bëhet kryeministër.

Këta dy individë paskrupuj dhe të papenduar që duhet të ishin të burgosur për të paguar për shumë krime të kryer gjatë sundimeve të përsëritura, na shfaqen pareshtur në rolin e prokurorëve dhe gjykatësve supremë për gjithçka e për këdo, njëri- me pamjen e hipokritit që ia lexojnë demagogjinë edhe fëmijët, ndërsa tjetri- një njeri i infektuar nga sëmundja e pashërueshme e tërbimit. Janë këta që vetëstolisen me virtyte që nuk i kanë, duke na premtuar moral të kulluar në qeverisje, drejtësi të pavarur, qeverisje “për popullin” dhe demokraci “të vërtetë”. Janë këta që bëjnë thirrje çdo ditë për “përmbysje, kerrje, revolucion, rrëzim, tërheqje zvarrë” etj.

Fatkeqësisht, duket se degradimi moral ka përfshirë një pjesë të madhe të Partisë së uzurpuar nga “ati” dhe “biri” me shpirt të njëjtë. Përndryshe, anëtarësia e emancipuar e PD nuk do të pajtohej me çfarë kanë bërë dhe as me qëndrimet e turpshme, amorale dhe kriminale të kësaj dysheje të inkriminuar dhe të papenduar.

Nëse në 21 janar ” u zbatua ligji “, siç na thonë Berisha e Basha, atëhere pse lindi nevoja e fshirjes së videokasetës që përmbante pamjet me zë dhe figurë të kujtdo që ndodhej dhe lëvizte brenda dhe pranë godinës? A mund të besohet se administruesi i sistemit të sigurisë kishte ndonjë arsye vetjake për fshirjen e filmimeve ? Nëse ky përdorues dhe administrues i sistemit të sigurisë kishte arsye vetjake, që nuk lidheshin me Ministrin dhe kryeministrin, pse këta dy të fundit përdorën pushtetin politik për ta nxjerrë të pafajshëm dhe, madje, e punësuan në Presidencë?

E ndërsa mospendimi i kriminelëve nuk iu bën përshtypje atyre që i njohin kush janë, të revolton qëndrimi i pushtetit aktual. Të vrarët dhe të plagosurit ishin thirrur në protestë nga partitë opozitare dhe kryesisht nga PS. Si e tillë PS dhe Edi Rama kanë pasur dhe kanë detyrimet morale, politike dhe ligjore të bëjnë çmos për sqarime të mëtejshme të rrethanave dhe fakteve. Rama dhe PS as nuk mund dhe as duhet të marrin rolin e prokurorit apo gjykatësit, siç ka bërë vazhdimisht Sali Berisha, por ata duhej të kishin krijuar hapësirat e nevojshme ligjore për t’u hetuar nga organet e specializuara të shtetit rrethanat e faktet që të çojnë tek provat e së vërtetës.

Nga ana tjetër, Sali Berisha dhe Lulzim Basha nuk do të duhej të trajtoheshin thjesht si kundërshtarë politikë, duke i etiketuar si “djalë i mirë”, “i marrë, i çmendur, budalla, maskara” etj. PS dhe Rama duhet të mos binin në mëkatin që përmban thënia e Fridrih Niçes: “Krimi ynë ndaj kriminelëve qëndron në faktin se ne i trajtojmë ata thjesht si maskarenj”. Për politikën Sali Berisha mund të jetë thjesht një maskara, por ligji e kategorizon ashtu siç është në fakt.

Sali Berisha është autori kryesor i “krimeve të tmerrshëm të pas 1990” (Donald Lu) por edhe i qindra fyerjeve, shpifjeve, kanosjeve, pengimit të drejtësisë dhe nxitjeve për dhunë. As këto dhe as “krimet e tmerrshme” nuk janë denoncuar në organet e drejtësisë nga PS, por janë mjaftuar me llafazanërinë politike dhe mediatike. Pse? Sepse drejtuesit e kësaj partie, qysh nga fillimi, kanë rezultuar thjesht dashnorë të pushtetit dhe disa edhe të qejfit, por jo bij të dinjitetit dhe idealeve. Është e vërtetë se organet e drejtësisë kanë qenë tërësisht të kapur prej autorëve të këtyre krimeve. Është dashur prej kohësh, por të paktën tani e tutje duhet të përgatitjen dosjet dhe t’u referohen organeve të drejtësisë. Qëndrimet e PS pas ngjarjeve të 1997 dhe 1998 janë të turpshme dhe historikisht të dënueshme pasi, të dehur nga marrja e pushtetit, pranuan amnistimin e shumë prej “krimeve të tmerrshme”.

Përveç mëkateve të PS-së ndaj autorëve të krimeve të pandëshkuar një rol negativ po luajnë edhe disa ” analistë të pavarur ” të cilët po bëjnë çmos të riciklojnë në pushtet këta autorë. Ata e “kritikojnë” Bashën për pazotësi të sotme për të ardhur në pushtet dhe jo pse është i padenjë për pushtet për shkak të së kaluarës së tij të padenjë dhe kriminale.

Mefshtësia politike e PS ka krijuar një praktikë shkakësore që familjet e viktimave të 21 janarit dhe shumë e shumë të tjerë të dyshojnë se mos ka një “kompromis nga të fortët e politikës” për ta lënë në heshtje procesin dhe për të mbajtur qëndrimin e padenjë: as mish as peshk. Familjarët e viktimave vërtetë ia kanë lënë drejtësisë, por drejtësia duhet të veprojë. Mirë se deri dje ekzistonte drejtësia e kriminelëve politikë dhe mundësitë për të bërë drejtësi ishin të kufizuara, po tani e tutje? Humbja e të dashurve edhe mund të pranohet si një “fatalitet” dhe mos dhënia e drejtësisë “të përtypet”, por mospendimi, justifikimi dhe krekosja e autorëve realë të vrasjeve dhe vetëparaqitja e tyre si shpëtimtarë të vendit, kalorës të drejtësisë, apostuj të moralit dhe profetë të demokracisë janë të padurueshme dhe përbëjnë provokacione të rrezikshme edhe për mendësinë e popujve shumë më të qytetëruar se ne shqiptarët.

Çdo gjë e ka një fund dhe, sidomos fundi i së keqes, mashtrimit dhe hipokrizisë duhet të jetë sa më i afërt.

*****

Botuar sot si kopertinë e Dita/ZgjohuShqiptar.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button