Si u arratis nga perandoria osmane, themeluesi i shtetit shqiptar?

Ismail Qemal bej Vlora lindi në Vlorë më 16 tetor 1844 dhe vdiq në Peruxhia, më 24 janar 1919. I biri i Mahmud bej Vlorës dhe Hedije Asllanpashali.
Nga i ati vinte nga oxhaku i sanxhakbejlerëve të trashëgueshëm të Vlorës që i dhanë Perandorisë Osmane shumë personalitete dhe ndër vezirët e fundëm shqiptarë Ferid pashë Vlorën, ndërsa nga e ëma vinte po ashtu prej njerës nga oxhaqet më të vjetra bejlere.
Kur ka qenë 4 vjeç, më 1848 Vlorajt u syrgjynosën, burrat në Konjë e gratë me fëmijët në Selanik. E gjithë pasuria iu sekuestrua si pasojë e kryengritjes që bënë kundër Tanzimatit më 1847.
Në Selanik i vdes vëllai i vogël, Sulejmani, i cili u varros në oborrin e xhamisë Ortaj. Ismaili kishte nisur shkollën fillore ku mësoi turqishten dhe pasi u kthyen në Vlorë më 1852, vijoi shkollimin me mësues privat. Thelloi dijet e tij në turqishte, mësoi italishten nga një ikanak italian dhe më tej e edukuan i ati dhe e ëma.
Më 1855 u regjistrua në gjimnazin “Zosimea” në Janinë, ku ishte i vetmi nxënës musliman në atë kohë. Mësoi aty greqishten e vjetër, latinishten, mori njohuri në matematikë e fizikë dhe privatisht arabisht e frëngjisht.

Ka qenë nëpunës dhe deputet i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes kombëtare dhe themelues i shtetit shqiptar. Ismail Qemali ishte firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë dhe kryetari i këshillit të ministrave të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë.
Në kujtimet e tij, Ismail Beu flet për Janinën si vendin ku kishte kryer studimet, si rajonin ku zbulonte gjurmë të qytetërimit parahelen ose pellazg.
Karriera në administratën osmane
Në majin e 1860 shkoi drejt Stambollit, ku banoi tek i afërmi i tij nga e ëma. Fuad Pasha i dha një punë në zyrën e përkthimeve të Ministrisë së Jashtme, ndërkohë që vazhdoi dhe studimet për drejtësi me një prusian të konvertuar quajtur Emin Efendi, drejtor i bibliotekës së ministrisë.
Pasi iu desh të kthehej në Janinë, valiu i vilajetit Aqif Pasha e mori si ndihmësdrejtor të çështjeve politike. Shërbeu në të njëjtin post edhe me valinjtë pasues, Dervish e Ahmed Pasha deri më 1864. Me ftesë të ungjit të tij valiut të Thesalisë, Ismail Rahmi Pashës, u emërua shef i kabinetit të tij.
Jo shumë kohë më pas, më 1865 u rikthye në zyrën e përkthimeve të Portës së Lartë. Vitin pasues i vdes i ati. Në shenjë mirësie miku Fuad Pasha i gatiti emërimin si Sekretar i Përgjithshëm në Janinë. Atë kohë i vjen ftesa nga Mid’hat Pasha, asokohe vali i vilajetit të Danubit, për një post në Rusçuk, qendra e vilajetit.
Në mars-dhjetor 1867 ishte gjithashtu redaktor i një reviste turko-bullgare që dilte në Rusçuk, titulluar Istoènik Mnenija/Mecra-i Efkâr (Rryma e ideve), që pati vetëm dy numra, dhe që përmbante në veçanti artikuj mbi historinë e Perandorisë Osmane, kozmografinë, etikën dhe tekste të marra nga Voltaire.
Me emërimin e eprorit të tij në Şurâ-yı Devlet azası (anëtar i Këshillit të Shtetit), Ismail beu e ndoqi në kryeqytet më 1867. Pasi Mid’hat Pasha u emërua në Bagdad, Ismail Beut i dhanë emërimin e valiut të Varnës ku nisi projektin për portin. Në prill të 1870 iu dha roli i kryetarit të Komisionit Evropian të Danubit, si delegat osman.
Më 1873 së bashku me ish-konsullin anglez në Varna, z. Mayers, të ngulur në Stamboll u bënë ortakë në një sipërmarrje minierash dhe për më se një vit hapën një minierë linjiti në ishullin Imbros, ku kaloi pjesën më të madhe të kohës.

Kur Mid’hat Pasha ishte ministër Drejtësie (1873-1876) e mori në Stamboll si sekretar privat. Më 1876 pas një gjakderdhjeje në viset bullgare, Porta e ngarkoi Ismail Beun që të studiojë dosjet dhe qe në krye të komisioneve hetimore të Filopopolit për ngjarjen.
Pas zgjedhjes për së dyti të Mid’hat Pashës sadrazem, thirrej të merrte pjesë në komisionin e posaçëm për Kushtetutën e porsashpallur. Pas rënies së kabinetit të dytë dhe burgosjes së Mid’hat Pashës, bashkëpunëtorët e ngushtë të këtij u syrgjynosën në Anadoll, Ismail Qemali përkatësisht në Kytahja.
Pas një marrëveshjeje me një firmë tregtare nga Hamburgu për të blerë dru bushi nga pylli i tij në Vlorë, mund të siguronte të ardhurat për të jetuar dhe të blinte një pronë të madhe në afërsi të Eskishehrit. Pas shtatë viteve të syrgjynit, u njoftua nga sadrazemi Said Pasha se qe emëruar vali në Mardin, Mesopotami.
Pasi iu dha mundësia që të zgjidhte ndonjë post tjetër nga ai në Mardin, Ismail Beu zgjodhi të ishte në krye të sanxhakut të Bolusë më 1884. Më 1890 paraqiti tek Porta dorëheqjen nga posti, por jo shumë kohë më pas u caktua vali i vilajetit të Beirutit, ku pranë tij shërbente edhe kolegu i tij i Komisionit të Filipopolit, Vaso Pasha. Ishte në Beirut ditët kur kolegu dhe bashkëatdhetari i tij u ligështua nga zemra dhe vdiq.
Më 1892 i paraqiti Sulltan Abdyl Hamidit një memorandum, i cili propozonte ndër të tjera federalizimin e Rumelisë.
Pas një tjetër studimi, kësaj radhe për çështjen e Egjiptit, u emërua vali i Gjiritit po atë vit. Më 1897 u thirr nga Porta në kryeqytet, gjithnjë në vëmendjen e Pallatit duke shtuar edhe artikujt liberalë që kish botuar në gazetën e tij Mexhra Efqiar, u emërua Şurâ-yı Devlet azası.
Arratisja nga Perandoria, përpjekja për një komplot
Pasi qe emëruar vali në Tripoli, provincën më të qetë të perandorisë në atë kohë, si në Rumeli ashtu edhe në Anadoll kishte trazira, i mikluar nga nderimet dhe i përgëzuar për besnikërinë, nisi të dyshonte dhe t’i trembej emërimit.
Më 1 maj 1900, pasi duhej të nisej për të marrë postin e tij, u arratis nga perandoria nën mbrojtjen e britanikëve, pasi kishte kërkuar strehim në jahtin e ambasadës angleze në Bosfor. Mori detin drejt Athinës, ku kontakti me politikanët arbërorë po i ndjellnin nevojën për rimëkëmbjen e vendit të origjinës. Më pas kaloi në Napoli dhe pas saj në Romë, ku u takua me veteranin Krispin.

Më tej u vendos në Lozanë të Zvicrës, por i shqetësuar nga ndonjë atentat i mundshëm, shkoi drejt Parisit. Pasi u mor vesh me Faik bej Konicën dhe u vendos në Bruksel, mori frerët duke drejtuar botimin e Albanisë.
Por marrëdhëniet me Konicën nuk zgjatën shumë, ai u largua nga Brukseli dhe pas pak kohe Ismail Beu u detyrua të hapte një tjetër gazetë ‘Le Salut de l’Albanie’ e që shtypej në shqip, turqisht e greqisht. Me ftesën e kolonisë shqiptare të Egjiptit, shkoi në Kajro ku u prit nga Kedivi.
Pas një trilli të sulltanit, u dënua me vdekje në mungesë, me humbjen e të drejtave civile, gradës, meritave, dekoratave dhe pronave. Në shkurt të 1902 mori pjesë në Kongresin e organizuar në Paris nga Princi Sabahedin dhe Lutfullah, si përfaqësues i shqiptarëve. Në kontakt me marshallin Rexhep pashë Matin, autoritetet angleze dhe princin Sabahedin po përpiqej të organizonte njëfarë komploti që të bindte sulltanin për reformat që duheshin ndërmarrë. Plani nuk u vu në jetë pasi rrethanat ndërkombëtare nuk e lejonin.
Rikthimi si deputet, aktiviteti patriotik, mbledhjet për kryengritje
Pas Revolucionit Xhonturk më 1908 dhe rishpalljes së Kushtetutës më 21 korrik, Qemali u kthye nga mërgimi.

Më 17 dhjetor të po atij viti parlamenti u hap dhe Qemali u zgjodh si deputet i Beratit, pavarësisht sa kishin luftuar xhonturqit që të mos zgjidhej. Me 26 deputetët shqiptarë rreshtohet me partinë opozitare “Hyrrjet ve ltilaf” (“Marrëveshje e Liri”) për decentralizimin e perandorisë dhe lirinë e mësimdhënies së gjuhëve kombëtare.
Gushtin e 1910 udhëtoi nëpër Evropë dhe kërkonte “autonomi administrative” për shqiptarët në kushtet e brutalitetit të xhonturqve. Verën e 1911 shkoi në Cetinje të Malit të Zi te krerët e malësorëve, ku kishin gjetur strehë pas fushatës së Shefqet Turgut Pashës dhe kryengritjes së tyre.
Pas një kuvendi në Gërçe, nënshkruan një memorandum me nxitjen e tij, i cili përmbante 12 pika me kërkesa kombëtare, duke shprehur edhe njëherë zotimin për lidhje me perandorinë.
Me politikat kundër kombësive të partisë xhonturke në pushtet dhe shqiptarëve në veçanti të cilëve u kishin nisur katër ekspedita ndëshkimore, deputetët opozitarë u vetëdijësuan se pa kryengritje Porta nuk do të bindej t’i jepeshin kombit shqiptar të drejtat kombëtare.
Përveç deputetit të Pejës, Ibrahim Efendiut dhe atij të Elbasanit, Haxhi Ali Efendiut deputetë, anëtarë të parisë dhe personalitete u mblodhën në shtëpinë e Reshit Aqif Pashës, e një herë tjetër në shtëpinë e Halil pashë Alizoti-Gjirokastrës dhe disa herë në shtëpinë e Syrja bej Vlorës.
Mbledhja e mëvetësisë dhe formimi i qeverisë
Pasi kushëriri i tij i dytë, mytesarifi i Vlorës Xhemil beu dhe i biri si kapiten i milicisë vendase, Et’hem beu, kishin përgatitur terrenin dhe organizimin e kuvendit duke lajmëruar delegatët. Të gjithë delegatët që kishte me vete u vendosën në selamllëkun e sarajeve të Vlorajve, ku dhe u mbajt Kuvendi që u shpall mëvetësia më 28 nëntor, të cilin e çeli Ismail Qemali me një fjalim dhe më pas firmosi me siglën Ismaïl Kemal në rezolutën e përpiluar nga sekretarët e mbledhjes, shqip nga Gurakuqi e osmanisht nga Shefqet Dajiu.
Kryetar i qeverisë së përkohshme u zgjodh Ismaili, ndërsa Kaçorri nënkryetar. Anëtarët e qeverisë u lanë për t’u zgjedhur më 4 dhjetor pasi të vinin edhe delegatët e viseve të tjera dhe kryetari proklamoi mëvetësinë duke valvitur flamurin në njërën prej dritareve qendrore të selamllëkut të Vlorajve pak pa perënduar.

Qeverisja, misionet diplomatike
Marsin e 1913 u takua me Dukën de Monpensier, që kishte dëshirë të bëhej kandidat i fronit të Shqipërisë, i cili kishte ardhur me jahtin e tij me flamur britanik. Më 1 prill 1913 duka e kaloi në Brindizi, ku më tej do të vazhdonte takimet për çështjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë me Fuqitë në Romë, Vjenë, Paris e sidomos në Londër.
Pas punimeve të konferencës në kryeqytetin britanik, u kuptua se gjysma e territoreve shqiptare do t’i mbeteshin fituesve të Luftës Ballkanike.
Ceremonia e varrimit dhe rivarrimit
Ndërroi jetë nga një helmim në qytetin e Peruxhias, ku ndodhej i ftuar nga Qeveria Italiane për të arritur një bashkëpunim mbi të ardhmen e Shqipërisë. I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë.
Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora.
Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli patriot. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë.
Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Ethem Bej Vlora. Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua himni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë.
Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme Jone të kompozitorit italian Petrella. Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria Djelmoshat e Vlorës dhe nga gazeta Kuvendi.
Mbas këtyre vinte Shoqëria djaloshare. Pastaj ecte banda ushtarake që luante Marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh. Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.
Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, flamur të cilin e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit më 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh: “Sheshi i Flamurit”. /ZgjohuShqiptar.info

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close