Historia e rrallë/ Si u anulua koncesioni i lëndëve narkotike në Shqipërinë e 1931!

Deri në fund të shekullit të 19-të, përdorimi i lëndëve narkotike nuk kishte përhapje të gjerë e konsumi i tyre ishte i kufizuar te pacientët dhe për arsye shëndetësore. Shtresat e pasura nisën t’i përdorin ato për arsye kënaqësie ndërsa për masat e popullatës vendin e tyre e zinin alkooli dhe duhani.
Në fund të shekullit të 19-të e fillim të shekullit të 20-të përdorimi i lëndëve narkotike nisi të gjejë përdorim për qëllime kënaqësie e duke shkaktuar jo pak probleme, ndaj edhe për këtë qëllim do të niste ndërmarrja e kufizimeve ligjore.
E në këtë rast, edhe Shqipëria renditet në listën e vendeve të parë që i është bashkuar iniciativës për të sanksionuar në ligj përdorimin e opiumit apo të kanabisit; një zakon që e kishte trashëguar që nga periudha e Perandorisë Osmane.

Më herët, Shqipëria kishte njohur përdorimin e bimës së opiumit për qëllime mjekësore por edhe për qëllime kënaqësie përmes tymosjes. Por ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri “beteja” për kufizimin e lëndëve narkotike nis jo domosdoshmërisht për shkak të pasojave negative në shkallë të gjerë në popullatë por si rrjedhojë e përmbushjes së disa detyrimeve që vendi kishte marrë në rang ndërkombëtar.
E gjithë beteja legjislative me drogën në vend ka lidhje direkte me anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, një organizatë ndërqeveritare botërore e themeluar në janar të vitit 1920, si rezultat i Konferencës së Paqes të mbajtur në Paris.

Shqipëria do të kishte përfaqësinë e saj në Lidhjen e Kombeve e direktivat e dala prej saj do të reflektoheshin e përshtateshin edhe nga Shqipëria e atyre viteve. E në kushtet e dy luftërave të mëparshme që kishin si burim tregtinë e opiumit, edhe trafikimi i drogës do të ishte një nga temat e trajtuara gjerësisht në këtë organizatë.
Në vitet 1924-1925, Lidhja e Kombeve do të ndërmerrte një përpjekje të re për të forcuar bashkëpunimin mes shteteve në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të narkotikëve. E në këtë përpjekje, Shqipëria do të bëhej pjesë e saj, duke shënuar nisjen e betejës për vendosjen nën kontroll të prodhimit, tregtimit e përdorimit të drogës.
Në vitin 1925 do të zhvilloheshin dy konventa për opiumin nga Lidhja e Kombeve, në të cilat Shqipëria do të merrte pjesë.
Në konventën e parë mbi opiumin të 11 shkurtit të vitit 1925, u nënshkrua marrëveshja për zhdukjen e fabrikimit, tregtisë së brendshme e përdorimit të opiumit të përgatitur. Por Shqipëria nuk do ta ratifikonte këtë marrëveshje. Në takimin e dytë të 19 shkurtit të vitit 1925 u bë konventa ndërkombëtare e opiumit dhe protokolli përkatës, të cilat Shqipëria do t’i firmoste përmes Benedikt Blinishtit, por nuk do t’i ratifikonte në parlament.

Konventa e Lidhjes së Kombeve, e nënshkruar edhe nga Shqipëria, parashikonte detyrimin e shteteve për të ndryshuar legjislacionin me qëllim vendosjen nën kontroll të prodhimit, tregtisë dhe eksportit të drogës. Po ashtu, detyrimi parashikonte kufizimin e sasisë që tregtohej mes shteteve, porteve apo pikave kufitare ku mund të eksportohej droga. Në këtë konventë do të parashikohej detyrimi që çdo shtet të merrte masa për kufizimin e përdorimit të drogës vetëm për qëllime mjekësore dhe shkencore, si dhe bashkëpunimi me shtetet e tjera për të ndaluar përdorimin e saj për qëllime të tjera.
Legjislacioni i Ahmet Zogut kundër drogës
Në fakt, Shqipëria do të përmbushte detyrimin e saj për të reflektuar ndryshimet e nevojshme ligjore të diktuara nga konventa që kishte nënshkruar. Në Kodin Penal të Ahmet Zogut, parashikohej ndëshkimi penal i veprimtarive të paligjshme të drogës.
Në listën e veprave penale u përfshinë edhe krimet kundër shëndetit e kushdo që tregtonte, fuste apo eksportonte kontrabandë opium, hashash apo ekstrakte të kësaj natyre, ndëshkohej me burgosje deri në 1 vit dhe me gjobë që varionte nga 100-1000 mijë franga ari. Më shumë sesa t’i jepte zgjidhje një problematike të brendshme, këto masa synonin të përafronin legjislacionin, i cili ishte hartuar në frymën e praktikave ligjore ndërkombëtare.

Si u anulua koncesioni i mbledhjes dhe mbjelljes së hashashit në Korçë
Krahas kontrollit përmes legjislacionit, një kontroll tjetër që u ushtrua ishte edhe ai i dhënies së koncesionit për mbledhjen dhe mbjelljen e hashashit. Më 27 nëntor të vitit 1931, Këshilli i Ministrave me vendimin me numër 178 vendosi të anulojë lejen e dhënë në Prefekturën e Korçës për mbledhjen e hashashit me argumentin se ajo ishte një bimë e dëmshme. Haxhi Shkoza te “Financat e Shqipnis” shkruan se qeveria urdhëroi “dikasterin kompetet (kryeministria nr 666/1 datë 13 qershor 1931) mbi përgatitjen e një projektligje për ndalimin e mbjelljes së kësaj bime”. Por, sipas Shkozës, mbi këtë urdhër nuk është vënë ndonjë dispozitë ligjore për ndalimin në fjalë në kundërshtim me ligjin e të dhjetave.
Në fakt, anulimi i koncesionit vjen në një kohë kur edhe Lidhja e Kombeve kishte hartuar një konventë të re që kufizonte më tej dhe rregullonte shpërndarjen e lëndëve narkotike. Këtë konventë të korrikut të vitit 1931, pala shqiptare e nënshkroi dhe e ratifikoi në parlament. E pak muaj më vonë, në nëntor anuloi edhe koncesionin ekzistues. Duhet evidentuar një element tjetër, që anulimi i këtij koncesioni për hashashin vjen në të njëjtën ditë kur në Bangkok (27 nëntor 1931) u nënshkrua marrëveshja ndërkombëtare për “zhdukjen e zakonit të pirjes së opiumit”, por që sipas Shkozës, kjo marrëveshje ndërkombëtare nuk është nënshkruar nga ana e vendit tonë.
Studiues të ndryshëm kanë evidentuar faktin se krahas opiumit që përdorej për qëllime mjekësore apo në raste të rralla për qëllime kënaqësie, Shqipëria ka njohur kultivimin e kërpit si praktikë në prodhimin e veshjeve, litarëve, ilaçeve e lëndëve djegëse.
Në Maqedoni prodhoheshin 300 mijë kg, në Shkup çmimi ra me 300%
Në Shqipërinë e viteve ’30 diskutimi për opiumin apo kanabisin (hashashin) ishte diçka e zakonshme sepse përfshihej në listën e bimëve bujqësore, të kultivueshme në interes të industrisë farmaceutike (opiumi prodhon morfinën). Edhe pse duhet pranuar fakti se ka shumë ngatërresa, edhe në ditët e sotme, me emërtesat e bimëve e të lëndëve që dalin prej tyre.
Në revistën “Ekonomisti Shqiptar” të vitit 1932, organ i Odave të Tregtisë, analizohet situata ekonomike në Jugosllavi (me fokus Maqedoninë).
Në artikull evidentohet fakti se rënia e çmimeve të opiumit ka shkaktuar në popullatë humbjen e dëshirës për ta kultivuar atë. Në vitin 1931, sasia që prodhonte vendi fqinj vlerësohet 200 mijë kilogramë në 1930 dhe 40 mijë kilogramë në vitin 1931. Arsyet e rënies së çmimit vlerësohen kufizimet e vendosura nga Lidhja e Kombeve, mbiprodhimi që kapërcen nevojat e industrisë kimike botërore etj.
Si shembull merret Shkupi ku çmimi i bimës së opiumit vlerësohet se ka shënuar rënie deri në 300 % në krahasim me çmimet e 4-5 viteve më parë.
Më poshtë shkrimi i plotë i revistës:

Pushtimi i Shqipërisë, mungesa e stabilitetit në vend dhe periudha e luftës rezulton një periudhë ku konsumi i drogës për qëllime kurative e pse jo edhe për konsum jomjekësor ka njohur rritje. Në kushtet e mungesës së ilaçeve e në kushtet e plagosjeve e traumave të shumta, do të ishin bimët mjekësore ato që do të mbushnin boshllëkun e krijuar. E një nga bimët e përdorura do të ishte bima e opiumit që përmbante brenda edhe morfinën e nevojshme për qetësimin e dhimbjeve të shkaktuar nga traumat apo plagët e luftës. Por gjithashtu, nuk mungojnë as dëshmitë se kjo bimë është konsumuar për qëllime kënaqësie në këtë periudhë, sikurse nuk mungojnë as shkrimet për konsum kanabisi.
Burimet zyrtare dëshmojnë se situata e përdorimit të bimës së opiumit do të ishte problematike në Shqipërinë e pasluftës.
Në media është bërë publike një qarkore e vitit 1947, ku ministri i Shëndetësisë Medar Shtylla kërkon të ndalohet tregtimi e konsumi i hashashit, që klasifikohet si narkotik i fuqishëm dhe i rrezikshëm për organizmin. Dokumenti dëshmon gjithashtu se shitja e tij ushtrohej lirisht në treg, veçanërisht në ditë pazari.
E në këtë rast, urdhëresa i referohet bimë së opiumit me lule të kuqe, pjesët e së cilit përdoreshin për efekte qetësuese e jo bimës “kanabis sativa”, rezina e së cilës prodhon hashishin.
Krahas urdhëresës për marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të tij, do të jepej edhe udhëzimi që të realizoheshin konferenca të posaçme për të trajtuar dëmet që shkakton hashashi në popullatë./ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button