Jannah Theme License is not validated, Go to the theme options page to validate the license, You need a single license for each domain name.

Kufiri detar, Bushati: I diskutueshëm por brenda linjës së Kushtetueses

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e pranon se ka një rënie të intensitetit të komunikimit krahasuar me qeverinë e mëparshme të Athinës.

Në një intervistë për Top Channel, ai shprehu besimin se, ashtu si Shqipëria, edhe Greqia do të duhet të ndajë bindjen se vetëm përmes bisedimeve mund të zgjidhen çështjet mes dy vendeve, dhe jo përmes asaj që ai e quan “megafon-diplomaci”.

Sa i përket çështjes së kufirit detar, që acaroi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, Bushati lë të hapura të gjitha mundësitë e zgjidhjes, por shprehet se diskutimet duhet të kryhen brenda linjës së vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Të gjitha mundësitë janë të hapura, si një zgjidhje nga e para, e rinegociuar duke mbajtur parasysh linjat e kuqe që ka vendosur Gjykata Kushtetuese shqiptare, të paktën sa i përket Shqipërisë, por po kaq e hapur si mundësi është adresimi i kësaj çështjeje, tek instrumentet që ofron e drejta ndërkombëtare dhe precedentët, qoftë edhe në rajonin tonë, për adresimin e kësaj çështjeje duke u bazuar në instrumentet e së drejtës ndërkombëtare, që nuk mungojnë”, sqaron ministri Bushati.

Bushati foli edhe për vizitën e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç duke thënë se kjo vizitë tregoi qartë afrimin mes dy vendeve, dhe se pavarësisht ndarjes së thellë për Kosovën, të dy vendet mund të jenë më bashkëpunues.

Një ditë pas samitit ballkanik në Tiranë, shefi i diplomacisë shqiptare sqaron se tani është në dorë të Bashkimit Evropian për të provuar nëse BE do të pranojë afrimin e Ballkanit përmes financimit të projekteve infrastrukturore.

“Presim që pala serbe të jetësojë angazhimin e ndërmarrë për njohjen e diplomave. Gjithashtu, kemi rënë dakord me palën serbe të krijojmë mundësinë për një lëvizje të lirë, pra edhe me karta identiteti për qytetarët e dy vendeve”, thotë ministri i Jashtëm, Bushati.

Samiti i Ballkanit në Tiranë ishte rasti që pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, të ulte në takim edhe krerët e dy qeverive shqiptare dhe asaj të Shkupit.

“Qëndrimi ynë është i pandryshueshëm në këtë pikë. Kërkojmë një hetim të besueshëm dhe një transparencë të plotë për atë çfarë ka ndodhur në Kumanovë”, thotë Bushati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button