Në Athinë e Shkup, rrugë nga “Beogradi”

Nga Lorenc Vangjeli –
Dhe një kunj për kritikët në Tiranë.

Kryeministri Rama ka dhënë një përgjigje të shkëlqyer për pyetjen që peretendon probleme respektive mes Tiranës zyrtare nga njëra anë dhe Athinës e Shkupit nga ana tjetër. Në takimin me homologun serb, duke dashur të gjejë pika takimi për të nesërmen me Beogradin, duke lënë pas të shkuarën, Rama ju përgjigj sidomos kritikëve të tij në Tiranë duke dhënë një sinjal të fortë edhe për fqinjët.

Rama foli për atë që konsiderohet si ftohje e marrëdhënieve me Greqinë. Shpjegoi se mes dy vendeve ka kanale komunikimi për problemin e marrëveshjes së detit, por theksoi se “…nuk negociojmë për hir të fqinjësisë së mirë me interesin kombëtar”. Insistoi se Tirana nuk ka krijuar kurrfarë shqetësimesh me politikën e saj të jashtme dhe se këmbëngulet sërish fort tek ideja për zero probleme me fqinjët, por pa mbyllur sytë për problemet e krijuara nga të tjerët.

Gjithashtu Rama refuzoi të shohë si problem mes dy vendeve zgjedhjen e nacionalistit Shpëtim Idrizi në postin e nënkryetarit të Kuvendit duke thënë se nuk imagjinonte që Shqipëria të ndërhynte në çështje të ngjashme të vendimmarrjes apo të zgjedhjes në poste politike në Greqi.

Rama shpjegoi dhe deklaratën shumë të komentuar të tij për një veto të mundshme të Shqipërisë për antarësimin e Maqedonisë në NATO. Ai tha se nuk kishte shpallur asnjë veto të tillë dhe se ajo ishte keqkuptuar nga media në Tiranë. Në të kundërt, Rama tha se në samitin e Uellsit, në Britaninë e Madhe, Shqipëria kishte insistuar që në objektivat që Maqedonia duhet të përmbushte për antarësim të ishin edhe garantimi i marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe respektimi i Marrëveshjes së Ohrit. Rama la të kuptohet se çdo vendimmarrje e Shqipërisë si antare e klubit të NATO-s do të vinte vetëm në paralele të plotë me atë të vetë klubit.

“Ne duam jo vetëm një Maqedoni të qëndrueshme, por dhe një Maqedoni të jetueshme. Pa zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia nuk mund të jetë kurrsesi pjesë e NATO-s”, kishte deklaruar në datën 20 maj Rama. Një deklaratë që u konsiderua si veto e mundshme e Shqipërisë për Maqedoninë, por që vetë Rama e mohoi një gjë të tillë një javë më pas.

Rama është kritikuar në Tiranë nga deputeti i partisë së tij Ben Blush pikërisht për dëmtimin e marrëdhënieve me fqinjët dhe amatorizëm në politikën e jashtme. Kjo është arsyeja që kryeministri, edhe pse natyrisht nuk e përmendi në emër, futi një kunj jo dhe aq të imët për të në konferencën për shtyp me kryeministrin serb Vuçiç.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close