Vuçiç: U zgjasim dorën. Rama: Nuk synojmë zmadhime në kurriz të askujt (VIDEO)

Tiranë – Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u bë kreu i parë i qeverisë serbe që shkeli në tokën shqiptare. Rreth orës 11:00, Vuçiç mbërriti ne Rinas, në vizitën e parë zyrtare të një kryeministri serb në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama priti homologun e tij serb në një ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave, gjashtë muaj pasi i kërkoi në shqip njohjen e shtetit të Kosovës.


Vizita e Vuçiç në Tiranë ka angazhuar prej ditësh qeverinë shqiptare për organizimin e të gjithë ceremonive zyrtare, ndryshe nga çdo pritje e krerëve të qeverive të tjera, ndërkohë që krahasohet për nga masat e sigurisë me vizitën e Papa Françeskut që vizitoi Tiranën në shtator.


Për mbarëvajtjen e kësaj vizite janë angazhuar rreth 1500 forca policie, gardistë, shërbimet inteligjente dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit.

konferencaKonferenca



Rama: Kombi ynë që nuk synon zmadhime në kurriz të askujt


Kryeministri, Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç është pyetur nga gazetarët serbë lidhur me çështjen e Kosovës dhe Shqipërisë së Madhe si dhe për incidentin e ndodhur në Beograd vitin e kaluar. Ja si u përgjigj Rama:


Droni


Po të kishim parë një flamur të Serbisë së Madhe do të kishim qeshur të gjithë si popull. Por kjo është çështje perceptimesh. Mësimi për atë ngjarje është nxjerr nga të dy palët. Kjo paqe kaq shumë e kërkuar dhe e mirëpritur nga të gjithë popujt e Ballkanit, është aq e brishtë sa mund të vihet në rrezik nga një top futbolli. Por, ne e kemi kapërcyer atë moment. Vizita është shenjë e vullnetit për të parë përpara, pavarësisht mos dakordësive. Besoj se serbët dhe shqiptarët nuk kanë vetëm përgjegjësi ndaj vetvetes, kanë përgjegjësi ndaj rajonit dhe Evropës. Nga mënyra se si do të zhvillohen marrëdhëniet e serbëve dhe shqiptarëve nuk do të varet vetëm si do të jenë nesër serbët dhe shqiptarët, por si do të jetë nesër rajoni dhe Evropa.


Kosova


Kemi qenë shumë të qartë në mbështetje të fortë të dialogut. Ne kemi pasur edhe një nisëm për t’i drejtuar komiteti të çmimit Nobel për t’i dhënë çmimin Nobel dy liderëve që çelën dialogun dhe baroneshës Ashton. Ishte momenti i një kthese të madhe. Njohja e Kosovës do të ishte një çlirim i madh për Serbinë. Por, nuk dua të hyj më thellë në këtë çështje se këtu jeni miq në shtëpinë tonë dhe ne respektojmë miqtë dhe të gjithë ndjeshmërinë që ata kanë.


Shqipëria e Madhe


Shqipëria e Madhe është një ide të cilën e kanë promovuar dhe e ushqejnë ata që nuk i duan të mirën shqiptarëve, jo ne dhe jo kombi ynë që nuk synon zmadhime në kurriz të askujt, por vetëvendosje dhe bashkëjetesë normale me të gjithë. Nuk ka projekt për Shqipërisë të Madhe,. Ka vetëm një progje, projekti i bashkimit tonë në BE. Duam një Ballkan pa kufi, për shqiptarët por dhe mes nesh, mes të gjithë popujve të tjerë.


Acarimi i marrëdhënieve me Greqinë dhe Maqedoninë


Për Greqinë, kemi fqinjësi të mirë dhe një partneritet të vijëzuar strategjik. Nuk kemi asnjë problem me qeverinë greke. E kam uruar qeverinë e Cipras dhe e kam ftuar në Tiranë. Do të isha i lumtur të vizitojë Athinën. Nuk shoh asnjë arsye në botë që Athina dhe politikanët e huaj në Tiranë të shqetësohen që Shqipëria t’i kërkojë Greqisë bazuar në të drejtat ndërkombëtare informacion për hartat.


Ky problem nuk ka nisur me qeverinë e re, por më herët. Ne duam një zgjidhje dypalëshe për çështjen e kufirit detar. Ne duam të vazhdojmë të kemi marrëdhënie të mira që kishin me qeverinë e shkuar. Ne duam të bëjmë një politikë të jashtme të fqinjësisë së mirë, por kur na dalin probleme ne nuk mund të mbyllim sytë. Sa i përket emërimit të nënkryetarit të Parlamentit, ne nuk e imagjinojmë dot t’i themi Athinës se çfarë nënkryetari të zgjedhë, besoj kjo është e qartë. Askush nuk duhet të na tregojë ne në botë se kë duhet të emërojmë apo jo kur ata janë të zgjedhur me votë.


Sa për Maqedoninë, ne jemi anëtar të NATO-s dhe flasim si të tillë. Nuk është as kërcënim e bllokim. Është një qëndrim. Mbrëmë morën përgjigjen pozitive nga Gruevski për ftesën në Tiranë në kuadër të Samitit të SEECP-it.





Vuçiç: Gati t’i zgjasim dorën popullit shqiptar


Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për mediat me kryeministrin Edi Rama, Vuçiç tha se ndihet shumë i vlerësuar për pritjen e rezervuar në Tiranë, por shprehu edhe qëndrimet që e ndajnë atë me Ramën.


I nderuari kryeministër, të nderuar përfaqësues të medias dhe ministra. Jam krenar që jam kryeministri i parë serb që vi në Tiranë në këtë vizitë zyrtare.


Vij këtu në emër të shtetit dhe qytetarëve serbë. Sigurisht që duam marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike mes dy shteteve tona. Forcimi i marrëdhënieve ekonomike është ajo që do të forcojë më shumë lidhjen mes nesh, dhe do të sjellë më shumë të mira për Serbinë dhe Shqipërinë.


Serbia dëshiron marrëdhënie të mira dhe komunikim më të mirë me Shqipërinë, zhvillimin e projekteve të infrastrukturës, ndërtimin e rrugëve dhe të hekurudhave që lidh Serbinë me autostradën Shqipëria Nish-Prishtinë- Tiranë.


Ne këtu do të sjellim edhe investitorë tanë këtu, dhe do të ftojmë investitorë shqiptarë në Serbi. Jam i bindur se këtë e bëjmë edhe në interes të popullit shqiptar dhe atij serb.


Edhe në 100 vitet e ardhshme ne do të jetojmë së bashku dhe më të sigurt në këtë pjesë të Europës. Të mos mendojmë se problemet dhe punët tona do t’i rregullojmë me biseda. Nga e shkuara nuk mund të ikim, por duhet të shohim nëse mund të ndryshojmë diçka për ardhmen. Ne duam t’i zgjasim dorën popullit shqiptar.


Ne mendojmë ndryshe dhe flasim ndryshe dhe kemi një politikë ndryshe rajonale, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të kemi marrëdhënie të mira. Me Ramën jemi takuar shumë herë, e kam pritur dy herë në Serbi, jemi takuar në Kinë dhe në aktivitete të tjera dhe kemi biseduar gjithnjë hapur. Bashkë do të kemi bisedime shumë të hapura.


Ju falënderoj për pritjen këtë mundësi që keni krijuar.


12:51 – Rama: Nuk ndihemi të provokuar, ndajmë qëndrime të ndryshme për Kosovën


vucic-620x350Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili mori fjalën i pari në konferencën e përbashkët me kryeministrin Aleksandër Vuçiç, përmendi gjatë fjalës së tij disa nga çështjet më shqetësuese në rajon. Rama e nisi fjalimin e tij me një ftesë drejtuar serbëve për të kaluar pushimet në bregdetin shqiptar, duke vazhduar më pas me bashkëunimet që duhet të ekzistojnë mes dy vendeve. Tema më e nxehtë ishte ajo e pavarësisë së Kosovës, ku lidhur me këtë Rama theksoi se dy vendet mbajnë qëndrime të kundërta.


“Shpreh qysh në fillim bindjen se këto 24 orë që do të qëndrojë në Tiranë do të jenë për të një shtysë që të rikthehet me kënaqësi në vendin tonë. Uroj që mbresat pozitive të vizitës ta nxisin kolegun serb që në kthim të inkurajojë bashkëqytetarët e tij ta vizitojnë Shqipërinë, sidomos gjatë verës ku përfitoj nga rasti i pranisë së mediave serbe, u sigurojë se do të gjejnë vendpushimet, ushqimin, mikpritjen më pozitivisht përfaqësuese. Vuçiç është në Tiranë për një vizitë dypalëshe siç ishim dakordësuar më parë dhe për të marrë pjesë në takimin në kuadrin e përfundimit të mandatit të presidencës shqiptare të SEECP-së.


Për shkak të punimeve në katin e parë të Kryeministrisë, ne e organizuam në këtë pallat ceremonialin e pritjes së kryeministrit serb. Vuçiç është i pari vizitor i këtij rangu nga Beogradi që pritet në Tiranë me të gjitha nderimet protokollare. Në harkun e gjashtë muajve ne kryem këmbimin e parë të vizitave në rang kryeministrash Tiranë-Beograd, pas një kohe të stërgjatë akulli mes dy shteteve tona”, tha Rama.


Rama: Projektojmë të ardhmen së bashku


Ky fakt është shenjë e dëshirës dhe vullnetit për të sjellë dy kombet tona më pranë njeri-tjetrit, dhe pse jemi larg së qenit dakord për gjithçka. Shenjë e vetëdijes dhe bindjes se sot shqiptarët dhe serbët kanë një mundësi historike dhe ta kthejnë paqen e mezi arritur në rajon, në një paqe që ja vlen të jetohet nga shqiptarët dhe serbët. Kemi mundësinë të bëjmë për të mirën tonë për vetë rajonin, atë që francezët e gjermanët bënë për vetveten dhe Evropën pas Luftës së Dytë Botërore. Vullneti i qeverisë shqiptare është i palëkundur në mbështetje të synimit tonë për çuar përpara axhendën e një rajoni pa kufi, që të bien barrierat e trashëguara prej vitesh, që nga barrierat historike, tregtare, shoqërore dhe kulturore. Të gjitha që na kanë penguar ta projektojmë së bashku të ardhmen, jo vetëm politikisht si një destinacion të përbashkët drejt BE-së, por përmes hartimit bashkarish të mbështetjes së projekteve në infrastrukturë, turizëm etj. Ne jemi të vegjël për të mos u bërë bashkë. Në përpjekje për të rritur ekonominë dhe për të shumëfishuar energjinë pozitive, që i duhet popujve në këtë kohë mundësish të mëdha dhe sfidash të rënda. Suksesi i përbashkët është e vetmja rrugë për të mbërritur në suksesin për kombet e vendeve tona.


Fatet e vende të Ballkanit janë të ndërvarura, është e pamundur të imagjinohet që njeri të shkoj përpara dhe tjetri të mbetet mbrapa. Ne të gjithë jetojmë në pjesë të tjetrit dhe kur me tjetrin jemi të ndarë, duhet të na motivojë, se drejtimi i duhur për veten të na shoh të pandarë në drejtimin e duhur për tjetrin. Të bëjmë për tjetrin as më shumë e as më pak, sa tjetri mendojmë se do të bëjë për ne.


Kruajua që Franca dhe Gjermania patën për të ecur së bashku pas Luftës së Dytë Botërore, që rridhnin nga shtresat e një ndasie të egër, tregon se jemi në fazën historike të ndërtimit të themeleve të një bashkëjetese të qëndrueshme në paqe dhe harmoni ndëretnike, ndërfetare dhe ndërshtetërore. Historia e ndasisë është e atillë që e bën sfidën për paqe një përgjegjësi të përbashkët edhe ndaj fateve të së nesërmes si një rajon i tërë.


Dialogu Kosovë-Serbi


Fakti që dhe një top futbolli rrezikoi të na rrokulliste në pikën zero, 6 muaj më parë është domethënëse për brishtësinë e paqes dhe fazën e një bashkëjetese mes nesh. Aty ku ka një vullnet të përbashkët ka dhe një rrugë, vlen dhe për ne shqiptarë dhe serbë. Ka ende një mosdakordësi sa një mal, lidhur me çështjet e Kosovës. Kjo nuk e zbeh vlerën e madhe të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, që është prologu kurajoz i çeljes së një kapitulli të ri në historinë e përbashkët të rajonit. Pa hapjen dialogut procesi i çelur në Berlin nën lidershipin e Merkel s’do kishte qenë dot i mundur. S’do ishte i mundur që sot të hynim në projektet e përbashkëta.Rikonfirmoj vullnetin e serb dhe Vuçiç për të jetësuar plotësisht marrëveshjen për njohjen reciproke të diplomave të të rinjve, që dakordësuam në takimin në Beograd.


Shqiptarët e Luginës së Preshevës


Shqiptarët e Luginës së Preshevës presin më shumë nga qeveria e Serbisë në këmbim të vullnetit të tyre për të respektuar shtetin e Serbisë. Ne këtu presim që shqiptarët e jugut të Mitrovicës, t’u rezervohet po ai trajtim dinjitoz si serbët veri të Kosovës.


Dialogu duhet të përparojë me marrëveshjet e dakodrësuar. Mos të mbetet një histori evropiane në letër. Është një domosdoshmëri për forcimin e shumë nevojshëm të qëndrueshmërisë së paqes së brishtë. Ngjarja në Kumanovë vërtetoi brishtësinë e paqes kaq shumë të ëndërruar në Ballkan dhe për të.


Marrëveshja e Ohrit


Shqipëria e sheh si interes të padiskutueshëm të saj të rajonit integritetin territorial dhe funksionimin e demokracisë në Maqedoni. E duam të qëndrueshme dhe demokratike ku marrëveshja e Ohrit të respektohet në frymë dhe të zbatohet në germë. Për të siguruar bashkëjetesën e dëshiruar nga të gjithë si dy faktor shtetformues për Maqedoninë. Jemi kundër çdo forme të shfaqesh së ksenofobisë dhe ndasisë etnike. Të gjitha vendet duhet të distancohen nga thirrjet që nxisin shfaqje të tilla në hapësirën Maqedonase dhe në Ballkan, i përket të shkuarës dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me vizionin, misionin dhe përpjekjet tona për t’i bërë ballë së nesërmes.


Bashkimi Evropian


BE është e vetmja hapësirë ku liritë dhe popujt mund të jenë të shpëtuara nga kërcënimet antidemokratike nga brenda dhe jashtë nesh. E sotmja është Evropa, e nesërmja është BE. Rruga e bashkimit të fuqive tona për t’i rilindur duke punuar me përkushtim dhe me shumë durim me njëri-tjetrin.


Duke u bërë bashkë për të mbrojtur nga çdo kërcënim gjeopolitik. Shqiptarë dhe serbë të synojnë dhe t’i kthejnë marrëdhëniet mes tyre në një dëshmi të faktit, se nga histori luftash, mund të lind shembulli i një suksesi paqeje. Jo vetëm fqinjësia e mirë, por dhe ndërveprimi aktiv në interes të përbashkët, janë dhe fuqia e vërtet e përfshirjes së plotë të rajonit. Kjo vizitë shenjë e ndërlidhjes me këto aspirata. Ndaj duke falënderuar Vuçiç për vizitën në Tiranë dhe duke i kaluar fjalën uroj intensifikim të marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe kthimin e shqiptarëve dhe serbëve në një shenjë dalluese.


12:25 – Përfundon takimi kokë më kokë Rama-Vuçiç


Pas rreth 40 minutash përfundoi takimi bilateral mes kryeministrave të dy shteteve. Diskutimet që janë bërë në këtë takim, pritet të mësohet gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, e cila është planifikuar të nisë në orën 12:50.


ranma vucic11:45 – Aleksandër Vuçiç është pritur me ceremoni zyrtare në Pallatin e Brigadave, ku pas shtrëngimit të dorës me homologun shqiptar Edi Rama, banda muzikore ka luajtur himnin e Serbisë e mandej sipas protokollit himnin tonë kombëtar.


11270111_922968547724096_558413096_nBazuar në protokollin zyrtar, ceremonia e mirëseardhjes kishte një detaj ndryshe nga në Serbi gjatë vizitës së Ramës. Në Pallatin e Brigadave krah flamurit shqiptar ishte vendosur edhe ai serb. Pas luajtjes së himneve, kryeministrat janë përkulur para flamurit shqiptar.


Kjo është vizita e parë pas shtatë dekadash e një kryeministri serb në Shqipëri. Vizita e ti dyditore vjen pas “thyerjes së akullit” nga kryeministri ynë Edi Rama me vizitën e tij më 10 nëntor në Beograd.


Pas pritjes, dy krerët e qeverive kanë nisur bisedimet zyrtare mes tyre. Në takim janë të pranishëm edhe delegacioni serb dhe ai shqiptar, në përbërje të të cilëve ndodhen ministrat kryesorë të të dyja qeverive.


11324037_922968497724101_217222072_nNë përfundim të takimit, pritet që Rama e Vuçiç të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.





11-06 – Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” në vizitën e tij të parë në Tiranë jo vetëm personalisht, por edhe si kreu i shtetit serb.


Ai është pritur në Rinas nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi. Sipas agjendës së publikuar më herët, nga Rinasi kreu i qeverisë serbe do t’i drejtohet Pallatit të Brigadave nën masa të rrepta sigurie.


Nga Rinasi e në vazhdim në autostradë, tek Dogana, Zogu i Zi dhe Rruga e Durrësit është bllokuar qarkullimi.


Ndërkaq në Pallatin e Brigadave ndodhet kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, të cilët do të presin delegacionin serb që pritet të mbërrijë pas pak minutash.


vucic1


Axhenda e takimeve me krerët e shtetit 


Protokolli i Shtetit zyrtarizon axhendën, por dhe orarin e takimeve të kryeministrit të Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç me krerët e politikës shqiptare.


Sipas kësaj axhende, pas zbritjes në aeroportin “Nënë Tereza”, kreu të qeverisë serbe dhe delegacioni që e shoqëron pritet të jenë në Pallatin e Brigadave në orën 11:30.


Ceremonia e mirëseardhjes do të zgjasë deri në orën 11:45 për t’u pasuar me takimin dypalësh të delegacioneve të kryesuar nga të dy kryeministrat. Këto takime pritet të mbyllen në orën 12:45 minuta.


Në orën 12:50 – 13:20 do të jetë konferenca e përbashkët për shtyp e krerëve të dy qeverive.


Takimi i radhës kryeministrit Vuçiç i është rezervuar nga kryetari i Parlamentit, Ilir Meta. Takimi që nis në orën 15:00 pritet të zgjasë rreth 40 minuta.


Në 15:50 kreu i qeverisë serbe do të pritet nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili ka rezervuar një takim të veçantë me të.


Pjesë e takimeve zyrtare është dhe ajo me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëherësh kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takim që nis në orën 16:40 – 17:15.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close