Çamët “përzënë” Vangjel Dulen

Përplasja mes çamëve dhe grekëve është reflektuar dje fuqishëm në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë. Me 73 vota pro dhe një abstenim, Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, që mbron të drejtat e komunitetit çam, u zgjodh nënkryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Votimi në seancën e djeshme parlamentare erdhi pas propozimit të grupit parlamentar të PDIU-së, ndërsa si përfundim propozimi u miratua me shumicë votash. Deputeti socialist Bashkimi Fino ishte i vetmi që abstenoi. Vetëm pak minuta pas votimit në Parlament, njëri nga dy nënkryetarët, Vangjel Dule, mbrojtës i të drejtave të minoritetit grek, i dorëzoi Kuvendit një letër, ku njoftonte dorëheqjen e tij nga ky post.

Shpëtim Idrizi dhe aleanca me PS-në

Kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, do të jetë nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Ai është tashmë njëri nga dy nënkryetarët, së bashku me Edmond Spahon e opozitës. Me 73 vota pro dhe një abstenim, Parlamenti miratoi propozimin e grupit parlamentar të PDIU-­së për zgjedhjen e Idrizit në postin e nënkryetarit. Rreth dy muaj pasi Idrizi vendosi t’i bashkohet koalicionit të majtë, “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, duket se ai mori frytet e para të aleancës, duke siguruar një post të rëndësishëm të legjislativit. Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar më 30 mars, mes kreut të PS-së, Edi Rama dhe atij të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ky i fundit largohet nga koalicioni opozitar për t’u bërë pjesë e mazhorancës në zgjedhjet e 21 qershorit. Sipas kësaj marrëveshjeje, Partia Socialiste i dha të drejtën PDIU-së të vendoste tri kandidaturat e saj për kryetarë bashkie, të cilët do të garojnë nën siglën e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. PDIU-ja e drejtuar nga Shpëtim Idrizi propozoi Beqir Nuredinin, për bashkinë e Rrogozhinës, në Peqin vendosi Saimir Hasallan dhe në Konispol, Shuaip Beqirin.

Dorëheqja e Vangjel Dules

­Vetëm pak minuta pasi Parlamenti miratoi me shumicë votash, Shpëtim Idrizin si nënkryetarin e ri, njëri prej dy nënkryetarëve të tjerë, Vangjel Dule, kreu i PBDNJ-së, dha dorëheqjen nga ky post. Dule me anën e një letre të nisur në drejtim të kryeparlamentarit Meta u shpreh se bën dorëheqjen nga posti i nënkryetarit, për shkak se, sipas tij, institucionet janë shndërruar në një plaçkë këmbimi. “I nderuar zoti kryetar, më lejoni që sëbashku me urimet e mija më të mira, t’ju paraqes dorëheqjen time nga posti i zëvendëskryetarit të Kuvendit. Shkak për këtë bëhet shndërrimi i institucioneve në plaçkë këmbimi. Institucionet janë kthyer në këmbime në tregun e aleancave fluide. Ky fenomen bie ndesh me parimet e mia politike. Duke ju falenderuar juve si dhe kolegët e mazhorancës dhe të opozitës për bashkëpunimin e deritanishëm”, shkruan Dule. Letra e dorëheqjes i’u dorëzua kreut të Kuvendit, Ilir Meta dhe krerëve të grupeve parlamentare të PS-së, PD-së dhe LSI-së.

Dule u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë në shtator të vitit 2013­, me 104 vota pro, 4 kundër dhe 6 abstenim. PBDNJ-ja, e drejtuar nga Vangjel Dule, vendosi të mos jetë në asnjë nga koalicionet zgjedhore, duke kandiduar më vete me kandidatë për kryetarë bashkie, por dhe në këshillat bashkiakë. Dy forcat politike, PDIU-ja e Idrizit dhe PBDNJ-ja e Dules kanë qenë gjithmonë kundërshtare të njëra-tjetrës, kjo për faktin se në thelb përfaqësojnë dy kauza tërësisht të ndryshme. Partia e Idrizit është zotuar se do të përfaqësojë popullsinë çame, nga të cilët ka marrë edhe votën, ndërkohë që partia e Dules është përfaqësuese e minoritetit grek në Parlamentin shqiptar. Pas konstituimit të Parlamentit, të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013, institucioni më i lartë ligjvënës ka funksionuar me dy nënkryetarë, Edmond Spaho i Partisë Demokratike dhe Vangjel Dule i PBDNJ-­së. Ndërsa gjatë katërvjeçarit të dytë të qeverisë “Berisha”, Kuvendi kishte tre nënkryetarë, Vangjel Tavo i LSI-së, Ardian Turku i PD-­së dhe Namik Dokle i PS-së.

Reagimi

Pas dorëheqjes së nënkryetarit të Parlamentit, Vangjel Dule, me pretendimin se tashmë institucionet janë kthyer në plaçkë këmbimi, reagoi edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ku sipas tij, akti i dorëheqjes së Dules nxori në pah urrejtjen gjakësore ndaj shqiptarëve të çamërisë. “Sapo mësova mbi dorëheqjen që Vangjel Dule paska dhënë, sapo ka mësuar emërimin tim në këtë post. Pa dashje ky Zerv-ist i kohëve moderne ka nxjerrë në pah atë, që i vlon në mendje dhe zemër, urrejtjen gjakësore ndaj shqiptarëve të Çamërisë, duke shpresuar që historia ta ndalë turravrapin e vet këtu e 70 vjet më parë dhe viktima të vazhdojë të mbetet viktimë, ndërsa agresori të vazhdojë të mbetet agresor.

Ky individ dashakeq e fobik, ndaj gjithë atyre që nuk i përkasin frymës më shoviniste të nacionalizmit të huaj, veçanërisht i errësuar nga urrejtja ndaj popullsisë çame, na kujton dhe njëherë të gjithëve që duhet të punojmë për t’i dhënë historisë atë çka meriton”, shkruan Idrizi. Sipas tij, çështja çame do të zgjidhet në përputhje me të gjitha konventat për respektimin e të drejtave të njeriut, do apo nuk do pinjolli i lig i Napoleon Zervës. Për Idrizin, Dule nuk përfaqëson minoritarët, por idealet e “Agimit të Artë”. “Ajo çka vërtetoi edhe njëherë Vangjel Dule është se ai nuk përfaqëson as vëllezërit tanë minoritarë e as mentalitetin e shëndetshëm të një pjese të shoqërisë greke. Ai përfaqëson idealet e ‘Agimit të Artë’, të cilat nuk mund të pranohen kurrë në Shqipëri”, shprehet Idrizi.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close