Blushi: Sa më e fortë Shqipëria, aq më shumë shpresë te shqiptarët e Maqedonisë (VIDEO)

Pasi vizitoi “Lagjen e Trimave” në Kumanovë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Ben Blushi ishte i ftuar në emisionin “Zona B”, në Klan Kosova.

Politikani dhe publicisti nga Tirana komentoi ngjarjet e fundit pas aksionit policor. Sipas Blushit, qeveria e Maqedonisë ka paranojë historike në raport me shqiptarët dhe kjo është një nga shëmtitë më të mëdha që politikat e Nikolla Gruevskit po i shkaktojnë vendit.

“Shtetet të cilat përpilojnë këto lloj politikash nuk kanë aftësi ta ndajnë të fajshmin dhe të pafajshmin, ta ndajnë luftëtarin nga burri civil, kalimtarin nga guerrili, gjë që ndodhi edhe në Kumanovë. Për ta, të gjithë banorët e Lagjes së Trimave ishin terroristë dhe për 15 orë ata nuk patën kohë të bëjnë diferencën mes një fëmije dhe një luftëtari”, është shprehur Blushi.

Sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve dhe trajtimit të tyre në Maqedoni, Blushi shtoi se shqiptarët janë ata që vuajnë dhunën dhe paragjykimin e padrejtë, mohimin e të drejtave civile.

“Në këtë rast edhe dhimbja dhe nënçmimi është më i madh kur një qeveri antidemokratike i dhunon duke i ndarë shqiptarët nga maqedonasit. Rasti konkret është se vijimi i mësimeve të nxënësve shqiptarë në Kumanovë bëhet në shkolla të veçanta, e jo në bashkësi me ata maqedonas. Ky pushtet i ndan në klasa: maqedonasit janë të klasës së parë, e shqiptarët të klasës së dytë”, shtoi deputeti socialist.

Blushi tregoi se nuk ka shkuar për t’i vizituar shqiptarët e Kumanovës me qëllimin që të garojë se cili politikan shqiptar po i viziton i pari, por për t’u solidarizuar me ta dhe me besimin se në qoftë se Maqedonia do të bëhet shtet demokratik, shqiptarët do të kenë jetë më të mirë duke kontribuar që të ketë paqe dhe zhvillim ekonomik afatgjatë.

“Shqipëria, si diell i këtij sistemi, ka një detyrim të madh të jetë një shtet më i fortë dhe më demokratik. Sa më e fortë që të jetë ajo, aq më shumë shpresë dhe model më të mirë kanë shqiptarët e Maqedonisë. Shqipëria ka detyrim të jetë shtet demokratik dhe me influencë në Ballkan”, tha Blushi në Klan Kosova.

Rreth parashikimeve mbi ecurinë e demokracisë maqedonase, ai shtoi se kryeministri maqedonas Gruevski është kokëfortë dhe nuk ka ndërmend ta lëshojë pushtetin.

“Është e çuditshme se si një mazhorancë i kundërpërgjigjet opozitës me protestë, gjë që na kthen në kohën e Millosheviqit. Po dha dorëheqje Gruevski, ai do të ndihej i poshtëruar, por qëndresa e tij cenon paqen ndëretnike midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Shqiptarët e Maqedonisë kanë lodhje dhe mërzi nga partitë shqiptare pasi këto parti vitet e fundit nuk kanë bërë sa duhet për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, respektimin e të drejtave në administratë dhe thithjen e investimeve në zonat e banuara me shqiptarë”, tha ndër të tjera Ben Blushi.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close