Deputeti grek bën fushatë për deputetin e Himarës Fredi Beleri

Deputeti grek i SYRIZA-s, Kosta Barka, i cili i përket zonës së Prevezës ka mbajtur një fjalim të gjatë për të ashtuquajturin “Vorio-Epir” dhe për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, si dhe për kandidimin e Fredi Belerit për Bashkinë e Himarës.

Barka ishte prezent në një event ku u promovuan kandidatët minoritarë grekë në zgjedhjet e 21 qershorit dhe ai, sipas Himara.gr dhe Aftonomi.gr, ishte i ftuar në cilësinë e përfaqësuesit të kryeministrit Cipras.

Sipas tij, ky minoritet lufton çdo ditë për të garantuar të drejtat e tij themelore. Ai ka mbajtur një fjalim përpara një grupi minoritar grek nga Shqipëria.

“Jemi shumë krenar për ju dhe për dashurinë që ju keni treguar ndaj atdheut. Edhe pse ju jetoni në kushte të vështira, përsëri ia keni dalë mbanë që të mbani gjallë helenizmin. Unë dhe qeveria e z. Cipras do t’ju mbështesim gjithnjë”, ka thënë Barka.

Më tej, Barka shprehu rezervat e tij për reformën territoriale në Shqipëri. Ai tha se modeli i Himarës dhe Konispolit duhet të ishte aplikuar edhe për Dropullin dhe Finiqin.

Më tej, u bëri thirrje pjesëtarëve të minoritetit grek në Shqipëri që të votojnë kandidatët e mbështetur nga PBDNJ-ja në zgjedhjet lokale të 21 qershorit, Fredi Belerin. “Ju duhet të mbështesni përpjekjet e pakursyera të PBDNJ-së për një jetë më të mirë, ndërsa pjesën tjetër na i lini neve që jemi përtej kufirit. Ne kemi gati ligjin e ri për pensionet, që do të kalojë shumë shpejt në Parlament. Shpresoj shumë që të fitoni më 21 qershor”, përfundon ai.

Pjesmarrës në këtë event ishte edhe Vangjel Dule, nënkryetar i Kuvendit dhe kreu i PBDNJ-së, si edhe Vasil Bollano, ish-kreu i OMONIA-s në Shqipëri. Gjithashtu, në këtë event u promovuan edhe dy kandidatët minoritarë për Livadhjanë dhe Konispolin.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close