Greqia, taksë shtesë importeve, 26% më tepër mallrave shqiptare

  • Taksa prek edhe eksportin e energjisë elektrike. Bullgaria ankohet në BE

Greqia vendos një pagesë dekurajuese prej 26% mbi të gjitha importet nga Shqipëria dhe një sërë vendesh të tjera, të cilat kanë sistem tatimor me norma më të ulëta. Tatimi prek çdo mall importi, nga produktet ushqimore deri te tekstilet, nga energjia deri te gazi. Alarmi jepet nga ICIS, që është Organizata Europiane e Transparencës së Çmimeve të Gazit dhe të Energjisë, por raportohet edhe nga mediat greke e bullgare. Sipas ICIS, tregtisë ndërkufitare midis Greqisë dhe shteteve fqinjë me taksa më të ulëta i vendoset një pagesë penguese mbi importet. Në një dokument të brendshëm të cituar nga ICIS, qeveria greke e ka përshtatur tekstin e kodit të saj tatimor me një formulim të ri, që do të thotë se çdo mall importi nga një vend me norma tatimore preferenciale, do të jetë subjekt i një takse 26%. Në listën përkufizuese të mallrave futet edhe energjia elektrike dhe gazi, që do të jenë subjekte të kësaj takse. Burime nga dy kompani të mëdha të energjisë deklaruan se kanë urdhëruar ndalimin e transaksioneve në kufirin grek për momentin, derisa të ketë më shumë informacion për këtë taksë. Greqia zakonisht importon energji elektrike nga disa vende, duke përfshirë Bullgarisë, Maqedonisë dhe Shqipërinë, të cilat kanë taksa më të ulëta. Kjo do të thotë që eksportuesit e energjisë elektrike në Greqi tani do të përballen me vështirësi. Masa është pjesë e reformave të qeverisë për t’iu kundërvënë evazionit fiskal. Sipas dokumentit qeveritar, palët që kryejnë një tregti ndërkufitare duhet të paraqesin arsyetimin e faturës tek autoriteti tatimor. Pasi kjo të njihet si një “transaksion i rregullt”, parapagimi do t’i kthehet biznesit brenda tre muajve nga blerja e produktit. Burimet i deklaruan ICIS se ngritja e tatimit ishte në axhendën e qeverisë për javën e kaluar, por ky përditësim i kodit tatimor do të hyjë në fuqi pas botimit në buletinin zyrtar. Zëdhënësit e qeverisë nuk kanë bërë asnjë koment deri tani. “Cilat transaksione janë ‘standarde’ dhe cilat janë ‘të dyshimta’, është pyetje 1 milion dollarëshe”, kritikon një analist i ICIS. Ndërkohë, që vendi mbetet i zhytur në vështirësi financiare, çështja është se kush i beson shtetit grek, kur është fjala për kthimin e këtyre parave. Lajmi i përhapur me shpejtësi ka ngjallur shqetësim në të gjitha tregjet, duke u theksuar se taksa e vendosur do të veprojë si një pengesë për tregtinë ndërkufitare. Të parët që e kanë kundërshtuar janë tregtarët bullgarë, të cilët e quajnë një veprim “qesharak” të qeverisë greke. Sipas komenteve të ICIS, një taksë e tillë shkon kundër frymës së rregullave të BE-së që rregullojnë lëvizjen e lirë të mallrave. Qeveria “Tsipras” thotë se përmes kësaj mase synon të luftojë evazionin, duke parandaluar atë që njihet si fenomeni i trekëndëshit të tregtisë. Sipas kësaj skeme, mallrat që kompanitë greke i blejnë me çmime të ulëta jashtë vendeve të BE, si Kina apo ndonjë tjetër, nuk i importojnë drejtpërdrejt në Greqi, por fillimisht i shesin ato në mënyrë fiktive tek një vend i tretë, që ka taksa më të ulëta. Por, pse ndodh kjo? Ligji grek i tatimeve ka shkallë tatimore të diferencuar, nga zero për librat e importuar deri në 48.5% për biçikletat kineze. Pra, nëse një kompani greke blen në Kinë një mall me kosto totale prej 100 euro dhe e shet atë në Greqi për 200 euro, diferenca prej 100 euro do t’i klasifikohet si fitim dhe do të taksohej me 26%, aq sa është norma e tatimfitimit në Greqi. Por, nëse të njëjtin mall kompania e shet më parë fiktivisht te vendi i tretë për 190 euro, ajo zhvendos pjesën dërrmuese të fitimit te ky vend, ku taksa është më e ulët dhe në Greqi taksohet vetëm për diferencën 10 euro. Qeveria greke thotë se për të shmangur këtë fenomen, të gjitha importet nga vendet e listuara, sipas saj, me taksa të ulëta, do të taksohen me 26%. Në listë, përveç Shqipërisë është Bullgaria, Maqedonia, Irlanda, por edhe Qipro, të gjitha vende të cilat kanë një normë më të ulët të tatimit se sa Greqia. Bullgaria sakaq e paditi zyrtarisht nismën në Komisionin Europian, duke e klasifikuar atë si një masë që cenon tregtinë e lirë dhe vetë traktatin e BE-së. Vendosja e një takse prej 26% do të dekurajonte eksportet shqiptare drejt Greqisë, të cilat vitin e kaluar ishin rreth 9 miliardë lekë.

Afati

Rregulli i ri

Palët që kryejnë një transaksion ndërkufitar duhet të paraqesin arsyetimin e faturës tek autoriteti tatimor. Nëse veprimi tregtar rezulton i rregullt, pas tre muajsh iu kthehen paratë

Eksporti

Vendosja e kësaj takse dëmton eksportet shqiptare drejt Greqisë, të cilat vitin e kaluar ishin 9 miliardë lekë

Energjia

Greqia importon energji elektrike nga disa vende duke përfshirë Bullgarinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë.

loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close